Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ka marrë pjesë në forumin e politikave bujqësore që u mbajt në datat 14-16 Nëntor 2013 në Kopaonik të Serbisë. Ky ishte takimi i shtatë i përvitshëm i Ministrave të Bujqësisë të vendeve të Europës Juglindore, tema kryesore e të cilit ishte bujqësia dhe zhvillimi rural rajonal të këtyre vendeve në proçesin e integrimit Europian.
Ministri Panariti në fjalën e tij prezantoi situatën ekonomike shqiptare, veçanërisht të sektorit të bujqësisë, e cila gjeneron 17.7% të prodhimit të brendshëm. Ministri Panariti u shpreh se Ministria shqiptare e Bujqësisë tashmë ka krijuar institucionet e kërkuara dhe të mbështetura nga BE në kuadrin e IPARD, instrumenti para anëtarësimit. Ai u shpreh se Shqipëria është pranë marrjes së statusit kandidat, por ka ende shumë punë për të bërë, para se të jemi gati për anëtarësimin e plotë në BE. Ai shtoi se fakti që objektiv i përbashkët i vendeve pjesëmarrëse në këtë forum është integrimi në BE, kjo i bën më të interesuara për zhvillimet në sektorin e bujqësisë të secilit vend.
Në fund, u bë edhe ceremonia e firmosjes së Deklaratës të Mbledhjes së 7-të vjetore të Ministrave të bujqësisë të Europës Jug-Lindore, me të cilën konfirmohet mbështetja ndaj proçesit të integrimit europian, vazhdimi i përpjekjeve për të përafruar politikat kombëtare të zhvillimit rural me Politikën e përbashkët për Bujqësinë të BE gjatë 2014-2020. U ra dakord që të bashkëpunohet, të shkembëhen eksperiencat në zbatimin e programeve të IPARD për të maksimalizuar përfitimet nga ky instrument. Gjithashtu u shprehën të angazhuar ndaj parimeve të tregtisë rajonale, të lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve në rajon për përfitimin e gjithë palëve me synim arritjen e qëllimit të përbashkët integrimit në BE. Ministri Panariti zhvilloi me këtë rast dhe një sërë takimesh dypalëshe me homologët e Malit të Zi, Kroacisë, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, etj.
