Shqipëria dhe tërmetet, një propozim për hartën e re sizmike

J L

Aktiviteti sizmik ka përfshirë vendin dhe kjo duket tashmë qartë.

Periudha afro 30-vjeçare e qetësisë nga lëkundjet sizmike “përgjumi” institucionet përgjegjëse për përditësimin e hartës sizmike të Shqipërisë, mbi të cilën janë bazuar dhe ndërtimet e deritanishme.

Kjo hartë miratohet për zbatim vetëm me vendim Qeverie.

Harta sizmike është thelbësore jo vetëm për të kuptuar procesin dhe historikun e lëkundjeve të tokës, por shërben edhe si element bazë për ndërtimet e reja.

Por çfarë duhet të bëjë qeveria dhe institucionet në kushtet e reja që ndodhet vendi pas tërmetit dëmtues të 26 Nëntorit?

Hapi i parë është pikërisht përditësimi i hartës së rrezikut sizmik.

Aktualisht, teksa vende të tjera e përditësojnë këtë hartë çdo 5-6 vjet, Shqipëria prej 40 vjetësh vijon të ndërtojë me hartën e rrezikut sizmik të vitit 1979.

Duhen të paktën dy vjet për të ndërtuar hartën e re të rrezikut sizmik.

Prof. Dr. Neki Kuka, që shtë marrë me përmirësimin e hartave të rrezikut sizmik në Ballkanin JugPerëndimor, ka paraqitur një projekt-propozim për përpilimin e hartave kombëtare të rrezikut sizmik në pajtueshmëri me kërkesat e Eurokodit 8.

Sipas propozimit të profesor Kukës, hartat e përpiluara nga projektet BSHAP (2007-2011) dhe BSHAP2 (2013-2015), të finanuara nga NATO, për harmonizimin dhe përmirësimin e hartave të rrezikut sizmik për Ballkanin JugPerëndimor, “janë një bazë e mirë për të karakterizuar rrezikun sizmik të rajonit, por ata kanë karakter rajonal dhe nuk mund të zëvendësojnë hartat kombëtare të rrezikut sizmik, të cilat kërkojnë një shkallë më të lartë detajimi”.

Prandaj lind nevoja e përpilimit të hartave kombëtare të rrezikut sizmik, që do të shërbenin dhe si bazë për implementimin e standardit të Eurokodit 8, që fatkeqësisht në vendin tonë nuk është ende i detyrueshëm.

Në propozimin e profesor Kukës thuhet:

Përpilimi i hartave kombëtare të rrezikut sizmik, të cilat do të shërbenin si bazë për implementimin e standardit të EC8 në vendin tonë, do të kërkonte ndërmarrjen e një projekti të plotë me kohëzgjatje të paktën 2-vjeçare, i cili do të përfshinte:

-Hartimin e një katalogu homogjen e të unifikuar tërmetesh në termat e magnitudës së momentit, MW, që përfshin të gjitha tërmetet me magnitudë MW ≥ 3.5 që kanë rënë brenda territorit të vendit tonë, si dhe në fqinjësi të tij të paktën 150-200 km larg nesh. Katalogu i ri duhet të përfshijë të gjitha burimet e informacionit që disponohen, jo vetëm në arkivat tona por edhe në ato ndërkombëtare (ISC, EMSC, etj.).

-Rishikimi i zonimit sizmotektonik të vendit dhe të rajonit përreth dhe ndërtimi i bazës përkatëse të të dhënave sizmotektonike.

-Identifikimi dhe karakterizimi numerik i thyerjeve tektonike kryesore që kanë gjeneruar tërmetet e fortë me magnitudë ≥ 6.0, ose në pamundësi të realizimit të kësaj detyre të hartohet një model i përgjithësuar (Composite Fault Model) i cili të sigurojë një përshkrim dhe karakterizim realist të thyerjeve kryesore tektonike brenda vendit tonë dhe në fqinjësi të tij.

-Identifikimi dhe implementimi në kuadrin e një modeli të zgjeruar “logic tree” i modeleve të reja (GMPE) të prognozimit të lëkundjeve të truallit, duke pasuruar bazën e modeleve tashmë të implementuar.

-Përmirësimi i metodologjisë së vlerësimit probabilitar të rrezikut sizmik.

-Implementimi në web i rezultateve të rrezikut sizmik duke ju mundësuar të gjithë përdoruesve brenda dhe jashtë vendit akses të lirë në rezultatet e vlerësimit të rrezikut sizmik; marrja e vlerësimeve të PGA, PGV, SA për çdo shesh ndërtimi, për periudhat e specifikuara të përsëritjes (95, 475, 975, 2475 vjet); ndërtimi “online” i spektrave përkatës me rrezik uniform, shpërbërja e rrezikut sizmik dhe përcaktimi i skenareve tërmetorë që mund të ndikojnë sheshin e studimit dhe strukturën që parashikohet të ndërtohet në këtë shesh.

Realizimi i një projekti të tillë kërkon angazhim serioz të një grupi studiuesish në fushat përkatëse, një periudhë kohore të paktën 2-vjeçare si dhe burimet financiare përkatëse.

 

j.l./ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *