Ekskluzive Rama-Basha: Ja ku do shkojnë të gjitha fondet, kreditë dhe grantet e dhëna për tërmetin

redaktor
Gymnasium at Middle School

TIRANË, SURREL, ROCK&ROLL HILLS – Pas një serie negociatash të fshehta nën tavolinë, është arritur më në fund marrëveshja politike mes PS dhe PD për futjen e teknologjisë së lartë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Gojët e Liga mësojnë se Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë rënë dakord për pjesëmarrjen për herë të parë në zgjedhje të votuesve elektronikë, çka do ta çojë demokracinë shqiptare në nivelet e ëndërruara perëndimore.

Përfaqësuesi i Rilindjes Dhamian Dibra njoftoi nga poshtë tavolinës lajmin e mirë për mediat:

“Tërmet, tërmeeeet! Ja çfarë ndodh kur ka vullnet dypalësh! Problemi më i madh i zgjedhjeve shqiptare këto 30 vjet ka qenë përqindja e madhe e gabimit njerëzor, me gjithë ato letra, lista, stilolapsa, bojra në gisht e budallallëqe me okë! Duke prezantuar për herë të parë votuesin elektronik, ne i shmangim të gjitha këto keqkuptime”.

Nga ana e tij përfaqësuesi i PD Bylyk Basha, që nuk ka lidhje farefisnore me Lulzim Bashën, shtoi, gjithashtu nga poshtë tavolinës, se duke digjitalizuar jo thjesht mënyrën e votimit, as numërimin e votave, por vetë votuesin, Shqipëria vendoset një hap përpara Perëndimit.
“Ësht fakt shkencor që votuesi elektronik i zgjedh shpejt dhe pa emocione të tepërta njerëzore, kandidatët më të mirë për deputetë. Madje të gjitha gjasat janë që edhe deputetët e ardhshëm të jenë elektronikë, duke shmangur kështu turli lloj hajvanësh që detyrohemi të çojmë në parlament,” komentoi Bylyk Basha.

Ndërkaq mësohet se Kryeministri Rama ka deklaruar nga Brukseli, se për të vënë në jetë këtë marrëveshje historike, ai do t’u kërkojë donatorëve që të gjitha fondet, kreditë dhe grantet e dhëna për rindërtimin pas tërmetit, të rialokohen për prodhimin në masë të votuesve elektronikë.

“Nën dritën e zhvillimeve të reja, do ishte budallallëk të harxhojmë para për ca ndërtesa idiote, kur kemi shansin të çojmë nivelin e demokracisë në maja të papara,” deklaroi Rama.

Sipas tij, po shqyrtohet mundësia që edhe anëtarët njerëzorë të Gjykatës së re Kushtetuese, të zëvendësohen me një aplikacion kompjuterik me kapacitet 100 vendime në minutë.

 

****

SHËNIM / Gojët e Liga është për fat të keq, një rubrikë satirike analoge…

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *