(Letër Dr. Isuf Kalos, autorit të librit “Blloku”)
Pikësëpari ju kërkoj falje për vonesën atë ditë në takim. Ngaqë unë nuk e dija ku gjendej Medreseja, taksisti më shëtiti sa deshi nëpër Tiranë dhe mua edhe pas kaq ditësh nuk më hiqet nga mendja dora juaj e ftohtë nga pritja e gjatë jashtë, në rrugë, ndërkohë që nga njohja e paktë që kemi bashkë dhe sidomos nga libri juaj shoh se ju i keni jo vetëm duart, por edhe zemrën të ngrohtë!
Pra, edhe një herë ndjesë për vonesën dhe ju falemnderit për librin që më dhatë me dedikim.
Kam pasë lexuar pjesë të këtij libri qysh në muajt e verës te gazeta “Dita” dhe në median tjetër shqiptare (edhe disa nga reagimet për librin), por, siç ndodh zakonisht, përshtypja është tjetër, më e plotë, kur librin e ke në dorë dhe e lexon në tërësi, duke filluar qoftë edhe nga fundi a mesi i tij, siç më ndodhi mua me librin tuaj intrigues: “Blloku. Rrëfimi i mjekut personal të Enver Hoxhës”.
Kam kujtuar se di mjaft për Shqipërinë, për njerëzit që e drejtuan atë për gati gjysmë shekulli, por nga libri juaj mësova shumë gjëra të reja: fakte, ngjarje, veprime, rrethana e situata, që ju i paraqitni në mënyrë të hollësishme në librin tuaj të vëllimshëm prej afro gjashtëqind faqesh. Përshtypja ime e parë është se ky libër, i cili zgjoi me të drejtë interesimin e publikut shqiptar, është shkruar me ndershmëri e sinqeritet të lakmueshëm, madje edhe të rrallë në mjedisin shqiptar. Ndryshe nga shumë intelektualë të tjerë, përfshirë edhe disa shkrimtarë e publicistë me nam, ju nuk bëni përpjekje të tregoheni ndryshe nga ç’keni qenë, njeri i besueshëm i sistemit: mjek personal i Enver Hoxhës, për shëndetin e të cilit jeni kujdesur rreth 15 vjet. Ajo që e bën edhe më interesant librin tuaj, përveç ndershmërisë dhe sinqeritetit, është shkathtësia e rrëfimit, invencioni në përshkrimin e ngjarjeve dhe aftësia e analizës me karakter shoqëror, politik e, deri diku, edhe filozofik, e pazakonshme për një mjek. “Blloku” juaj, së paku për ne lexuesit këndej kufirit, hedh dritë mbi shumë ngjarje e personazhe të panjohura a pak të njohura ose edhe të paraqitura shtrembër në artikuj, libra e intervista të shumta, që mbushin tash sa vjet, për çdo ditë, faqet e shtypit, të portaleve të panumërta dhe të mediave të tjera.
Nëse duam ta përmbledhim me dy fjalë përmbajtjen e librit tuaj, thelbin e tij, atëherë do të mund të thoshim se “Blloku” juaj është dëshmi autentike e një mjedisi: e lagjes në të cilën jetonte udhëheqja e lartë e shtetit shqiptar dhe, nëpërmjet saj, edhe e një kohe: periudhës së sundimit komunist në Shqipëri.
Është evident fakti se libri juaj i kundërvihet paraqitjes bardhë e zi të ngjarjeve dhe njerëzve, protagonistëve të kohës, dukuri aq e përhapur në botën shqiptare dhe ballkanike në përgjithësi. Njerëzit për të cilët flisni ju, banorët e “Bllokut”, nuk janë kriminelë ordinerë, por as heronj legjendarë.
Duke qenë mjek personal i diktatorit shqiptar, Enver Hoxhës, pra njeri që ka hyrë e ka dalë në shtëpinë ku ka jetuar ai dhe familjarët e tij, ju e keni krijuar Enverin “tuaj”: njeriun që drejton me dorë të hekurt shtetin dhe partinë (partinë-shtet), pa bërë asnjë lëshim e kompromis, diktator sui generis, por edhe bashkëshort, prind, gjysh, që do të thotë njeri e jo përbindësh. (Enveri “juaj” është njeri që ka nostalgji për qytetin ku lindi dhe u rrit, Gjirokastrën dhe që kur e sheh se i afrohet fundi bën një shëtitje “incognito” në rrugët e Tiranës, ndërsa në fotografitë e vëna në fund të librit, sidomos në disa sosh, shihet një përzemërsi e madhe e “Udhëheqësit” ndaj mjekut të tij të ri në moshë, por të aftë e të përkushtuar në profesionin e tij).
Nga libri juaj shihet qartësi ka funksionuar mekanizmi i pushtetit në Shqipërinë komuniste. Lufta për pushtet, një luftë e ashpër dhe e përgjakshme, është tipari kryesor i atij mekanizmi. Është e tmerrshme të shihet se si krerët e shtetit denoncojnë njëri-tjetrin për “veprimtari armiqësore”, për të rënë pastaj edhe vetë në pozitën e të denoncuarit. (Shembull eklatant është ai i dy ushtarakëve të lartë, Petrit Dume e Hito Çako, me ministrin e mbrojtjes, Beqir Ballukun, por edhe i Kadri Hazbiut me Mehmet Shehun. Dhe jo vetëm ata. Vetëm Zeusi është i pagabueshëm dhe e thotë fjalën e fundit: dënim me vdekje dhe pushkatim ose vetëvrasje e imponuar, si në rastin e Mehmet Shehut).
Si shpjegohet gjithë ajo egërsi e Enver Hoxhës dhe regjimit që krijoi ai? Gjithë ato vrasje, pushkatime, burgosje, internime… Arsyet janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme, sigurisht, por një shpjegim interesant gjejmë te shkrimtari çek Milan Kundera, i cili, në një nga romanet e tij, thotë: “Regjimet kriminale nuk janë krijuar nga kriminelë, por nga entuziastë që besonin se kishin gjetur rrugën për në parajsë”.
A thua vërtet besonte “shoku Enver” dhe shokët e tjerë, besnikë të tij, se me atë mënyrë qeverisjeje, me dhunë e frikë, me izolim e mbyllje, me parulla e bunkerë, do ta çonte Shqipërinë në “parajsën komuniste”? Ne që nuk e kemi njohur nga afër nuk mund ta dimë këtë, por e dimë se deri në fund të jetës ai nuk hoqi dorë nga politika e tij rigjide “marksiste-leniniste”, në të vërtetë staliniste, si dhe nga pretendimi megaloman se Shqipëria ishte “i vetmi vend socialist në botë”, që s’ishte veçse një floskulë propagandistike!
Shtrohet pyetja: si dhe pse e duroi aq gjatë populli shqiptar regjimin shtypës në krye të të cilit gjendej njeriu për shëndetin e të cilit kujdesej autori i këtij libri dhe kolegët e tij, që u qe besuar kjo detyrë dhe të cilën ata e ushtruan konform betimit të Hipokratit? Në një nga kapitujt e librit, në atë me titull “Bindje pa rezistencë”, ju i jepni përgjigje kësaj pyetjeje. Jeta në Shqipëri ishte e vështirë, por ajo kishte edhe anët e saj të mira, normale, njerëzore, në mos edhe të bukura.
Ndërtimi i hidrocentraleve, i fabrikave, kombinateve, shkollave, universitetit; zhvillimi i arsimit, kulturës, shkencës; zhdukja e analfabetizmit, emancipimi i gruas etj. është njëra anë e medaljes, kurse tjetra cenimi i të drejtave të njeriut, mungesa e lirisë, sistemi i përgjimit dhe i frikës, dyqanet bosh, mungesa e ushqimit dhe veshmbathjes; vështirësitë ekonomike, që erdhën duke u theksuar sidomos pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, kur parullë e ditës në Shqipëri u bë “ndërtimi i socializmit me forcat e veta” dhe i ashtuquajturi “revolucionarizim i jetës”, që përfundoi me kolaps.
Vdekja e Enver Hoxhës – një moment që zgjon kureshtjen e lexuesit – është dhënë në mënyrë plastike, me vërtetësi e dinjitet, por mungon, qoftë edhe me një fjali të vetme, refleksioni se atë ditë, më 11 prill 1985, diktatori shqiptar shkonte në mënyrë të natyrshme, pra nga sëmundja, aty ku i kishte dërguar para kohe, me a pa faj, dhjetëra shokë dhe bashkëpunëtorë të vet, pa llogaritur edhe mijëra njerëz të thjeshtë.
Ndryshe nga ç’mund të presë lexuesi nga një libër që flet për “Bllokun”, shkruar nga “mjeku personal i Enver Hoxhës”, libri juaj më shumë se për Enverin flet për “trashëgimtarin e tij”, Ramiz Alinë, aq sa rrëfimi juaj nis e sos me të.
Përshtypja ime, Doktor Isuf, është se njeriu më i kritikuar në librin tuaj nuk është diktatori shqiptar, Enver Hoxha (pacienti juaj), e as bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e tij e ngushtë, Nexhmije Xhuglini-Hoxha, madje as Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, dy nga njerëzit më të egër të regjimit, që përfunduan edhe vetë, njëri me vetëvrasje, kurse tjetri me pushkatim, por “i urti dhe i buti” Ramiz Alia! Edhe për nga numri i faqeve figura e këtij të fundit zë vend më shumë se të sipërpërmendurit, ndoshta me përjashtim të Nexhmijes, ndaj së cilës tregoheni shumë më dashamirës. (“Zonja e zezë” te ju nuk është edhe aq “e zezë” dhe as “Ledi Makbeth”, si te disa të tjerë!).
Biografi i Stalinit, Isak Dojçeri (Isaac Deutscher), thotë për njërin nga të mbijetuarit e “çistkave” të shumta të Xhugashvilitse dinte të ecte mes pikave të shiut pa u lagur. I tillë del, pak a shumë, edhe Ramiz Alia në librin tuaj.
Ramizi del “dredharak dhe hileqar” edhe në raport me intelektualët (në takimin e gushtit 1990, ku elita intelektuale shqiptare në krye me më të njohurin ndër ta, Ismail Kadarenë, u tregua tejet frikacake); edhe në raport me studentët (dhjetor 1990), edhe në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, ku ai humbi në garë me një person anonim; edhe gjatë eksodit të marsit 1991 kur anijet u mbushën me refugjatë; edhe kur rrëzohet shtatorja e Enverit në sheshin “Skënderbej”, edhe kur u burgos Nexhmije Hoxha dhe u gjykua për “kafet e shumta”, e edhe në shumë raste të tjera. Vetëm për burgosjen e vet dhe trazirat e ’97-s, që rrënuan shtetin dhe institucionet e tij, nuk fajësohet ai, por as nuk përmendet fajtori i vërtetë: pasardhësi i tij në krye të shtetit shqiptar, Sali Berisha.
Më vjen keq që më duhet t’ju them, i nderuar doktor Kalo, por ju i keni bërë një autopsi të plotë Ramiz Alisë, ndërsa kolegun tuaj Sali Berisha, i cili hoqi dorë nga profesioni i mjekut për hir të pushtetit, nuk e keni prekur as me majën e skalpelit.
E kuptoj solidaritetin kolegial, por jo deri në atë masë sa të heshten gabimet politike, që çuan në prag të zhbërjes së Shqipërisë si shtet. Ç’të thuhet pastaj për poshtërimin e kundërshtarëve politikë si pjesë e luftës për pushtet nëpërmjet dhunës verbale, por jo rrallë edhe fizike?! Ka që thonë se i jeni frikësuar sulmit të furishëm të “Doktorit”, gjuhës dhe fjalorit të pistë që përdor ai pa pushim tash tridhjetë vjet, prej se është në skenën politike shqiptare. (Bëmat e Sali Berishës në këtë plan janë të panumërta, por mjafton të përmendim faktin se pas ngjarjeve të 21 janarit, kur u vranë katër qytetarë të pafajshëm midis bulevardit, arriti deri aty sa ta quante presidentin e vendit, Bamir Topin, që e kishte zgjedhur vetë në atë post, “horri i bulevardit”, kurse kryeprokuroren e shtetit, Ina Ramën, “lavirja e bulevardit”, për të vetmen arsye pse nuk mendonin njësoj si ai për atë ngjarje!).
Ka të drejtë Mentor Nazarko kur thotë se ju “i keni dhënë kredite të pamerituara Berishës, i cili mund të ishte një nga kritikët më të fortë të librit në qoftë se nuk do të përmendej me nota pozitive”. (Kështu shpjegohet edhe pjesëmarrja e tij në promovimin e librit tuaj në UET).
Edhe dy fjalë për “kryepersonazhin”e librit tuaj, Gebelsin apo Gorbaçovin shqiptar, Ramiz Alia.
Nuk e kam njohur personalisht Ramiz Alinë, nuk e kam takuar kurrë në jetë, sikundër as të tjerët, por kam folur një herë në telefon me të krejt rastësisht dhe kjo ka ndodhur pikërisht në verë të vitit 2009, kur ish-presidenti Alia kishte ardhur për ngushëllime te një familje në Kosovë, në një fshat të Deçanit, te një miku i tij ish-i burgosur politik (Nasim Haradinaj), të cilit ato ditë i kishte vdekur babai. Më kujtohet se unë e mora në telefon mikun tim, këngëtarin e njohur Ilir Shaqiri, i cili qëlloi në odën e Haradinajve dhe Iliri sakaq, pa dijen dhe pëlqimin tim, më lidhi me mysafirin e nderuar, ish-shefin e partisë dhe të shtetit shqiptar, “shokun Ramiz Alia”. Edhe pse shkëmbyem vetëm disa fjalë të zakonshme që shqiptohen në këso rastesh, përshtypja që më la ishte ajo e një njeriu të përzemërt dhe modest, veti këto që i stolisin rrallë pushtetarët shqiptarë, qofshin edhe ish-pushtetarë. Tani, nga libri juaj mësoj se ky njeri, përveçse dinak dhe hileqar, paskësh qenë edhe mosmirënjohës. (I tillë qenkësh treguar ndaj familjes nga fshati juaj i lindjes, që e paskësh strehuar më se një muaj në vitin 1997!). Nuk e kuptoj se si i njëjti njeri kishte marrë mundimin të vinte për ngushëllime në Gllogjan, por jo të shkonte edhe në Luzat!
I nderuar Doktor Isuf,
Sa i përket rolit të Ramiz Alisë në kalimin nga një sistem në tjetrin, po citoj një funksionar të lartë jugosllav, të nivelit federativ, Velko Milatoviqin (me kombësi malazeze), i cili, në gazetën opozitare beogradase, “Naša borba”, pati thënë tekstualisht (po e citoj fillimisht në origjinal, serbisht dhe pastaj në përkthim shqip): “Ramiz Alija je zaslužniji od Sali Beriše za demokratske procese u Albaniji. On je našao ključ kako da preda vlast. Mi taj ključ jos nismo našli”. (Ramiz Alia është më i merituar se Sali Berisha për proceset demokratike në Shqipëri. Ai e gjeti çelësin si ta dorëzojë pushtetin. Ne atë çelës nuk e kemi gjetur ende).
Nuk e mbaj mend datën e saktë kur e kam lexuar këtë deklaratë, që më është ngulitur në kujtesë, por e di se ka qenë viti 1992, kur në Shqipëri, pas zgjedhjeve të 22 marsit, pati ardhur në pushtet Partia Demokratike, kurse Jugosllavia ishte në prag të shpërbërjes së saj si shtet dhe në prag të luftërave të përgjakshme që do të zhvillohen si pasojë e hegjemonizmit serbomadh.
S’do mend se Ramiz Alia ka gabimet e veta politike, por atij nuk mund t’i mvishen edhe fajet e të tjerëve!
Përse nuk përmendet mashtrimi i madh që iu bë popullit shqiptar me “çekun e bardhë” pas vizitës së sekretarit shtetëror të SHBA-ve, Xhejms Bejker, në Shqipëri, në qershor të vitit 1992?
Pas këtij mashtrimi kapital filloi rrënimi i gjithçkaje që qe ndërtuar në të kaluarën nga militantët e PD-së, në mesin e të cilëve kishte jo pak njerëz që deri dje i kishin duartrokitur diktaturës dhe diktatorit. Ndodhte, madje, që ata ishin më të zellshmit në turrin rrënues ndaj gjithçkaje që cilësohej, me e pa të drejtë, si “e kuqe”, “komuniste”, “puniste”, përfshirë edhe tarracat me pemë dhe arat me shalqinj! Demokracia në Shqipëri, pas daljes në skenë të Partisë Demokratike dhe instalimit të dr. Sali Berishës në krye të saj dhe të shtetit “demokratik” shqiptar, u reduktua në antikomunizëm, ndërkohë që ajo është në radhë të parë punë, rend, ligj, kulturë dhe përgjegjësi.
Mësoj se e keni përjetuar rëndë ngjarjen, sipas jush “të inskenuar”, të datës 20 shkurt 1991: rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë dhe se, siç thoni vetë, të nesërmen “e keni dorëzuar teserën e partisë”. Edhe ne këndej, shumica prej nesh, e kemi përjetuar rëndë këtë ngjarje, por për arsye të tjera, të cilat unë jam përpjekur t’i artikuloj në një poezi të shkruar ato ditë: “Rënia e Enver Hoxhës”, për telashet e botimit të së cilës dhe komentet rreth saj kam folur te libri “Magjia e ligjërimit”.
Ju citoni disa herë, për të mos thënë shpesh, një libër të ish-të burgosurit politik Januz Januzaj (intervistë me presidentin Alia), por jo edhe librin “Unë, Ramiz Alia, dëshmoj për historinë” të dy gazetarëve kosovarë, Llukman Halili dhe Blerim Shala (botim i vitit 1992), për të cilin duket nuk keni informacion.
Sa i përket 2 korrikut të vitit 1990, pjesa që i referohet Kosovës ka nevojë për riformulim e saktësim. Pasi flisni për hyrjen e një numri të madh shqiptarësh në ambasadat e huaja në Tiranë (sipas jush rreth 5300 veta), ju shkruani: “si një kundërhelm i asaj ngjarjeje (…) mbi 140 delegatë të zgjedhur nga populli kosovar (numri nuk është i saktë, fjala është për gjithsej 111 delegatë- A. V.) në Kaçanik shpallën unanimisht po atë ditë, Kosovën Republikë” (f. 390).
Fjala është për dy ngjarje, që zhvillohen në dy qytete të Kosovës dhe që kanë ndërmjet një distancë kohore më se dymujore: e para, shpallja e Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik në Prishtinë dhe, e dyta, miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator në Kaçanik. Më 2 korrik delegatët shqiptarë shpallën Deklaratën e tyre para dyerve të Kuvendit, sepse kryetari serb i tij, Bozhoviq, ua pati mbyllur dyert e sallës, kurse më 7 shtator, pas miratimit gjysmilegal të Kushtetutës, u larguan nga Kosova nga frika e persekutimit prej pushtetit serb.
Si edhe për shumë njerëz të tjerë, besoj, për mua është enigmë: si dhe përse ndodhi që pikërisht në ditën kur delegatët e Kosovës proklamuan një dokument të rëndësishëm për ardhmërinë e saj, mijëra shtetas të Shqipërisë ua mësynë ambasadave të huaja në Tiranë? Përse pikërisht atë ditë, më 2 korrik, e jo një ditë më parë a një ditë më vonë?! Vështirë të besohet se kjo ishte një rastësi!
Intuita më thotë, por edhe logjika, se në këtë punë duhet të kenë pasur dorë shërbimet jugosllave, të cilat ishin të interesuara ta eklipsonin Deklaratën e 2 korrikut për Kosovën si njësi e barabartë e kon/federatës jugosllave, pra si Republikë, edhe pse kjo fjalë nuk përmendej taksativisht në tekstin e asaj deklarate. Vërshimi i mijëra njerëzve, shtetas të Shqipërisë, në ambasadat e huaja në Tiranë, ishte mënyra më e mirë për ta larguar vëmendjen e opinionit, sidomos të atij ndërkombëtar, nga akti kurajoz i Kosovës, e cila vuante nën regjimin e Millosheviqit, që e kishte zhveshur atë nga çdo ingerencë “shtetërore” me ndryshimet kushtetuese të para një viti.
Ndryshe nga shumë të tjerë, ju keni kurajë dhe ndershmëri intelektuale të pohoni më se një herë në libër se jeni njëri nga njerëzit që keni përfituar nga sistemi i kaluar dhe kjo ju nderon si njeri. Guximi dhe çiltërsia juaj arrin deri aty sa të shkruani se po të kishte pasur në Shqipëri hakmarrje të të persekutuarve ndaj nomenklaturës dhe njerëzve që i kanë shërbyer asaj, ju do të mund të ishit një nga viktimat, ashtu siç ndodhi me mjekun e carit rus Nikollaj II, i cili u ekzekutua pa pikë faji pas Revolucionit.
Më ka mahnitur kultura juaj e përgjithshme, njohuritë shkencore jo vetëm nga mjekësia, që është fusha juaj e specializimit (dijabetika), por edhe nga shkencat e tjera, ashtu sikurse edhe shijet dhe erudicioni juaj letrar. Stili i të shkruarit gjithashtu. Në librin tuaj ka pasuse që do t’ua kishin lakmi edhe shkrimtarët më të mirë.
Duke qenë dëshmitar i jetës në Bllok, por edhe jashtë tij, ju jeni bërë dëshmitar edhe i një epoke. Do thënë se fjala është për një dëshmi të dorës së parë, jo vetëm autentike, por edhe elokuente.
Në listën e gjatë të njerëzve që ju falënderoni në fund të librit, nuk ka asnjë nga Kosova. Po të kishte, qoftë edhe një të vetëm, do të shmangej ngatërrimi i 2 korrikut, sikurse edhe ndonjë pohim tjetër lidhur me Kosovën dhe njerëzit e saj.
Një tregues emrash në fund të librit do ta bënte më të lehtë leximin dhe sidomos rileximin e veprës, por për këtë “lëshim” më shumë se ju si autor mund të fajësohet botuesi i librit, UETPRESS-i.
E nisa për shkurt, por më doli e gjatë kjo letër dr. Isuf, si duket nën përshtypjen e drejtpërdrejtë të leximit të librit tuaj, të këtij libri të shkëlqyeshëm, të shkruar me dije, kulturë e ndershmëri, i cili, siç thotë sociologu Fatos Tarifa, “duhet lexuar nga kushdo”.
Sa i përket mundësisë së paraqitjes së librit tuaj në Prishtinë, kam folur me kryetarin e Shoqatës së Ish-të Burgosurve Politikë të Kosovës, z. Hydajet Hyseni, por ende nuk kam marrë përgjigje prej tij.
Miqësisht dhe me urimet më të mira për Ju, i nderuar Profesor,
Agim Vinca
Prishtinë, 30 janar 2020
