ULTIMATUMI / Rama i kërkon Ukrainës të zbardhë sa më shpejt ngjarjet e 21 Janarit

redaktor

KIEV – Edhe pse takimet zyrtare, konferencat e shtypit dhe fotot e shpërndara për mediat flisnin për bisedime të qeta dhe mirëkuptim, Gojët e Liga kanë mësuar se në cilësinë e presidentit të rradhës së OSBE-së, kryeministri shqiptar Edi Rama u ka kërkuar autoriteteve të Ukrainës të zbardhin një orë e më parë ato që tashmë njihen nga populli vendas si ngjarjet e rënda të 21 Janarit.

Gjithçka ndodhi pasi Edi ndodhej në një sallë me kryeministrin Oleksij Honçaruk, dhe befas u shtir sikur kishte shumë ftohtë. Ai u kërkoi reporterëve të largoheshin se takimi do vazhdonte me dyer të mbyllura pasi bënte korrent.

Menjëherë pas mbetën vetëm, Edi iu drejtua Honçarukut:

“Ore, ça po bëni për atë 21 Janarin ju?”

I zoti i shtëpisë u zu ngushtë, dhe nisi të bëlbëzojë:

“Po ja, besoj se gjetja e përgjegjësve është në udhën e duhur, familjeve të të dëmtuarve u kemi dhënë ca para, shpërndajmë karafila çdo vit në vendin ku ka ndodhur tragjedia… këto”.

Edi u vrenjt:

“Pak… Shumë pak! Dhe shumë vonë! Vini drejtësinë në vend, ndryshe ju piu e zeza! Herën tjetër, erdha në Kiev dhe s’keni futur në burg fajtorët, do vesh vetë në burg, mos të kemi llafe!”

Të gjithë e mbajnë mend episodin e 21 Janarit 2014, që zuri faqet e shtypit botëror, kur një grup protestuesish në sheshin qëndror të Kievit, Maidan, në mes të të ftohtit të hidhur zunë të kërcenin e të këndonin pjesët tradicionale ukrainase, “Verbovaja Dosçeçka”, “Oi ne khody Hriciu”, “Pidmanula”, “Oi nastupaje ta çorna khmara” etj, teksa orkestra të improvizuara i binin koroboçkës, bandurës, kobzës dhe sopilkës.

Mirëpo teksa u ngrohën mirë e mirë, të inkurajuar dhe nga vodka e famshme e krahinës së Skraparçukut, një pjesë e protestuesve, sidomos moshat e mëdha, pësuan ndrydhje, thyerje këmbësh, kontuzione nga rënia në kalldrëmin e akullt, duke bërë që në qytetet kryesore të vendit të plasë rebelimi kundër presidentit Janukoviç. Që nga ajo ngjarje që Nju Jork Tajms, The Guardian dhe gazeta Pandorama e quajtën “vallja e përmbysjes”, çdo pushtetar ukrainas e zë lemeria kur një grup sado i vogël protestuesish zënë e kërcejnë nëpër sheshe.

Paçka se gjatë vizitës në Kiev kryeministri shqiptar caktoi detyra konkrete për klasën politike ukrainase, ai nuk u mjaftua me kaq.

Edi përfitoi nga rasti për t’i bërë thirrje Polonisë fqinje, që të zbardhte edhe ajo sa më parë 21 Janarin e vet. Siç e dimë të gjithë, më 21 janar 2011 në Poznan, shtatë adoleshentë polakë desh u mbytën gjatë një gare se kush hante më shumë kastravecë turshi.

 

SHËNIM / Nëse mendoni se Gojët e Liga është rubrikë satirike, lodheni kot. Nëse doni të qeshni tamam, lexoni lajmet e politikës serioze

Share This Article
7 Comments
  • Pas rregullimit te gjendjes ne Ukrahine, Edi Rama pati ftesa edhe nga shtetet e tjera, keshtu ai e ktheu avionin drejt sameve (lapeve) ne veri, ku rregulloi edhe statusin e tyre me shtetin finlandez, suedez, norvegjez dhe rus. (Flitet se Putini nuk kish pranuar fillimisht, por zgjedhesi i problemeve, Edi Rama, e komprometoi Putinon me nje shishe raki skrapari, nje dhurate kjo nga Ilir Meta.) Me tej avioni i Edi Rames shkoi drejt Kashmirit, ku ka vene perballe kryeministrinin pakistanez, artistin e filmave, Imran Khanin, me kryeministrin indian, biznesmenin Narendra Modin. Pritet qe neser ai ta mbaje frymen ne Mali, pasneser ne Angola, e keshtu te vendose kudo paqen. Ai mund te vazhdonte udhetimin edhe ne planetet e tjere, por javen qe vjen, atij i vjen ambasadorja e USA-s, kushurira e peste e Kimit nord-korean, por me gjyshin te arratisur ne Korene e Jugut, e cila e do Edin gatitu ne Tirane. Dhe asaj nuk ia prish ai!

    • ximo
      po i prish punë industrisë së armëve,ky kopili ynë!
      ka rrezik ta heqin qafe!!
      megjithëse bota nuk ka parë kaq paqe në tërë historinë e saj,dhe vetëm dy javë ka në krye të asaj gjos,unë prap kam frikë se diktarotët e luftënxitësit kanë për të na i hequr këtë ëngjëll të dipllomacisë,këtë feomen të budallallëkut!!

  • Rama po frymzon folkun popullor duke u ba protagonist i krijimtarive houmoristike deri ne nivel arti komediane.
    Hiqeni kete karagjoz antivlere sociale pluraliste.

  • Gzim Kulufi @…
    Ke haruar Rama do shkoje te takoje mikun e tij me te ngushte KIMIN ne KORENE e VERIUT ,ne rast rreziku nga SPAK e ti lutet Kimit , qe ta strehoje ne Korene e Veriut ,e ti beje letrat e punes, jo vetem Rames ,por ky do interesohet edhe per Bashen , Saliun, Meten e Moniken .

  • Lajmet e Liga thone qe Edi I madh I osebeeese I ka propozuar Putinit nje marreveshje per ti kthyer Krimene Ukraines. Ne shkembim Edi gjiganti I jep Putinit 10cm tangerllik dhe 2 ore ne jave trasmetim ne osbertv pa pagese.

  • Rama i kërkon Ukrainës të zbardhë sa më shpejt ngjarjet e 21 Janarit.Ose do mbledh parlamentin ta vendosin.Ishalla nuk behem me nerva se do ja coje Venecias.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *