Moikom Zeqo
PJESA E PARE
Duhet (padyshim!) shkruar Doracaku i Gjelbër i Utopive, ose Enciklopedia e Vendeve Imagjinare. Emrat e hartave nuk janë gjithçka, janë reale dhe natyrisht rutinore dhe të mërzitshëm.
Meqë alergjia ndaj reales të çon në hapësirat dhe kohërat metafizike shkrimtarët kryeneçë shpikin me pamëshirësi vende, ishuj, kontinente, madje edhe planetë që s’kanë ekzistuar kurrë, që hartëbërësit e vjetër i quanin me një emër abstrakt U-topos, dmth U-jashtë, dhe topos-vend, pra në një mënyrë humoristike vende të jashtëvendshëm, ekzistenca të paekzistueshme.
I ndikuar për vdekje, ligsht nga katër ungjijtë sinoptikë, të palëkundshëm Xhonatan Suift (Swift) në 1726 botoi kryeveprën skandaloze “Udhëtimet e Guliverit”, pa i shpëtuar ndikimit të rrezikshëm numerik dhe evangjelik dhe vetëkuptohet heretik të një palimpsesti të rëndë të katër udhëpërshkrimeve dëshmuese në Liliputia, ku banon një racë idhnake njerëzish picirukë, të cilëve Guliveri i gjorë u duket si një përbindësh i llahtarshëm (gati, gati si paraprojektimi i Mbinjeriut niçean!), në Brobdingnag, ku njerëzit janë viganë, janë të qetë, jetojnë pa grindje dhe Guliveri para tyre ka përmasat e një insekti në formë antropomorfe, në Laputa, ishull i çuditshëm fluturak, ku banojnë vetëm shkencëtarë dhe doktrinarë, të zhytur në misteret më të koklavitura e në studimet më të thella, gjeometra, astronomë të mëdhej, muzikantë të shifrave, pra një racë e plotfuqishme pitagorianësh, por edhe tuhafë, kaq të ditur dhe të kotë, sa nuk është e mundur as të flasin, as të dëgjojnë, pa i goditur një shërbëtor në gojë, në sy, në veshë, apo në sy me një fshikëzë të fryrë e të varur majë një shufre, rrobaqepësit e tyre na qepin kostumet duke bërë hesape të ngatërruara matematike, por prap petkat nuk u rrinë pas trupit, kanë një akademi shpikësish të çmendur, me kimistë, që kërkojnë t’i kthejnë fekalet në ushqime, fizikantë që krenohen (mburren) se do të nxjerrin rrezet e Diellit nga kungujt etj; vendi i katërt është i panjohur dhe nuk ka emër fare, por në të jetojnë kuajt, një racë e mrekullueshme kuajsh të quajtur “huihnhnn” (emër onopatopeik, imitim i hingëllimave të fisme, të thjeshta, që ngrihen lart mbi tërë gjuhët fonetike të përzjera dhe të rrema të planetit), të ditur, pa asnjë djallëzi, të drejtë, por që përdorin për punët e rënda në atdheun e tyre Jahu-të, një lloj njerëzish të kafshëruar, që të vjen ndot t’i shikosh, të ndyrë, të egër e të ligj, të pabesë, qytetërimi i epërm i kuajve është frymëzues, i pazakontë, grishës, të vetmet qenie të gjalla për respekt, që nuk kanë nevojë për asnjë Mesiah, sepse janë që të gjithë mesianikë, të pakorruptueshëm, pa asnjë delir madhështie, s’kanë nevojë as për apologji, hagjiografi dhe martirologji të kota.
Që libri i nemur dhe intrigues i Suiftit është një palimpsest kjo gjë nuk ka asnjë dyshim, gozhdimi nga flokët përdhe të Guliverit nga liliputët dinakë e të pafuqishëm të kujton (gati një plagjiaturë) Krishtin të mbërthyer në kryq, dijetarët tuhafë të ishullit ajror Laputa përngjasin me etërit kishtarë, teologët dhe vetë shteti i ishullit me Qytetin e Zotit të shën Augustinit të përvuajtur.
Ndërlikimshmëria bëhet shpërthyese, hutuese me rastin e apostolimit të pakufishëm dhe pa paragjykime të huihnhm-ëve, të kuajve përparësorë, krejt të kundërt me kaligulizmin e degjenerimit romak, si dhe të një motivi fabular më të largët, dashakeqas dhe të shpifur homerik.
Ndonjë episod aksidental si p.sh., shuarja e zjarrit në pallatin mbretëror në Liliputia me shurrën e Guliverit është spjeguar, interpretuar me prapavija ironike nga disa kritikë zelltarë dhe vigjilentë si gjoja një parodi erudite e zjarrit të Trojës, katastrofë prej të cilës u krijua dhe mbijetoi Homeri dhe tërë raca dhe brezat e aedëve katastrogoidë, duke e akuzuar Suiftin e padjallëzuar si një apostat dhe mohues të epikës në historinë e njerëzimit.
Suifti është i pakujdesshëm deri në skajëzim, ai propozon projektin e një gjuhe botërore, të kuptueshme nga të gjithë, ai shkruan (faqeziu!) të zezë mbi të bardhë se “meqë fjalët shprehin sende do të jetë më mirë që njerëzit të marrin me vehte çdo send, që duan të shprehin, sa herë që kërkojnë të rrahin një çështje të koklavitur, ose të kuvendojnë. Shumë njerëz të mësuar dhe të urtë e kanë zgjedhur këtë metodë të re, por që ka një të keqe: kur ke për të diskutuar ndonjë subjekt të ndërlikuar, apo kur do të thuash shumë gjëra, u dashka të ngresh në kurriz një deng të madh sendesh, po qe se nuk je i pasur sa të marrësh me vehte dy a tre shërbëtorë të fuqishëm… të mos harrojmë se kjo shpikje e ka një të mirë universale: do të vlente si gjuhë e përbotëshme e do ta kuptonin tërë kombet e qytetëruara”, Gjuha sendore e Suiftit ka karakter të koncentruar material dhe është një shpërfillje e irnosur e shpirtit. Por Arthur Rimband në një letër dërguar Paul Demeny-t me 15 maj 1871 shkruan (gjithsesi, duke qenë të gjitha fjalët ide, koha e një gjuhe universale do të vijë, kjo gjuhë do të jetë e shpirtit për shpirtin, duke përmbledhur gjithçka, aroma, tinguj, ngjyra”.
Gjuhët janë komunikuese por edhe në kundërshtim me komunikimin.
Ka shumë projekte gjuhësh të postuluara si parake, gjuhë mëma (ide matriakartike) por ka edhe gjuhë artificiale, për një tendencë strukturore të universalitetit, si dhe gjuhë pak a shumë magjike plot shprehëshmëri mistike dhe fshehtësi mistare, gjuhë onirike si gjuha e panjohur e shën Hildegardës së Bingenit, gjuhët e rreme, të shpikura për qëllime satirike (nga Robelais tek Tolkieni), Gjuha e Re, Newspeak, ligjërimi hipotetik i Orwellit, gjuha tejmendore e Hlebnikovit, gjuhët e popullsive fantastike të Tolkienit, gjuhët e sajuara të shoqërive masone, gjuhët verbale të strukturave të matematikës, algjebrës, kimisë etj.
Ky palimpsest i gjuhëve, i ligjërimeve është në infinit, madhështor dhe i hiçtë.
Por fjalët çojnë tek vendet, vendet tek hartat – është lëvizja me kah të kundërt nga abstraktja tek konkretja, nga e shpirtshmja tek e materialta, nga e padukëshmja tek e dukëshmja. Hartografia është një lloj letërsie fantastike, duam apo nuk duam, është dëshmi shumëskajore e atyre gjërave, që dihen dhe nuk dihen, ndonëse në raste kthjelltësie të rrallë mendore gjërat që dihen janë më të panjohurat, kurse ato që s’dihen habitërisht më të njohurat.
Hartografia shpesh nuk regjistron, por parakupton hapësira, popuj dhe vetëkuptohet histori ekzotike dhe të pabesueshme. Leximi i kësaj sinteze palimpsestike është i mundimshëm, plot kënaqësi të befta.
Borgesi shkruan me pasion ironik për hartat, si dhe për “një Perandori të hartave, ku mjeshtëria e hartave kishte arritur aq përsosmëri sa një Hartë e një Krahine përfshinte tërë një Qytet, kurse Harta e Perandorisë mbarë një Krahinë.
Me kalimin e kohës ato harta të tepërta nuk mund t’i kënaqnin njerëzit dhe shoqatat e hartografëve, ndaj e bënë një Hartë të Perandorisë, që ishte e madhe sa Perandoria dhe pikë për pikë përputheshin.
Më pak të entuziazmuar me studimin e hartave gjeneratat e reja nxorrën përfundimin se
Hartë Identike ishte e kotë dhe i mungonte ateizmi i Vrazhdësive të Diellit dhe të Dimrave në Shkretëtirat Perëndimore, kështu që sot kemi gërmadha mjaft të shkatërruara të Hartës.
Në to banojnë Shtazët dhe Lypësit.
Në mbarë botën nuk ka gjurmë të tjera të Shkencave Gjeografike.”
Borgesi si dyshimtar i hutuar dhe mosbesues i përbetuar megjithatë nuk guxon fare të ironizojë ekzistencën e sigurtë të vendit të quajtur dinakërisht në latinisht Tlon Uqbar Orbis Tertius, i shënuar në një enciklopedi, ku thuhet, se ky vend i panjohur spikat për një sekt, që konsideron se “pasqyrat dhe marrëdhëniet seksuale janë gjëra neveritëse, sepse i shumëzojnë njerëzit”, në këtë gjeografi reale çdo gjë është iluzore, gjuha, fetë, shkencat dhe vetëkuptohen dhe letërsia. Konceptimet janë jo sintetike, por si një varg figurash në vijimësi drejtvizore dhe në forma zigzake apo rrethore, në një parabolë të njohur në letërsinë Tlonase bëhet fjalë për sofizmin e nëntë monedhave të argjenta:
“Të martën X kapërcen një rrugë pa emër dhe i humb nëntë monedha të argjenta. Të martën Y i gjen në rrugë katër monedha të ndryshkura nga shiu, që kishte rënë të mërkurën. Të premten në mbrëmje Z i gjen tri monedha në rrugë. Po të premte në mëngjes X i gjen dy monedha në rrugën e shtëpisë së tij. Krijuesi i kësaj ngjarjeje heretike dëshiron ta përftojë realitetin, kontinuitetin e nëntë monedhave të gjetura. Është absurde (ka shkruar ai) të mendosh se katër monedha nuk ekzistonin ndërmjet të martës dhe të enjtes, tre ndërmjet të martës dhe të premtes, pasdite, dy ndërmjet të martës dhe të premtes në agim. Është logjike të konsiderosh se ato ekzistonin – së paku fshehtas, në mënyrë të pabesueshme për njerëzit – në të gjitha çastet e këtyre tri periudhave të kohës.”
Në një Post Scriptum të këtij tregimi borgezian zgjerohet më tej fantazmagoria, spjegohet se idea e Tlonit qe një krijim i përkryer i përzemërt dhe ambicioz midis Hermetistëve dhe Kabalistëve gjatë këtyre tre shekujve të fundit, deri në vitin 1824 kur “murgu milioner Ezra Bakli” propozoi që një vend imagjinar duhet shndrruar në një univers të shpikur, Borgesi e vendos një propozim të tillë në Memfis a në Tenesi, duke e shndrruar në atë që sot i referohemi si Elvisland, po aq i mistershëm dhe i hershëm sa dhe Memfisi i Egjiptit.
40 vëllimet e “Enciklopedisë së parë të Tlonit” u përfunduan në 1914, viti, që dëshmoi fillimin e Luftës së Parë Botërore.
Në vitin 1942, në mes të Luftës së Dytë Botërore, nisën të shfaqen objektet e para prej Tlonit: një busull magnetike, fusha e të cilës i ka shkronjat në alfabetin tlonian, një hinkë e vogël metalike me një peshë të pallogaritëshme, zbulimi në një bibliotekë të Memfisit i të gjitha vëllimeve të Enciklopedisë, si dhe objekte të tjera përbërë prej elementesh jotokësore dyndin planetin.
Realiteti shembet, jepet dhe bota shndrrohet në Tlon.
I mallëngjyer Borgesi rri në hotel, duke ripunuar me kujdes një përkthim barok të veprës “Groposja e urnës” nga Sër Tomas Brauni, ku gjendet dhe fjalia, që mbetet një nga frazat më të thekëshme dhe tronditëse “Jeta është një flakë e thjeshtë, ose një vezullim i pastër dhe ne mbahemi gjallë prej një Dielli të padukshëm brenda nesh.”
PJESA E DYTE
KOLVANIA ,-SHTETI QE NUK EKZISTON
( VIJON NGA NUMURI I KALUAR )
Shkrimtari amerikan William Folkner nuk vuante fare nga paranoja e haluçinacioneve, as nuk qe ithtar i sektit filozofik solipcist të filozofit Berkley, që thonte pa mëdyshje se “bota është krijimi im, çdo gjë që ekziston është prej shqisave”.
Realist i egër, natyralistik i pamëshirshëm, Folkner e urrente idealizmin subjektiv dhe qe luftëtar i demaskimit deri në fund.
Ai shkroi romane të rëndë dhe stigmatizues për një shtet të quajtur Yoknapatawpha, (kritikët e akuzojnë se ka përdorur një fjalë të hindianëve amerikanë), me një metropol të përshkruar gjeometrikisht në mënyrë pedante, me emrat e pangatërrueshëm të rrugëve, shesheve, të tabllove të bareve, klubeve të natës, të zyrave të shtypit, të policisë, me një histori politike konkrete, me emra të kronologjisë, plot nojma vetiake, plot drama, aksidente, abuzime seksuale, skizofreni letrare.
E sulmuan plot pezm se gjoja kishte shpikur një vend të tërë, me gjeografi dhe histori, që s’kishin ekzistuar kurrë.
Folkneri nuk u mposht, triumfues, i vetëdijshëm, krenar, tregoi se Yoknapatawpha qe real si New Jorku, ose Kolorada, Parisi, apo Durrësi dhe Kartagjena. Folkneri qe realist i frkshëm për gjithkënd dhe gjithçka.
Akuza për “shpikje” nuk është njësoj si për “shpifje”.
Fjala vjen “shpikja” e elektricitetit nuk është “shpifje”. Dallimi është i rëndësishëm, kryesor.
* * *
Shembujt parathënës të vënë në mendime. Zhduket kufiri midis reales dhe imagjinares. Gjeografia e letërsisë nuk humbet asnjë atribut, udhëtarët lexues nuk pakësohen.
Kolombi, Vasko de Gama, Kuku, Drejku, Magelani, Reiz Pir etj. nuk janë aq të rëndësishëm, aq absolutë.
Është gjeografia e viseve letrare që ndikon mbi realitetin pashmangshmërisht.
Dhe ja një provë elegante, ndonëse në formën e një shakaje të rëndomtë.
GUIDA E KOLVANISE
Shfletoj një guidë:
LUTENBLAG-A e dini si organizohen dasmat në Kolvani?
Dasmat në Kolvani janë ngjarje me rëndësi të madhe shoqërore.
Sipas traditës ceremonia fillon me 24 orë agjërim të nuses dhe dhëndrit.
Pastaj gruaja nuk guxon të braktisë shtëpinë, ndërsa burri i ardhshëm mund të dalë dhe të dehet me raki.
Kur të afrohet dita e madhe e dasmës nusja lahet me vaj parfumesh dhe nga trupi i hiqen të gjitha qimet, me dyllë dhe me pincetë.
(Në disa pjesë të Kolvanisë veriore ky proces mund të zgjasë me ditë të tëra!)
Nusja vishet në mënyrë solemne dhe dasma shoqërohet me një festë të madhe me banket.
Në mbrëmje të martuarit e lumtur futen në dhoma të ndara për të filluar lidhjen e re.
Kjo është vetëm njëra prej qindra shakave shpesh cinike në guidën turistike mbi Kolvaninë.
Natyrisht ky vend nuk ekziston askund në hartën e botës.
Tre gazetarë australianë e kanë shpikur atë dhe kanë shkruar një guidë fiktive, e cila i përngjan 100 për qind guidave të tjera turistike.
Libri është një parodi kundër guidave mbi vendet reale, ku shpesh dominojnë përshkrime pothuaj absurde.
Për shembull: Gjatë një vizite në Bullgari një kolege e ngarkuar me tre guida citonte nga një copë teksti, i cili “vërtetonte” të gjitha paragjykimet perëndimore mbi burrat bullgarë. Aty nënvizohej se bullgarët, pas tre minutash bisede me një femër, i kërkojnë asaj një puthje. Ne udhëtuam dhjetë ditë nëpër Bullgari, biseduam dhe me shumë burra bullgarë, por asnjëri prej tyre nuk i kërkoi asgjë, madje as një puthje, koleges zvicerane, së paku jo pas tre minutash. Se çfarë mund të ketë ndodhur në orët e vona në ndonjë diskotekë të Sofjes është krejt e parëndësishme.
Të kthehemi tek Kolvania, një republikë e vogël diku në lindje të Evropës, me kryeqytet Lutenblagun, me kodrat e Postenvalit, ku turistët mund të pinë raki hudhre dhe të mësojnë se ky vend është burim i kollës së keqe. Natyrisht para se të shkoni në Kolvani ju duhet të merrni injeksione kundër kolerës, tifos, difterisë, hepatitit A, hepatiti B, polios, tuberkulozit, hepatitit C, meningitit, tetanusit dhe shumë sëmundjeve të tjera. Tani udhëtimi mund të fillojë.
Kolvanishtja është një gjuhë jo aq e lehtë.
Ka katër gjini: mashkullore, femërore, asnjanëse dhe kolektive.
Fjala më e lehtë për ta shqiptuar është: Szlengro! (Mirësevini!).
Në Ministrinë e Jashtme të Amerikës ekziston një listë me gjuhët më të ndërlikuara dhe me kohën që nevojitet për t’i mësuar ato.
Për gjuhën spanjolle llogariten pesë muaj, për gjuhën koreane dhe arabishten 24 muaj, për Kolvanishten, ndërkaq, duhen 16 vjet!
Kolvania ka një histori të gjatë dhe të lavdishme.
Për shkak të ngjarjeve të shumta dhe po aq të lavdishme, përshkrimi i të cilave do të harxhonte vagonë të tërë me letër, këtu po përqendrohemi vetëm në shekullin e 20-të, kur Kolvania prej një vendi të pazhvilluar përparoi dhe u bë superfuqi ekonomike gjysmë industriale.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Kolvania ishte aleate e Gjermanisë naziste dhe kishte një polici të fshehtë ushtarake, të cilës ia kishin frikën edhe oficerët e Hitlerit.
Pas luftës Kolvania përfundoi nën sundimin sovjetik.
Diktatori, të cilin kolvanët e quanin me përkëdhelje “Bu-Bu”, vdiq në vitin 1961 nga vdekja e natyrshme.
Ai u vra.
Kthesa e madhe ndodhi në vitin 1982, kur u rrëzua muri i Lutenblagut, jo për shkak të reformave demokratike të mbajtura një vit më vonë i fitoi një gjeneral, pasi të gjithë kundërkandidatët ishin groposur nga një rrëshqitje dheu.
Në vitin 1989 pasoi kthesa tjetër, në pushtet erdhi Partia e Paqes e cila menjëherë pas fitores i shpalli luftë Sllovakisë dhe Polonisë. Ballafaqimi u shmang shpejt përmes një marrëveshjeje armëpushimi, por, pfat të keq, Kolvania u fundos në një fazë të rënies ekonomike, e cila u shoqërua me një grevë 13-vjeçare.
Arsyeja e grevës: punëtorët nuk pranonin t’u shkurtohej rroga gjatë pushimeve!
Në vitin 1997 Kolvania paraqiti kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), por deri tani vendi s’është pranuar për shkak se ka refuzuar ardhjen e inspektorëve për të kërkuar armët biologjike.
Sot Kolvania është një vend i kontrasteve: nga njëra anë është anëtare provizore e NATO-s, nga ana tjetër aty ende nuk dënohet djegia e shtrigave.
Shëndetësia dhe arsimi janë në gjendje të rëndë; ndërkohë Qeveria e Kolvanisë financon nga buxheti shtetëror tetë kanale televizive. Të gjitha këto e bëjnë Kolvaninë një vend me sharm të pakrahasueshëm.
Numri i vizitorëve nga vendet perëndimore po shtohet çdo muaj. Philipp Miseree është njëri prej vizitorëve.
Ai shkruan: “Është qesharake kur turistët ankohen për vjedhësit apo kanë frikë se mund të plaçkiten nëse qëndrojnë nëpër lagje të caktuara të qytetit.
Për mua të jesh viktimë e një plaçkitjeje të vockël është gjithsesi pjesë e përjetimit të përgjithshëm të udhëtimit.
Njëherë, në dhomën e një hoteli të mjerueshëm në Lutengblag, kur u zgjova zbulova se hajdutët më kishin vjedhur kuletën, kamerën dhe një veshkë.
Ishte një udhëtim që s’do ta harroj kurrë”.
Një shënim me rëndësi për homoseksualët nga guida e Kolvanisë: Homoseksualët janë të mirëpritur, por duhet të kenë kujdes të mos bien në sy!
Burrat kolvanë janë konservatorë, por vitet e fundit kanë bërë përparime dhe në shumë pjesë të vendit nuk parashihet më mbajtja e detyrueshme e mustaqeve.
Në vitin 60-të të erës së re historiani romak Tacitus i përshkruante kështu kolvanët: “Parë nga jashtë janë shumë të vegjël dhe të ngrysur, pa prirje për punë të rëndë apo krijime artistike. Vërtet do të duhej të udhëtohej shumë nëpër Perandori për të gjetur një fis më grindavec, më të pasjellshëm, më të ndyrë të gjahtarëve dhe koleksionistëve…
“Edhe sot kolvanët nuk kanë ndryshuar shumë.
Ata janë të ashpër, flasin me zë të lartë.
Një tipar i pazbuluar i karakterit të tyre është humori tipik dhe i përzemërt sllav. Barcoleta më e famshme kolvane është kjo: “Një burrë për gjah, ecën nëpër mal dhe gjen një arkë me monedha ari.
Këto mbase i takojnë një njeriu të pasur, mendon ai dhe vendos të presë kthimin e pronarit për t’ia plaçkitur këtë pasuri”.
Sa i përket monedhës zyrtare: ajo quhet strubl. Në kohëra lufte dhe gjatë krizave ekonomike shpesh si mjet pagese pranohet edhe hudhra. Si të shkohet në Kolvani?
Me aeroplan! Kompania ajrore Aeromolv është shumë e njohur.
Në vitin 2000 shtypi ndërkombëtar kishte raportuar gjerësisht për një grevë të pilotëve kolvanë, të cilët protestonin kundër qëllimit të Qeverisë për t’iu ndaluar konsumimin e alkoolit në dy orët e fundit para fluturimit. Edhe një këshillë: në rast se një familje kolvane ju fton për vizitë, është zakon të sillni ndonjë dhuratë, psh lule, pemë, revole ose për fëmijë, cigare.
Për herë të parë guida për Kolvaninë u botua në vitin 2003 në Australi (Kolvania. A Land Untouched By Modern Denistry”), një vit më vonë në Angli dhe Itali.
Këtë vit shtëpia botuese Heyne ka nxjerrë botimin gjermanisht (madje librin e gjen dhe në faqen e internetit www.molwanien.de.).
Një faqe tjetër po ashtu për Kolvaninë është kjo: www.jetlagtravel.com/Kolvania. Çfarë do të ishte Kolvania sikur të mos kishte edhe një poet (poeta laureatus) me emrin: K.J.Bcekjecmec, i cili kishte përshëndetur me këto vargje të parimueshme vizitorët e Kolvanisë në vitin 1920:
“Eja të pimë nga një raki
Të urojmë njëri-tjetrin
Të mallkoj ty dhe familjen tënde
Përjetësisht!”
Autorit të këtij teksti s’i mbetet tjetër përveçse nga Lutenblagu, pra nga kryeqyteti i Kolvanisë, të shpresoj se ka arritur të entuziazmojë lexuesit për të vizituar këtë vend, ku lopët – si pasojë e një eksperimenti gjenetik – kanë dy këmbë.
Komenti cinik i kolvanëve: lopët tona është vështirë t’i mjelësh, por e lehtë t’i ruash!
