Radikulopatia, çfarë është dhe si duhet trajtuar?

Ornela

Dhimbja, mpirja, si dhe ndjesia e shpimit me gjilpëra janë ndër simptomat e zakonshme të sëmundjes së radikulopatisë, e cila ndodh si shkak i shtypjes, apo ngjeshjes së një nervi, pikërisht në vendin ku ai del nga shtylla kurrizore. Sa më herët të diagnostikohet dhe të trajtohet, aq më të reduktuara do të jenë edhe ndërlikimet që shkakton. Në vijim të shkrimit, mjekja Ilda Xhelili, tregon se cilat janë shenjat dalluese të kësaj sëmundjeje, zonat ku ajo zhvillohet më shpesh, faktorët e rrezikut, si dhe masat që duhet të marrim për të lehtësuar simptomat dhe ndërlikimet që ajo shkakton.

Çfarë kuptojmë me radikulopati?

Radikulopatia është një gjendje që krijohet si rezultat i shtypjes, ngjeshjes ose acarimit të një nervi pikërisht në vendin ku ai del nga shtylla kurrizore. Shtypja mund të vijë si rezultat i deformimeve të disqeve që ndodhen ndërmjet vertebrave, si rezultat i rritjeve jonatyrale kockore (osteofiteve), si rezultat i osteoartritit, ose nga trashja e ligamenteve përreth. Shkaqe të tjera më pak të zakonshme të ngjeshjes mekanike të nervave mund të jenë një tumor, ose një infeksion. Secila prej këtyre arsyeve mund të zvogëlojë hapësirën e kanalit në shtyllën kurrizore nga ku dalin fije të shumta nervore. Po ashtu skolioza (lakimi anormal i shtyllës kurrizore) mund të bëjë që nervat të ngjeshen nga njëra anë e shtyllës kurrizore. Edhe traumat e ndryshme mund të çojnë në radikulopati nga dëmtimi i drejtpërdrejtë i nervave.

Ku ndodh më shpesh radikulopatia?

Radikulopatia mund të ndodhë në çdo pjesë të shtyllës kurrizore, por më e zakonshme është në pjesën e pasme, të poshtme të kolonës (radikulopatia e mesit) dhe në pjesën e qafës (radikulopatia e qafës).Më e rrallë është në pjesën e mesme të shtyllës kurrizore (radikulopatia torakale, e kraharorit). Radikulopatia mund të shkaktojë dhimbje, mpirje, ndjesinë e shpimit si gjilpëra, ose ndjesinë e dobësisë përgjatë gjithë rrugës së nervit të prekur.

Cilët janë faktorët e rrezikut për radikulopatinë?

Faktorët e rrezikut për radikulopatinë janë aktivitetet fizike të sforcuara dhe ngarkesat e tepruara dhe të përsëritura mbi shpinë. Pacientët e përfshirë me punë të rënda si ngritje peshash ose sportistët (veçanërisht peshëngritësit) janë më të prirur për të zhvilluar radikulopati sesa pjesa tjetër e popullsisë. Një histori familjare e radikulopatisë, ose çrregullimeve të tjera të shtyllës kurrizore gjithashtu rrit rrezikun e zhvillimit të radikulopatisë.

Cilat janë shenjat klinike të radikulopatisë ?

Simptomat klinike të radikulopatisë varen nga nervat të cilat preken. Nervat që dalin nga qafa kontrollojnë ndjeshmërinë e muskujve të qafës dhe të krahëve. Nervat që dalin nga pjesa e mesme e shpinës ( pjesa torakale) kontrollojnë ndjesinë e muskujve të gjoksit dhe të barkut. Nervat e pjesës së poshtme të shpinës (pjesa lumbare) kontrollojnë ndjesinë e muskujve të të ndenjurave dhe të këmbëve. Simptomat më të zakonshme të radikulopatisë, siç e përmenda edhe pak më sipër janë dhimbja, mpirja dhe ndjesia e shpimit me gjilpëra në krahë, ose në këmbë. Radikulopatia lumbare që rrezatohet poshtë përgjatë pulpës dhe thembrës së këmbës, njihet zakonisht si dhimbje e nervit shiatik. Radikulopatia e kraharorit shkakton dhimbje të shpinës , të gjoksit që shpesh ngatërrohen me dhimbjet e “zjarrit të natës” por jo rrallë edhe me problemet e zemrës. Disa pacientë zhvillojnë një mbindjeshmëri ndaj prekjes së lehtë në zonën e përfshirë. Më rrallë, pacientët mund të zhvillojnë dobësi në muskujt e kontrolluar nga nervat e prekur dhe kjo simptomë mund të tregojë dëmtime nervore.

Si diagnostikohet radikulopatia ?

Diagnoza e radikulopatisë fillon me historinë mjekësore dhe ekzaminimin fizik të pacientit nga ana e mjekut. Mjeku merr informacion në lidhjen me llojin me vendndodhjen e simptomave, për sa kohë kanë qenë ato të pranishme, çfarë i përkeqëson dhe çfarë i përmirëson shenjat klinike si edhe cilat probleme të tjera mjekësore paraqet pacienti. Ekzaminimi fizik do të përqendrohet në zonën e përfshirë. Mjeku do të kontrollojë forcën, ndjeshmërinë dhe reflekset e muskujve të pacientit për të parë nëse ka anomali. Ekzaminime të ndryshme radiologjike do të jenë të nevojshme për të kërkuar një burim të radikulopatisë. Mund të përdoren radiolografitë, skaneri ose rezonanca magnetike, e cila ofron një pamje më të mirë të indeve të buta përreth shtyllës kurrizore përfshirë këtu edhe nervat, disqet ndërvertebrale dhe ligamentet. Po ashtu mund të kërkohet studimi i përçueshmërisë nervore për të parë aktivitetin elektrik përgjatë nervit dhe nëse ka dëmtime të tij.

Si trajtohet radikulopatia?

Për fat të mirë, shumica e pacientëve mund të lehtësohen nga simptomat klinike të radikulopatisë me trajtime konservatore. Këto trajtime mund të përfshijnë medikamente antiinflamatore dhe fizioterapi. Shumica e pacientëve reagojnë mirë ndaj këtij trajtimi konservator dhe simptomat shpesh përmirësohen brenda gjashtë javësh deri në tre muaj. Nëse pacientët nuk përmirësohen nga trajtimi konservator, shumë prej tyre mund të përfitojnë nga injeksionet kortizonike direkt në rrënjën e nervit të prekur. Kjo procedurë mund të ndihmojë për të ulur me shpejtësi inflamacionin dhe acarimin e nervit duke ndihmuar në këtë mënyrë në zvogëlimin e simptomave klinike të radikulopatisë. Nëse simptomat klinike janë të rënda një opsion i mundshëm mund të jetë edhe operacioni. Qëllimi i operacionit është largimi i faktorit që shtyp nervin (heqja e një tumori ose e një pjese të diskut ndërvertebral që ka hernie dhe që shtrëngon një nerv).

A mund të parandalohet radikulopatia?

Nuk ka ndonjë  parandalim specifik për radikulopatinë. Mbajtja e sa më pak peshave të rënda, shmangia e tendosjeve ekstreme muskulare në qafë dhe në shpinë mund të zvogëlojë shanset për zhvillimin e radikulopatisë. Kujdes të veçantë duhet të tregojnë sportistët.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *