Një gomone pesë metra e gjatë, dy skafistë të arrestuar dhe një ton marijuanë e sekuestruar, me vlerë mbi 1 milionë euro. Ky është bilanci i operacionit të kryer në zonën e Meledugno, në skajin jugor të Puglias. Dy skafistët u kapën pas një operacioni, që angazhoi mjete detare dhe ajrore, si dhe patrulla këmbësorësh në breg. Duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, skafistët udhëtonin pa drita dhe kanë kryer disa manovra për t’u afruar në breg, por u ndaluan nga rojet financiare, që në det. Në gomone u gjetën 370 kg lëndë narkotike, ndërsa gjatë ditës, nga ujërat përreth vendit të ngjarjes, u nxorën edhe pako të tjera, me një peshë prej 610 kilogramësh. Nuk dihet nëse marijuana e gjetur në det ishte pjesë e së njëjtës ngarkesë, apo ishte hedhur nga ndonjë mjet tjetër lundrues, që nuk është kapur dot. Përveç marrjes në pyetje të dy shtetasve shqiptarë, 42 dhe 20 vjeç, po punohet për të zbuluar bashkëpunëtorët dhe destinacionin.
