Pas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës, kompanitë celulare ulin çmimet

Leda Hysa

Menjëherë pas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës, që iu kërkoi tre kompanive celulare që të pezullonin rritjen e çmimeve për paketat jo më vonë se 5 ditë nga njoftimi i këtij vendimi, tre kompanitë i janë bindur urdhrit.

Konkurrenca ka njoftuar ditën e sotme se Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom kanë ulur me 200 lekë paketat standarde, duke iu rikthyer çmimeve, që kishin më përpara.

Kjo masë e përkohshme do të jetë në fuqi deri në përfundim të procedurës hetimore nga Autoriteti për tregun e shërbimeve celulare, që është 31 marsi 2020.

Vendimi i Konkurrencës erdhi menjëherë pas ankesave të qytetarëve të cilët denoncuan faktin se kompanitë celulare në mënyrë të unifikuar rritën çmimet e shërbimeve të tyre.

Me vendimin e datës 14 shkurt Konkurrenca bëri me dije se në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme të pezullimit, kompanitë e lartpërmendura do të ndëshkohen me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës.

 

l.h/ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *