U-19, Kombëtarja lufton deri në fund, por eliminohet

anazapta

Kombëtarja U-19 barazoi 1-1 me Bullgarinë, çka i shoi ëndrrat për kualifikim në Elite Round të kampionatit evropian të kësaj moshe. Në takimin e fundit në Grupin 6, kuqezinjtë e Foto Starkoshës kishin detyrën e vështirë të fitonin përballë skuadrës vendase, por nuk mund të shkonin më tepër se barazimi, ndërkohë që edhe ndeshja midis Sllovakisë dhe Greqisë, u mbyll në barazim, veçse me nga tre gola për secilën skuadër. Kualifikimi ishte i hapur deri në fund, ndaj edhe skuadrat u treguan të kujdesshme gjatë pjesës së parë, ndërkohë që me fillimin e së dytës ishte Bullgaria që kaloi në epërsi, në minutën e 61-të, kur shënoi Desklalov. 19-vjeçarët e Shqipërisë nuk u dekurajuan dhe u hodhën menjëherë përpara, në kërkim të golit të barazimit. Ai erdhi pas 14 minutash, kur shënoi Prendi, ndërkohë që kishte edhe 15 minuta lojë të rregullt për të kërkuar fitoren. Shanset u rritën katër minuta para fundit, kur bullgari Oraçjen doli me karton të kuq, por përpjekjet e kuqezinjve nuk dhanë rezultat, edhe pse e kërkuan me të gjitha forcat golin që do t’i kalonte në raundin tjetër. Me barazimin e djeshëm, Shqipëria shkon në dy pikë dhe renditet në vendin e fundit, me po aq pikë sa Sllovakia, por me golaverazh më të keq. Gjithsesi, fakti që kuqezinjtë ishin deri në sekondën e fundit në lojë për kualifikim, tregon që paraqitja nuk është aq e keqe sa e tregon renditja. Në tri ndeshjet e luajtura, Shqipëria pësoi një humbje minimale nga Greqia dhe arriti dy barazime 1-1 me dy skuadrat e tjera.

 

 

Euro U-19/ Grupi 6

N Skuadrat      N    F    B    H    Gol. Pikë

1 Greqia        3    1    2    0    5:4  5

2 Bullgaria     3    1    2    0    4:3  5

3 Sllovakia     3    0    2    1    5:6  2

4 Shqipëria     3    0    2    1    2:3  2

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *