Pranvera Kola
Pavarësisht masave të marra ndër vite, duhanpirja mbetet ende në nivele të larta në vendin tonë. Ajo që konsiderohet edhe më shqetësuese nga ekspertët e shëndetit publik është konsumi i duhanit në radhët e adoleshentëve dhe të rinjve.
Për të frenuar këtë fenomen shqetësues, autoritetet e shëndetit bëjnë me dije se do të zbatohen ndryshime të tjera ligjore, ku një ndër to është edhe vendosja e fotove që do të zënë rreth 65 për qind të sipërfaqes në të dy anët e paketës, me imazhe të rënda që tregojnë organet e dëmtuara nga duhani. Ndërkohë që do të shtohen edhe kontrollet në terren për zbatimin e ligjit.
Konfirmimi është bërë gjatë ditës së djeshme nga vetë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirli gjatë raportimit të bërë në Kuvend, ku dhe ka theksuar se imazhet e forta që tregojnë dëmet që shkakton duhani do të miratohen deri në mbyllje të këtij muaji.
Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit do të vendosë brenda shkurtit për fotot dhe paralajmërimet në paketimet e duhanit.
Paralajmërimet e kombinuara tekst dhe figurë do të zënë 65 për qind të faqes ballore të paketimit të duhanit dhe po ashtu të faqes së pasme, duke zbatuar direktivën 2014/40 EU”, vuri në dukje ministrja Manastirliu.
Gjatë diskutimeve në Kuvend, ministrja Manastirliu theksoi se imazhet e reja do të vendosen në paketat e cigareve dy vite pas miratimit, për t’i lënë kohën e nevojshme biznesit për të bërë ndryshimet e duhura në paketimin e duhanit.
Kontrollet për shitësit e cigareve pranë shkollave
Duke deklaruar se masat kundër duhanpirjes janë shtuar, duke përfshirë edhe gjobat e reja, të shumëfishuara sipas ligjit të ri, ministrja Manastiriliu gjatë fjalës saj ka lëshuar një paralajmërim për të gjitha subjektet, sidomos ato që tregtojnë produktet e duhanit afër shkollave.
“Është fakt se viti 2019 shënon numrin më të lartë të gjobave të vendosura në këto vite, me 466 masa administrative, nga të cilat dhjetëra masa administrative prej 600 mijë lekësh për shkelësit e përsëritur të ligjit. Ndërkohë,puna nuk do të ndalet, për të zbatuar ligjin në të gjitha ambientet që tregtojnë produkte të duhanit, sidomos puna do të fokusohet tek ambientet afër shkollave, me zero tolerancë për subjektet që tregtojnë duhan, cigare elektronike, apo shisha nargjile për të rinjtë”, deklaroi ministrja Manastirliu.
Amendimet e bëra në ligj
Gjashtë muaj më parë u miratuan amendimet në ligjin “Për mbrojtjen e Shëndetit nga produktet e duhanit”, duke përfshirë për herë të parë, njësoj si për duhanin, ndalimin e tij në ambientet e brendshme edhe për duhanin me ngrohje, cigaren elektronike, shisha /nargjile, që konsiderohen po aq të dëmshme për shëndetin e popullatës.
Duke theksuar se progresi në luftën kundër duhanpirjes në këto vite ka qenë i dukshëm, Manastirliu citoi Progres Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2019 që dha këtë vlerësim në lidhje me zbatimin e ligjit: “Në lidhje me kontrollin e duhanit, Ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, i cili është përgatitur të jetë në përputhje me Acquis, është duke u zbatuar plotësisht”.
Megjithatë, ministrja e Shëndetësisë e konsideroi sfidë zbatimin e ligjit të ri, me përfshirjen e të gjithë institucioneve të ngarkuara nga ligji në grupet e inspektimit, qoftë inspektorati i punës, drejtoritë e taksave, inspektoratet arsimore dhe policia,sepse gjithpërfshirja në këtë luftë të përditshme është thelbësore.
“Sfida jonë sot është me zbatimin e ligjit të ri, në të njëjtën masë për duhanin dhe nënproduktet e tij me zero tolerancë për shkelësit e ligjit dhe për shkelësit që nuk I druhen gjobës së parë apo të dytë, me deri në 6-fishim të masës së gjobës për këdo që sfidon ligjin në dëm të shëndetit të popullatës”, shtoi më tej ministrja Manastirliu.
Rreziku nga duhanpirja
Ekspertët e shëndetit theksojnë se pirja e duhanit renditet si faktor i madh rreziku për sëmundjet malinje, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundje të aparatit të frymëmarrjes dhe probleme të tjera shëndetësore, si: rrudhje të parakohshme të lëkurës, vështirësi në frymëmarrje,erë të keqe në flokë dhe rroba,thonj të verdhë, etj.
Të dhënat e raportuara nga strukturat mjekësore kanë treguar se duhani është shkaku kryesor i shume vdekjeve, të cilat mund të shmangen. Është i vetmi produkt që konsumohet legalisht që vret një të tretën deri ne një të dytën e atyre që e përdorin. Në mbarë botën, duhani shkakton 5.4 milion vdekje në vit, një shifër kjo qe pritet të rritet në 8 milion në 2030, nëse vazhdon kjo shkallë e përdorimit.
Mbi 70 për qind e vdekjeve ndodhin në vendet e varfra dhe në zhvillim. Në Shqipëri më shumë se 3.300 njerëz vdesin çdo vit nga pasojat që shkakton pirja e duhanit dhe në 2030 ky numër do të rritet në rreth 7.500 njerëz. Një rekord i trishtueshëm i duhanpirjes shihet në radhët e femrave.
Femrat janë duke u barazuar me kalimin e kohës me duhanpirjen e meshkujve. Numri i vdekjeve të parakohshme për shkak të duhanpirjes tek femrat (kancer i mushkërive, sëmundje vaskulare, etj) është në rritje të vazhdueshme. Femrat duhanpirëse janë po aq të rrezikuara nga sëmundjet e lidhura me duhanin, sa edhe meshkujt duhanpirës.
Shqetësimet tek fëmijët
Mjaft shqetësues ky fenomen shfaqet edhe tek adoleshentët dhe të rinjtë. Shenjat më të zakonshme të duhanpirjes te të rinjtë janë: kollitje, irritim të fytit, zë të ngjirur, erë të keqe nga goja, ngjyrosje e dhëmbëve me ngjyrë të verdhë, frymëmarrje e rënduar, ftohje të shpeshta.
Ekspertët e shëndetit publik këshillojnë se edhe nëse fëmijës tuaj i vjen trupi dhe rrobat era duhan, përpara se ta akuzoni, pyeteni për erën. Mund të ndodhë që erën e rëndë ta ketë si rezultat i qëndrimit në ambiente me tym duhani ose ka qenë me shokë që kanë pirë, ndërsa ai vetë nuk pi duhan.
Dëmtimet në mushkëri
Duhani është përgjegjës për të ashtuquajturën “epidemi” të kancerit të mushkërive, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XX-të, duke çuar këtë kancer në numrin “1” të vdekshmërisë së kancerit te meshkujt. Te femrat kanceri i mushkërive nuk ka rol parësor në vdekshmërinë, por rreziku prej tij, është rritur çdo 10-vjeçar me rritjen e përdorimit të tij prej femrave.
Po ashtu edhe Pneumonia është një tjetër sëmundje e përfshirë në listën e sëmundjeve të shkaktuara nga duhani. Pirja e duhanit rrit rrezikun e sëmundjeve të mushkërive si emfizema dhe bronshiti kronik. Këto sëmundje janë grupuar bashkë dhe njihen me termin SPOK (Sëmundjet Pulmonare Obstruktive Kronike).
SPOK shkakton sëmundje kronike dhe paaftësi të cilat përkeqësohen me kalimin e kohës, dhe shpesh bëhen fatale. Duhanpirësit që konsumojnë shumë cigare janë më të rrezikuar nga zhvillimi iSPOK-ut
Dëmet në sistemin kardiovaskular
Dëmet më të mëdha shkaktohen në sistemin kardiovaskular të gjakut. Është vërtetuar se sëmundjet e trurit janë të pranishme në masë tek personat që konsumojnë duhan, por edhe tek ata që nuk konsumojuni, por që rrezikojnë nga duhanpirja pasive. Tek ata që pijnë 20 cigare në ditë, ky rrezik trefishohet.
Konsumimi i tepërt i duhanit shton rrezikun për vdekje të papritur. Monooksidi i duhanit, një nga përbërësit e tymit, pakëson oksigjenin në gjak, ndërkohë që nikotina një nga përbërësit e duhanit shton punën e zemrës dhe të dyja shkaktojnë formimin e trombit (mpiksje gjaku) që ngushton dhe bllokon anët e gjoksit.
6 fakte që duhet t’i dini rreth duhanit:
- Një duhanpirës mund të vdesë 10 vjet më shpejt sesa bashkëmoshatarët të cilët nuk pinë duhan.
- Studimet kanë treguar se të rinjtë që janë të ekspozuar ndaj duhanit në familje dhe në shoqëri kanë 90 për qind më shumë mundësi të pinë duhan, sesa të rinjtë që nuk janë në situatë të tillë.
- Të rinjtë duhanpirës vuajnë më shumë nga kolla, astma dhe bronshiti.
- Të rinjtë që fillojnë duhanin në një moshë të re rrisin mundësinë që të krijojnë varësi nga nikotina dhe të vazhdojnë të pinë duhan edhe kur rriten.
- Pjesa më e madhe e të rinjve që pinë duhan duan ta lënë, por kanë shumë vështirësi.
- Varësia nga nikotina është më e madhe tek të rinjtë sesa tek të rriturit. Të rinjtë mund të krijojnë varësi nga nikotina brenda disa javësh nëse pinë dy tre cigare në ditë.
Përfitimi që do keni nëse vendosni të lini duhanin:
- 20 minuta pas lënies,rrahjet e zemrës dhe presioni i gjakut normalizohen.
- 12 orë pas lënies, niveli i monoksidit të karbonit në gjak ulet dhe shkon në nivel normal.
- 2 javë deri në 3 muaj pas lënies,qarkullimi i gjakut përmirësohet dhe përmirësohet funksionimi i mushkërive.
- 1-9 muaj pas lënies,largohet kolla dhe pastrohen mushkëritë, si dhe reduktohet rreziku për infeksione.
- 1 vit pas lënies,rreziku i lartë i sëmundjeve koronare të zemrës përgjysmohet në krahasim me ata që vazhdojnë të pinë duhan.
- 5 vjet pas lënies, krahasuar me një duhanpirës, përgjysmohen gjasat për infarkt.
- 10 vjet pas lënies, përgjysmohet rreziku për t’u prekur nga kanceri i mushkërive, ulet rreziku për t’u prekur nga kanceri i gjirit,i ezofagut dhe i pankreasit.
- 15 vjet pas lënies, rreziku për sëmundje zemre është i njëjtë me atë të një joduhanpirësi.
