Stadiumi “Ruzhdi Bizhuta” në Elbasan do të jetë skenë e një përballjeje luksi për kombëtaren U-21, e cila do të presë Spanjën, kampione e Evropës. Kundërshtarët janë favoritë të padiskutueshëm, por kuqezinjtë vijnë në sfidën e sotme me moral të ngritur në maksimum, pas fitores së arritur në Hungari, me gola të Shkurtajt e Shalës. Një sukses i papritur, që ndërpreu serinë negative me pesë humbje radhazi dhe tani të gjithë janë më të çliruar psikologjikisht. Për autorin e golit të dytë ndaj Hungarisë, Herolind Shala, përfaqësimi i ngjyrave kuqezi është një emocion më vete, ndërsa qendërmbrojtësi Valentin Gjokaj pret me padurim në ndeshjet e ardhshme, pa menduar gjatë për kombëtaren A. Përpara është sfida me skuadrën dy herë radhazi kampione e Evropës për këtë moshë, e cila regjistron vetëm fitore në pesë ndeshjet e para. Një emocion i jashtëzakonshëm ndaj “La Rojitas” por dhe një detyrim për të evituar një tjetër paraqitje zhgënjyese si ajo e 9 shtatorit në Logrones të Spanjës, edhe pse përballë janë futbollistë që luajnë me Real Madrid apo Barcelonën. Një nga lojtarët kryesorë të kombëtares së 21-vjeçarëve është qendërmbrojtësi Elvis Premçi, i cili shpreson që aktivizimi me kuqezinjtë e vegjël të shërbejë te të gjithë futbollistët që aktivizohen në kampionat për të fituar vëmendjen e duhur edhe nga trajnerët në skuadrat e tyre.
Grupi 4
Poz. Skuadra N F B H Gol. Pikë
1 Spanja 5 5 0 0 20:5 15
2 Austria 4 3 0 1 7:6 9
3 Bosnja 6 2 0 4 9:16 6
3 Hungaria 5 2 0 3 6:7 6
5 Shqipëria 6 1 0 5 4:12 3
Euro U-21
Shqipëri-Spanjë
Sot, ora 14:00
Stadiumi “Ruzhdi Bizhuta”
Elbasan
