Themelohet dega e FRESSH-it në Britaninë e Madhe

anazapta

Të rinjtë e Forumit Rinor Euro-Socialist të Shqipërisë do të kenë degën e tyre në Britaninë e Madhe, si një mundësi e jashtëzakonshme që u krijohet të gjithë të rinjve shqipfolës në Mbretërinë e Bashkuar për t’u bërë pjesë e një grupimi gjithpërfshirës vlerash dhe suksesesh. Këmbimi dhe bashkëpunimi ndërmjet rinisë Euro-Socialiste dhe asaj Laburiste janë mundësi të vyera, të cilat mundësojnë ndërtimin dhe forcimin e urave të bashkëpunimit, jo vetëm në rrafshin ideologjik e professional, por edhe në atë social kulturor.

Më 11 Nëntor 2013 u organizua aktiviteti i parë i degës së Forumit Rinor Euro-Socialist Shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, ku shprehën mbështetje të gjerë nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre të rinj e të reja nga të gjitha grupet sociale e profesionale, të përkushtuar për të ofruar kontributin e pa kushtëzuar ndaj kësaj nisme. Ftesa e hapur i’u drejtua të gjithë atyre të rinjve të cilëve nuk u mungonte dëshira për t’u bërë pjesë aktive e kësaj organizate me profil të majtë politik, duke i ofruar kështu një vlerë të shtuar komunitetit shqipfolës në MB dhe rrjedhimisht shoqërisë britanike në të gjithë kompleksitetin e vet.

Takimi u hap nga z. Elson Bajrakurtaj, i cili luajti një rol të rëndësishëm në realizimin e kësaj nisme kaq të dobishme për forcimin e rolit politik të degës së Partisë Socialiste në Mbretërinë e Bashkuar. Në funksionin e kryetarit të grupit nismëtar të degës së FRESSH-it në MB, ai falenderoi pjesëmarrësit dhe radhiti shkurtimisht qëllimet thelbësore të forumit:

1. Socializimi i rinisë shqipfolëse duke shkëmbyer eksperienca pozitive dhe forcimi i ideve dhe ambicjeve të tyre.

2. Angazhimi politik si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu dhe në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trojet ku banojnë shqiptarë.

3. Promovimi i vlerave historike, kulturore dhe turistike të kombit Shqiptar, duke i vlerësuar të rinjtë si ambasadorët më të mirë.

Më pas ai i’u përgjigj pyetjeve nga pjesëmarrës të ndryshëm, duke i dhënë eventit formën e një forumi të hapur ku çdo i ri mund të shprehë lirshëm mendimin e tij.

Krijimi i degës u përshëndet nga kryetari i degës së Partisë Socialiste Shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, z. Lavdrim Krashi. Ai ndau me të pranishmit emocione te kohës së vështirë kur u themelua FRESSH-i në Tiranë me nismën e 6 studentëve, pjesë e të cilës ishte edhe ai vetë. Z. Krashi gjithashtu nxiti të rinjtë pjesëmarrës ta shohin këtë nismë si një mundësi që u ofrohet atyre për të shpalosur ambiciet personale në nivelin politk, dhe jovetëm,  duke vënë në dukje faktin se kontributi i tyre i vyer do të jetë i mirpëritur nga qeverisja socialiste në një trajektore konstante.

Në këtë takim mori pjesë edhe z. Alastair Campbell, këshilltari për Marrëdhëniet me Publikun i ish Kryeministrit Britanik dhe mikut të madh të shqiptarëve, z. Tony Blair. Ai shprehu urimet e rastit dhe njohu të rinjtë e FRESSH-it në MB me librin e tij të fundit “The Irish Diaries (1994-2003)”.

Interes për  të mbështetur FRESSH-in në MB kanë shprehur edhe të rinj Laburistë, të cilët do të jenë të pranishëm në aktivitetet e radhës dhe janë më se të gatshëm të hapin dyert e strukturave të tyre rinore të Partisë Laburiste për të rinjtë e FRESSH MB.

Përveç dimensionit social-politik, kjo nismë, e para ne llojin e vet, ishte një tregues i fortë për gjallërimin e energjive rinore në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat përbëjnë perspektivën embrionale të një komuniteti në konsolidim e sipër. Ky forum, inkurajon të rinjtë për të patur një vizion largpamës, duke stimuluar procesin e reaksionit zinxhir në luajtjen e një roli kyç për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, dhe veçanërisht komunitetit shqipfolës në Mbretërinë e Bashkuar. Këta të rinj mbajnë mbi supe një histori suksesi me vete, të cilat duke qëndruar së bashku nën profilin e FRESSH përbëjnë një ikonë krenarie, në mozaikun e gjerë të vlerave gjithëpërfshirëse të së majtës, por edhe të shqiptarëve me banim në Britaninë e Madhe.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *