Rama dhe Ramushi

Leda Hysa

Nga Bedri Islami

Tashmë dihet nga të gjithë se kryeministri i shtetit shqiptar, Rama, ka hedhur në gjyq, akuzuar për shpifje, shefin në largim të qeverisë së Kosovës, zotin Haradinaj.

Një gjë e tillë ndodh për herë të parë deh as që ishte menduar më herët se do të mund të ndodhte. Përplasja mes dy njerëzve, që deri para pak muajve shtrëngonin duart mbi flamur dhe besatonin me njëri tjetrin, në mos qoftë e pazakontë, të paktën është komike.

Sipas akuzës së shefit të qeverisë shqiptare, Rama, gjithçka që ka lindur në konfliktin mes tyre ka të bëjë me deklaratat e mikut të tij të dikurshëm , lidhur me lëvizjen e kufijve, ku njëri, Haradinaj mburret se ishte ai dhe vetëm ai që e shpëtoi Kosovën, pikërisht nga Rama dhe Thaçi, të cilët, gjithnjë sipas shefit në largim të qeverisë kosovare, ishin bërë gati të nënshkruanin një akt tradhtie, ndërse tjetri,  Rama, deklaron se e gjithë kjo është thjeshtë një shpifje që duhet dënuar. Miku i tij në Prishtinë, presidenti i Kosovës, si duket nuk ia vënë veshin kësaj akuze, ndoshta nga që shpesh herë është akuzuar për këtë “lloj tradhtie”, sa që e di se asgjë nuk ka vlerë.

A ka të drejtë në akuzën e tij shefi i qeverisë së Kosovës? Me siguri, që jo. Edhe ai vetë e di se e gjithë kjo akuzë, më shumë se sa bindje e tij, është rrjedhë e miqësive të tashme politike, të cilët, duke e ditur sinqeritetin e tij politik, e kanë më të lehtë ta sulmojnë rivalin e tyre në tiranë përmes një figure të njohur të luftës, se sa vetë drejt për së drejti, ndoshta nga që mëkati i tyre në çështjen kombëtare është i ndjeshëm.

Edi Rama, jo pak herë, nga forca të ndryshme të politikës në Kosovë, është akuzuar për braktisje të çështjes së tyre, edhe kur, në fakt, ai duhej duartrokitur dhe mbështetur. Megjithatë, ai, asnjëherë, nuk ka ndërmarrë një hap të tillë, butaforie në vetvete dhe i pakuptimtë në zgjidhjen e tij. Si duket, edhe ai, akuzën ndaj ish mikut të tij, e bëri më shumë për të goditur rivalët e tij, të njohur si mbështetësit e shefit në largim të qeverisë së Kosovës.

Më shumë se gjithçka, qoftë goditja pa sens e Haradinajt , qoftë akuza e tashme e Ramës, kanë të bëjnë me atë që ndodh në Shqipëri, më shumë se atë që ndodh në Prishtinë. Si në një lojë luftërash, dy liderët qeveritarë kanë ndërruar fushat dhe po bëhen gati të përvjelin mëngët. Gjithkush të jetë i bindur, asnjëri nuk do të jetë humbës dhe asnjëri nuk do të jetë i fituar.

Përse e akuzoi Haradinaj shefin e qeverisë shqiptare? Përse shefi i qeverisë shqiptare fillon një padi penale ndaj shefit të qeverisë së Kosovës?

Haradinaj, duan apo nuk duan në tiranë, ka qenë njëri ndër drejtuesit më të shquar të luftës në Kosovë dhe, për më tepër , njëri ndër përgatitësit e saj kryesorë. Pa dyshim, ka qenë më i njohuri ndër të gjithë komandantët e zonave dhe, po ashtu, pa dyshim, në zonën më të vështirë, mbyllja e së cilës do të ishte fatale për të ardhmen. Jo më kot aty u dërguan disa farkistë, sipas një marrëveshje ende të mjegullt, të cilët synuan pikërisht këtë: largimin e Haradinajt nga drejtimi i Zonës Operative të Dukagjinit dhe vendosjen aty të disfatistëve, të cilët pastaj ia mbathën dhe u bënë pjesë e grushtit të shtetit të shtatorit të vitit 1998. Për qëndrimin e Haradinajt në luftë është e tepërt të flitet, ai ka qenë njëri ndër komandantët më të shquar të zonave operative, në  mos , më i shquari, dhe debati për rolin e tij në luftë, nuk ka të bëjë me përplasjen e tashme.

Çfarë mund të synohet të arrihet përmes një gjyqi, i cili, më shumë se një përplasje mes dy shefave, do të jetë një grindje politike, e cila, jo vetëm nuk do të mund të qartësojë rrjedhën e ngjarjeve, por edhe nuk do të ketë një përcaktim përfundimtar, pasi vetë shpjegimi i gjërave gjithnjë do të jetë i njëanshëm. Përzierja në këtë përplasje e liderëve të opozitës në Shqipëri, duke u bërë palë me kundërshtarët e Ramës, jo vetëm nuk qartëson gjë, por e bën edhe më të dukshme karrocatën politike të gjithë kësaj përplasje, që frymëzimin e ka në zyrat presidenciale apo opozitare, vazhdon si rrjedhë e asaj që ndodh në Prishtinë dhe përplaset në një mjegull, ku asgjë nuk është e qartë.

Edi Ramën e kanë akuzuar për tradhti , për braktisje të idesë së kombit, shitje të interesave kombëtare, jo pak herë edhe liderët e opozitës. Edhe tani, në diskurset e tyre të fundit ata e bëjnë këtë. E bëjnë më me pasion se sa e bëri Haradinaj, i cili ra në një lojë naive të politikës së Tiranës dhe u fut në një rrjedhë që nuk e kishte menduar.

Rama, si shefi i qeverisë, ka dërguar në gjyqet e Tiranës rivalët e tij opozitarë, e ka bërë këtë me zell, me pasion, me dëshirë të madhe dhe kjo është e drejta e tij. Por i ka dërguar për shpifje të vogla, gjithnjë sipas perceptimit të saj, dhe , asnjëherë, nuk i ka dërguar për atë që është më thelbësore në jetën e një njeriu të politikës, besnikërinë ndaj kombit. Megjithëse është e ditur se ata që po e akuzojnë për bjerrje të vlerës kombëtare, në të shumtën janë nga ajo mori që nuk i kanë pasur kurrë këto vlera, që janë përafruar në çastet më të rënda të kombit në anën e gabuar. Përse Rama nuk i ka dërguar ato në një gjyq të hapur publik, por e përcjellë zemërimin e tij tej kufijve, kjo është, po ashtu , e drejta e tij, veçse një e drejtë që shkon ndesh me atë që vetë ka nxitur, bashkësinë jetuese.

Në raportet më Kosovën Edi Rama ka pasur çastet e tij shkëlqyese, ashtu si edhe ato humbuese; ka pasur ditët e tij të zenitit, por edhe të rënies. E vërteta është se në raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë, e majta ka pasur gjithnjë një horizont më të gjerë, më reflektuese, ka qenë më e hapur dhe ka nxitur gjithnjë krijimin e urave të përbashkëta, edhe kur ato nuk janë pritur dhe janë cilësuar, ose të parakohshme ,ose jo të drejta; ndryshe nga rivalët e tyre në Shqipëri, e majta e dikurshme nuk ishte kurrë në idenë paternaliste ndaj politikës në Kosovë dhe nuk luajti kurrë me ndjenjën e pushtetit.

Tani ndodh ndryshe: për herë të parë, e majta, përmes Rilindjes, fillon e humbet rolin e saj afirmues, nxitës dhe krijuese e urave dhe vizione të përbashkëta. Ajo nga kujdesi për të mos qenë paternaliste, është kthyer në refuzuese dhe larguese; në politikën e saj kanë zënë vend shpërthimet e rastit politik, si është i quajturi “minishengen”, që në fakt, nëse do të vazhdojë me këtë platformë dhe këto aktorë do të jetë në dëm të së përbashkëtës dhe do e humbë qëllimin që mund të jetë në koka të veçanta.

Jo një herë, nisur nga një mendësi zotëruese, por e panevojshme, ai, shefi i qeverisë shqiptare, nuk e ka menduar pasojën e veprimit të tij dhe i bindur se vetëm e vërteta e tij është e drejtë, ka shkuar në të kundërtën e asaj që kanë shkuar rivalët e tij; nga paternalizmi në mënjanim; nga idea e bashkëpunimit në krijimin e dy domeneve politikëqë nuk kanë lidhje njeri me tjetrin; nga krijimi i raporteve të njëmendta dhe të njënjëshme me të gjithë faktorët politikë në Kosovë, në përzgjedhjen e tyre; nga politika pragmatiste e përbashkësie në krijimin e një ndarje vizionesh, sikur të ishte fjala për dy çasje të ndryshme.

Megjithëse është e drejta e tij të përzgjedhë këshilltarët e ministrat, njerëzit më të cilët rrethohet dhe që krijojnë stafin e tij të gjerë apo të ngushtë, qofshin nga Kosova apo viset tjera shqiptare, shefi i qeverisë shqiptare kurdoherë nuk mund të shkëpusë përzgjedhjen e tij nga ajo që do të vlerësohet nga njerëzit. Si edhe pararendësit e tij krye qeveritarë, edhe për Ramën, ka qenë më e lehtë të mbledhë rreth vetes figura , të cilat, për vetë të shkuarën e tyre, disa herë haptas në dobi të shërbimit të fshehtë serb apo para ardhësit e tyre të kenë qenë funksionarë të lartë të regjimit shtypës në Kosovë, dhe kjo, ka krijuar një zbrastësi rreth tij dhe figurës së tij.

Nëse Berisha e konceptonte Prishtinën si domenin e tij, që mund ta përdorte për lojërat e rënda politike, Rama nuk mund të shkojë në të kundërtën, në mohimin e saj.

Nëse Berisha e përdori embargon ndërkombëtare për të bërë tregtinë e zezë të karburanteve dhe armëve, dhe ky është akti më i rëndë politik në jetën e tij, Rama nuk duhet të shkojë në krahun tjetër: të hapë të gjitha dyert prodhimeve të skaduar serbe, të cilat dëmtojnë jo vetëm ekonominë shqiptare dhe biznesin shqiptar, por edhe shëndetin njerëzor.

Të jesh në gjyq me njeriun tënd, që deri para kohe e quaje vëlla dhe , nga ana tjetër, të përqafohesh dhe të bësh kauzë të përbashkët me ata që deri dje të kanë vrarë njerëzit tuaj e ende nuk kërkojnë faljen e parë, edhe kjo nuk është kombëtare.

Një tryezë e përbashkët “minishengeniste” , ende e pasqaruar si duhet, e dyshimtë dhe përjashtuese, po ashtu, nuk është në dobi të shqiptarëve.

Shefi i qeverisë shqiptare dhe shefi në largim i qeverisë së Kosovës, para se të hedhin bombla ndaj njëri tjetrit, le të lexojnë verdiktin e popullit, që në një masë të madhe është për bashkimin e ko9mbit, si aspiratë, si mundësi dhe si kërkesë.

Për to, e jo vetëm për këto që qeverisin sot, më mirë është të jesh i pari në katund , se sa i dyti në qytet…pasi, qoftë fshatin këndej e qoftë fshatin andej, i konsiderojnë si domenet e pasurisë së tyre.

Nëse është i vërtetë fakti se rruga e Kosovës drejt BE duhet të kalojë përmes shtetit shqiptar, po aq e vërtetë është edhe se rruga e Shqipërisë drejt krijimit të raporteve të reja me shtetin serb duhet , domosdo, të kalojë edhe përmes Prishtinës.

Fakti që Albin Kurti bën gabimin e tij historik politik, duke krijuar rrethbashkues me kundërshtarët e Ramës, si kundërvënie të miqësisë së këtij të fundit me presidentin e Kosovës, nuk duhet gjetur si alibi për të krijuar edhe më tej vijën ndarëse, dhe, për ta bërë atë sa më të dukshme dhe të thelluar, të nisë stina e gjyqeve, për gjëra që mund të zgjidhen lehtësisht brenda mureve,edhe ashtu të hekurta, të politikës shqiptare.

Në 6 vitet e fundit janë bërë disa takime mes shtabeve qeveritare Tiranë – Prishtinë, por, është e mundur që, më shumë kanë kushtuar financiarisht këto mbledhje e takime, lojëra basketbolli dhe udhëtime, se sa ka qenë dobia e tyre.

Fakti që shteti shqiptar ka mbi vete një përvojë shumë më të gjerë se sa shteti i ri i Kosovës nuk e bënte parin të jetë dominues ndaj të dytit. Aftësia shtetformuese shqiptare është ende në zanafillën e saj, dhe kjo është e vlefshme në të dy anët e kufirit shtetëror, i cili nuk është edhe kufi mentaliteti.

Share This Article
16 Comments
  • Mire O Z.BBedri. Po vllejzerit asnjeher nuk gjykohen per fajet qe bejne ndaje njeri- tjetrit, Une nuk besoi se kjo padi do te cmontoj vellazerin, perkundrazi do ta shendoshe gjendjen.
    . Hajredini thote qe une shpetova Kosoven se Rama desh e shiti.! Po ashtu edhe Thaci.!
    Nje gje po ju them. Ceshtja e ndrerrimit te kufijve nuk eshte ide ase e Rames ase e Thecit Ju e dini mire qe ajo doli nga dyet e partnerve tan strategjik dhe duhet te jemi te kujdeseshem te them te vertet.
    I ngrakuari per Kosoe- Serbi deklaroi. Une do te beje takime me Anila Merkel qe te realizohet shkembimi i teroitoreve Kosove Serbi. Kjo eshte then me ze e me figure.!
    A thua kete nuk e ka degjuar z.Hajredini.
    Edhe nje gje shume kuptim plore.
    Per vijen e demarfkacionit Kosov Malizi Ramushi dhe Kurti e kane tymosur disa here Parlamentin per te kundershtuar kete. Ne keto kushte Thaci u ciulesua Tradhetar dhe shites i intersave te kosove ne Malin e Zi.
    Pore ju e pate se c`fare ndodhi. Ramushi u be Kryeminister dhe vijen e Demarkacioni e firmosi me doren e vet.
    Ku shkoi deklarat e Ramushit dhe e Kurtit qe Thacin e ben tradhetar.!( Ne keto kushte edhe Rama tha:”Kush e quan tradhetar Thacin ai eshte Gomar”
    Ka shume te ngjare qe kjo loje te perfundoje me firmen e Kurtit pore lufta jone te behet per te ruajtur Trepcen.!
    Ne keto kushte Rama ka te drejte ! Rama eshte me realiste ndersa Ramushi dhe Kurti i fshahin te vertetat.
    Vec kesaje., Rama eshte i vendosure sa i perket ceshtjes kombetar. Ne minishengenin edhe ketu ideja nuk eshte ase e Rames Ase e thacit dhe Ase e vucicit. Edhe kjo ide dhe orjentim vjen nga parteneret tane strategjik. Kete perse e feshin.
    Sa i perket Rames duhet te them Hapur.Rama i perket kesaj force politike qe ka zen vend ne themelet per lirin e Kosoves.
    Lufta e Rugovistev dhe Saliistev dhe e guzhines se Beugradit per dite behet per ta cmontuar kete heroizem qe ben e majta shqiptare dhe UCK-ja dhe per tu dhene ndonje cop merit te pa merituar ketyre sherbetorve te Beugradit.
    Fatkeqesishte edhe Ramushi pa dashje ka ren ne ket Kurthe.!

  • Nuk e lexova shkrimin deri ne fund, sepse vertet nuk me intereson kush ka te drejte…..
    Di vetem nje fakt: Kur dy vellezer zihen, rrihen apo shahen, nena e shkrete brengoset dhe vuan!
    Thene shqip: Nena Shqiperi vecse vuan dhe brengoset me shume nga sherri i midis bijve te saj!

  • Rama (jo Ramushi) e ka zgjedhur vellazerine e vet ne Mini Shengenin Ballkanik! Kjo e shpjegon pse hedh ne gjygj ate Ramushin, me gjate kuptojeni vete…

  • Z.Islami duhet theksuar se ju sulmoni me dinakeri dhe dashakeqesi Ramen pra po ju citoj:Rama nuk duhet të shkojë në krahun tjetër: të hapë të gjitha dyert prodhimeve të skaduar serbe, të cilat dëmtojnë jo vetëm ekonominë shqiptare dhe biznesin shqiptar, por edhe shëndetin njerëzor.pra ai po helmon popullin e tij,nje akuze akoma me e rende se e Haradinaj.Merkeli puthet me Makronin bejne tregeti bashke por askush nuk i ka quajtur tradhetare megjithese 60 vjet me pare u vrane me njeri tjetrin dhe per kete pragmatizem askush nuk shan apo nxin por kane perfitime te perbashketa,jeni i njohur si pro LSI-st dhe po shfaqesh si i tille.Vetem vota e popullit do t’a tregoje se kush ka te drejte dhe deri atehere beni mire te mos i hidhni benzine zjarrit i cili mund te djege dhe ato gjera qe na bashkojne si shqipetare.Akuza e tradhetise eshte e rende dhe ajo duhet te provohet nga Haradinaj ne te kundert ai duhet te kerkoje falje ne radhe te pare para KOSOVES.

    • Gjermania jo vetem qe pranoj fain,kerkoj falje,por paguajti edhe reparacionet e luftes Frances dhe shume shteteve tjera.Serbia shpalle heronje kriminelet e luftes!

  • Nese shpifja e kryeministrit ne largim nuk vertetohet.Per Ramen duhet te zbatohet ligji.Per padi te pa drejte ,c’ka nenkupton shpifje ndaj kryeministrit ne largim.

  • Nuk lexon dot nje shkrim te sinqerte nga z. Islami rreth marredhenieve Kosove – Shqiperi.
    Une e di qe te gjithe diku perkasim si bindje politike por gazetari e ka per detyre qe kur shkruan ,te fshehe ose te mos i bej te dukshme bindjet e tij .
    E para z.Islami…..e majta ka qene shume larg Kosoves.Nuk eshte turp te thuash qe nje parti antiveriore si PS e kishte te pamundur te ishte ne marredhenie normale ( nuk po them vellazerore) me shqiptaret e Kosoves .Ketu ben perjashtim Pandeli Majko i cili ishte zeri i vetmuar i kosovarizmit ne PS .
    Kur ne krye te PS erdhi Edi Rama ,politika e PS u be mbareshqiptare dhe Kosova mori vemendjen e duhur dhe te natyrshme nga lidershipi Rama .Besoj se nuk ka patur lider tjeter te se majtes te kishte kaq popullaritet ne Kosove sa Edi Rama me gjithe gabimet e tij.
    E treta z.Islami…..sa here qe debatohet per Kosoven kur ne krye te Shqiperise eshte e majta ,ju permendni Berishen dhe te famshmen thyerje te embargos dhe perrallen se Berisha ndihmoi Milloshevičin ne shtypjen e popullit te Kosoves !?!? .Nese keni zgjedhur te jeni zedhenes i zyres te Agjit – Propit te PS ,kjo shpjegon kete bajatllekun e thyerjes se embargos ,por nese pretendoni se jeni gazetar i pavarur ,lereni kete bajatllek.se si shkodran qe jeni e dini qe Shkodra mbajti frymen gjalle duke shitur nafte me bidona qytetareve malazes dhe cigare ne ato vite te veshtira te nderrimit te sistemit .
    Millosheviči kishte ku e merrte naften .Tankerat me nafte futeshin nga Rumania nepermjet Danubit rehat fare deri ne portin e Beogradit .Ju kete e dini z.Islami shume mire por ste le zeri i Partise ta thoni.
    E katerta…..kur ju djeg kaq shume sjellja e politikaneve shqiptare kundrejt Kosoves pse nuk permendni takimin Nano – Milloshevič ne Krete ?? Pse dhe asnjehere ???
    Nese ka patur tradheti ndonjehere nga politikanet shqiptare ( une nuk besoj ne tradheti ) a ka qene ky takim sekret i denancuar nga Betisha nje muaj rresht dhe i mohuar nga gjithe shpura e majte gazetareske shqiptare ??
    E pesta z.Islami….Ramush Haradinaj eshte hero por eshte e rende te akuzosh kryeministrin e Shqiperise qe do marre 10 miliarde € po u shiten pjese te Kosoves ??
    Perveçese e rende eshte dhe e felliqur sepse nese ka patur ndonjehere qendrim prej burri shteti pro Kosoves nga shtetaret e Shqiperise ishte qendrimi i Edi Rames ne Beograd.
    Po ashtu mendoj se Rama u nxitua kur beri padi .Duhet ta kuptoje se duhet te jete me lart se shpifja dhe inati i castit.
    Dhe e fundit e ndare me dysh….si gazetar i majte qe je bej nje investigim se cfare u be me taksen e solidaritetit qe mblodhi PS per vite me rradhe dhe nuk beri nje meter rruge .
    Rrugen e beri Sali Berisha !
    Tjetra eshte se duke u rritur burri thinjet e thinjat te bejne me te urte. Jep doreheqje nga zyra e Agjit – Propit te PS se do katandisesh si Fahri Balliu i PD !!

    • I nxitur dukshem ca nga deshira per te futur si kungull nen sqetull dy sivllezerit pardesybardhe, dhe ca nga frustacioni qe shkakton te qenit pjese e nje grupimi vandalesh ekstremiste ende te pandeshkuar per bemat e tyre makabre, ku nder me te spikaturat kane qene katrahura e 97-es, urdhri kriminal per te bombarduar Vloren (por qe fatmiresisht nuk u vu ne zbatim fale heroizmit patriotik te dy piloteve), maskaralleku kriminal me firmat piramidale, tragjedia vrastare e Gerdecit, masakra e pandeshkuar e 21 janarit te nente viteve me pare, etj., yllka jone dygishtore i paska akorduar vetvtes te drejten ekskluzive per te percaktuar se jane apo jo te sinqerta shkrimet e gazetareve. Lum forumi per dordolecat qe ka…

  • Ajo qe te ben pak pershtypje eshte se perse mengjarashi yne i vjen pak si me dobiçllek rrotull e rrotull nje morie ngjarjesh sa te zymta po aq dhe te turbullta, te cilat po t’i marresh e ti analizosh ne kompleks me pjekurine e nje gazetari (jo shpirtshitur) investigativ, te cojne detyrimisht ne perfundimin se “atje ku ka ze, s’eshte pa gje”.

    Gjithsesi, duke iu referuar sidomos paragrafeve 7,8 dhe 9 nga fundi, mengjarashi yne ka meritat e tij sepse eshte nga te paktit gazetare qe guxon ta trazoje pak si me stil persheshin e nakatosur keqazi nga shallvaregjeri.

    Druaj se keto shkrime, numri i lexuesve te se cilave kapin apo s’kapin gjithsej rreth njemije veta, nuk mund t’u vihet ne dispozicion dhe asaj tufes se famshme amorfe, e cila per fatin e keq te nje pakice te mireformuar ka qene dhe ka mbetur vendimtare ne rezultatet absurde te votimeve.

  • Minishengeni, apo Shengeni Ballkanik, nuk eshte gje tjeter vecse nje parapregatitje, nje sprove sesa serioze do te jemi nese futemi ne BE. Kjo eshte pasqyra me transparente qe BE-ja ju ka vene shteteve te ballkanit se si do te sillen ne mes tyre. E nese do te sillemi si europiane dhe jo me cic mice atehere dhe shanset per tu futur ne BE do te jene me te medha . Nese sillemi te vegjel dhe sharlatane duke ju vene kembzen njeritjetrit atehere europa do te jete shume larg, mbase ne kalandat greke.
    Bedriu, sa vjen dhe behet me i pasinqerte me lexuesin dhe me i shfaqur hapur ne krah te opozites pa koke qe po gelon ne Shqiperi. se sa per politikanet kosovare po i shohim se sa srioze jane per te qeverisur vendin e tyre pa le per me tej ne bashkepunim me partnere te tjere, qofte dhe me shtetin meme sic eshte Shqiperia.

  • Aty ku shkruhet se Ramushi gjatë luftës mbante frontin ma të vështirë kjo nuk më duket e drejtë ma së vështiri dhe teritor ma së shumti në kontrrollë kishte Fatmir Limaj ku kishte më se 40 mijë të strehuar në malet e Berishës dhe ishin në rrethim kurse krahu i Duk. kishin udhë hapur në 3 drejtime në aspektin politik Ramushi u tregu krahinor dhe tu kalu mbi varret e familjes Hakla lidhë miqësi me Berishistēt dhe Rugovistët ku këta për pak sa nuk e likuiduan arsye pse Ramushi i bani këto lëvizje politike ishte ardhja në pushtet dhe nga këtu ai politikisht është totalisht i komprementuar e i degraduar

  • Z.BEDRI ISLAMI:Me vjen shume keq per ju qe nuk evidentoni me kryesoren ne kete mish-mash Shqiptar:
    1-Ramushi deklaroi se Rama+Thaçi+ Vuçiçi kan marr mbi 10 miljard € per ndryshim kufijsh.Kete shpifje nuk besoi se ju vet do ta pranonit sikur tu akuzonte as NENA e as BABAI.Besoj ju kete fakt nuk e keni “harruar” rastesisht.
    2-Drejtuesit kosovar kan gabuar ndaj Rames qekurse Rama shkoi ne Beograd,kur Ish M.jashtem Enver Hoxhaj kritikoi Rames se ” nuk duhet te fliste per Kosoven..”
    3-Ju nuk zini ne goje taksen 100 % qe Ramushi vendosi ndaj Serbise,i cili nuk mori parasysh keshillen e SHBA+BE.Edhe Rama e keshilloi Ramushin qe ta hiqte taksen perkohesisht per te vene ne prove Serbine.Por Ramushi e mori per keq keshillen e tij.Ndaj perfundoi ne Hage dhe ne opozite te perheteshme.
    4-Sa per Minishengenin,e ke gabim.Ate e mbeshtet SHBA+BE dhe Rama mbeshtet porosin e tyre.
    -Z.Bedri: Ke qene me shume realist dje se sot.Si Kosovar behu me shume reakist.Kam mbi 30 vjet qe po te ndjek me shkrime shume brilante-dje ne D I T A dhe sot po anon djathtas,kur ju me te drejte i keni bere “anatomine” kriminelit SB.
    -KM Rama eshte me i miri ne 30 vite.Kete e shkruan Rexhep Qose e Alfred Moisiu.Une jam ne ata.
    -FLM- D I TA.

  • Rama dhe Thaçi, dhe ky i fundit më herët, qysh në Rambuje, janë për politikën euroatlantike të zgjedhurit e tyre. Nga ana e tyre këta të dy nuk ndërmarrin hapa pa viston e tyre, për të mos thënë se i nisin me nxitjen e tyre. Thaçi udhëhoqi bisedimet Kosovë-Serbi, dhe i ka dhënë tonin politikës kosovare prej 21 vjetësh, ndërsa Rama, pos të tjerave, në raport me aleatët i hapi udhë dhe mbështeti pa rezerva reformën në drejtësi, për t’i hapur kështu rrugë ndëshkimit të korrupsionit në nivelet e larta të politikës. Mjaftojnë këto të dy elementë me suport të fuqishëm, sidomos amerikan, këndej dhe andej kufirit shqiptaro-shqiptar, që të xhelozojnë ethshëm kundërshtarët e tyre politikë në Tiranë dhe Prishtinë, ndërthurrur këto me luftën politike me njëri-tjertin brenda vendeve respektive, siç edhe i trajton Bedriu në këtë shkrim. Po të nisesh nga raporti i forcave nuk është vështirë të kuptohet se balanca anon nga ana e dyshes Rama-Thaçi. Të paktën kjo sot për sot. Mos harrojmë që jemi shumë të vegjël dhe historikisht, fijet e politikës për interesat dhe qeverisjen e shqiptarëve janë luajtur gjetkë. Këtu gjejnë terren edhe spekulimet me termat ‘trathëtarë’, ‘shitës së interesave’ apo më keq ‘agjentë’ e ‘poliagjentë’.

  • Kosova eshte aktualisht ne nje krize te gjate politike. Ku eshte rasti qe km shqiptar te luante nje rol te forte bashkepunues per te bere te mundur krijimin sa me shpejt te nje qeverie te gjithepranuar. Ne vend te beje kete km Rama, qe eshte edhe minister I jashtem, shkon e bredh me pune pa bereqet per osbe andej nga U-Krahina. Pa lere pastaj kete punen e gjyqit me Ramushin. Eshte vertet qesharake per nje drejtues shteti. Imagjino te prezantohet ne gjyq si pale e demtuar Rama dora vete, kryetari aktual I osebeeeeeese, personi I dyte me i fuqishem ne bote pas Trampit, me tere ate mjekerr. Me shume po ngjan me Kofi Anan sesa me Ismail Qemal beun. U plak dhe Rama, aq shpejt sic u plak Berisha. Gjigantizmi te plak shpejt, sidomos kur bredh me kamera para e pas menderes tek ertv, qe eshte kthyer ne nje check up mediatik I sponsorizuar nga qeveria.

  • Vetem gjykata zgjedh kontestin,Nuk eshte e rendsishme ndeshkimi,sa eshte zbardhja e se vertetes se mrekullueshme.Ketu ose g enjeu Ramushi per te favorizuar veten e tija,ose Ramushi e tha te vrteten per”tradht ine ndaj atdheut” te Rames dhe Hashimit,E para duket se eshte afer se vertetes,Por kjo e dyta e “tradhtise”,kurren e kurres nuk del e perafert.Per ndryshe,sic po flasin tash Ramushi e Edita Tahiri,,keta na apskan shpetuar nga ndarje e Kosovges.vertet eshte per habi,sepse eshte e pamundur.Nuk eshte fare as e perafert me te verteten dh e forcen poltike te tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *