Shqipëria e mbylli vitin me barazimin pa gola kundër Bjellorusisë, luajtur në stadiumin “Akdeniz” të Antalias, në Turqi. Si një miqësore e luajtur pas eliminatoreve të pasuksesshme të të dyja skuadrave, takimi ofroi fare pak emocione, edhe pse ka lojtarë në provë e që duan të bëhen titullarë në eliminatoret e ardhshme, për Euro 2016. Protagonist i kuqezinjve ishte portieri Etrit Berisha, i cili priti një penallti në minutën e 17-të, shkaktuar nga Arapi. Portieri kuqezi bëri edhe më pas një pritje të shkëlqyer, duke treguar se periudha e qëndrimit në stol te Lacio nuk ka ndikuar në formën e tij. Ajo që shqetëson mbetet përsëri mbrojtja, pasi prapavija shqiptare bëri edhe dje shumë gabime, njësoj si në ndeshjet e fundit eliminatore. Takimi vazhdoi i qetë edhe pas pushimit, kur u bënë mjaft zëvendësime, ndërkohë që bjellorusët u shfaqën disi më ngacmues, por kurrë mjaftueshëm. Në fund, ishte zëvendësuesi i Berishës, portieri Orges Shehi, ai që bëri një pritje shpëtuese pas goditjes me kokë të kryer pas një krosimi nga këndi. Ky është barazimi i dytë radhazi pa gola për Shqipërinë, pas atij me Qipron, në ndeshjen e fundit eliminatore për Brazil 2014.
