Puna titanike e Çetina Maceit

redaktor

Nga libri në dorëshkrim i dr. Bexhet Asanit

Profesoresha dhe piktorja Concetta Rosetta Mazzei, e njohur si Çetina Macei – Cettina Mazzei, u lind më 29 dhjetor të vitit 1955 në Garafë të Katanxaros, ngulim arbëresh, ku banon dhe vepron sot e kësaj dite.

Qysh e re ajo i qaset studimit të kulturës arbëreshe duke e thelluar gjatë studimeve akademike, sidomos tematikën e “Teatrit popullor arbëresh”.

E dhënë pas traditave të veta, me kohë zhvilloi një ndjeshmëri të mirëfilltë për kulturën etnike stërgjyshore, gjë që e nxiti të shkojë disa herë në Shqipëri në vitet 1981, 1985 dhe 1988 për t’i thelluar studimet e gjuhësisë, veçmas në fushat që lidhen me antropologjinë, etnografinë dhe artet.

Falë thellimit të studimit mbi zakonet dhe qëndisjes së veshjeve tradicionale, ia doli të krijojë një model tipik të veshjes së Garafës, duke riprodhuar besnikërisht e riaftësimin e tri tipologjive të veshjeve arbëreshe në atë kohë jashtë përdorimit dhe të panjohura, sot të rikopjuara dhe të shfrytëzuara nga brezat e rinj në manifestime të ndryshme shkollore dhe institucionale.

Për kompetencat e saj në fushën e antropologjisë dhe etnografisë mori pjesë në cilësinë e referueses në një numër të madh simpoziumesh e takimesh me tematikë arbëreshe nga viti 2006 deri në vitin 2013.

Ishte referuese dhe koordinatore në të gjithë simpoziumet – 26 me tematika të veçanta të rivistave kulturore dhe folkloristike për mbrojtjen e pakicave etnike.

Për arsye të njohurive në lëmin e etnografisë u emërua anëtare e jurisë për veshje tradicionale.

AKTIVITETET ARSIMORE – DIDAKTIKE

U diplomua pranë Liceut artistik të Katanxaros më 1973, i mbaroi studimet e Akademisë së arteve të bukura në vitin 1978 në kursin e skenografisë, duke marrë notat më të larta.

Është fituese në Konkursin kombëtar për edukimin artistik në Romë në qershor të vitit 1978 dhe Historinë e artit figurativ, po ashtu në Romë në të njëjtin vit; ka kryer habilitacionin për të dy lëndët, duke marrë titullin docente në shtator të vitit 1978.

Ka dhënë mësim në Institutin mësimor të shkollës së mesme të shkallës së parë në qendrat Carlopoli, Castagna, Botricello, Marcedusa, Marcellinara, dhe për rreth 30 vjet në shkollën e mesme e pastaj në Institutin e përgjithshëm të Garafës së Katanxaros, në të cilën shkollë nga viti 2002 deri në vitin 2004 ka qenë nëndrejtoreshë e kësaj shkolle. Në fushën e arsimit pati këto detyra:

Përfaqësuese e Këshillit të Institutit më shumë se 20 vjet të Garafës dhe të Botriçellit.

Anëtare e Grupit të projekteve INDIRE për vitet 2002-2005.

Anëtare e GOP-it për projektet PON në vitet 2007-2008.

– Funksionare e lehtësimit për projektet PON për vitet 2007-2008,

– Anëtare e komisionit të vetëdiagnozimit të Institutit për vitet  2007-2009,

-Funksionare për mbrojtjen e projekteve PON “Arte dhe etni” për vitet 2008-2009.

Ishte referente me përvojë për një varg projektesh të veçanta për kulturën arbëreshe.

Mori pjesë në grupin punues të organizimit të IRRE Kalabria dhe të Ministrisë së Arsimit Publik që kishin të bënin me komunitetet arbëreshe të Kalabrisë, duke i krahasuar rezultatet pas miratimit të Ligjit 482.

Disa vite me radhë ka qenë anëtare e Këshillit shkollor provincial.

Për kompetencat e pranuara u emërua:

– Kryetare e Komitetit shkencor të krahinës për mbrojtjen e kulturës arbëreshe për vitin 2004 brenda Seksionit të studimeve të Katanxaros.

– Anëtare e Komisionit teknik për minoritetet historike të Kalabrisë, Instituti Zyra e arsimit të regjionit të Kalabrisë.

Anëtare e komisionit për provimet shtetërore të mësimit “Piktura dhe historia e artit”:

– në Katanxaro – Instituti teknik për vajza dhe Instituti pedagogjik për vitin shkollor 1974-1975

– në Krotone – Instituti pedagogjik viti shkollor 1975-1976.

U emërua anëtare e Komisionit vlerësues të tri konkurseve publike në Katedrën për mësim dhe edukim artistik në Katanxaro në vitin shkollor 1984-1985 dhe të Kozencës në vitet shkollorë 1984-1985  dhe 1989-1990.

Mori pjesë në aktivitetet e sindikatës së këshillit drejtues të provincës së shkollave.

AKTIVITETI ARTISTIK

Piktore e kujdesshme e vlerave njerëzore e kulturore paraqitet në skenë me një figurativitet krejtësisht të veçantë nga i cili shquhet dashuria për kulturën dhe identitetin arbëresh, duke krijuar në pëlhurën e saj një stil të mëvetësishëm që përvijohet si “Arti etnik”.

Mori pjesë në një varg ekspozita kolektive e personale.

Në fushën e veprimtarisë së saj krijoi një log për komunën e Garafës, për Muzeun artistik Gangale dhe për Rivistën kulturore folkloristike për vlerësimin e pakicave etnike.

NISMAT PËR SHQIPTARËSI DHE KULTURË

– Anëtare e organit drejtues të Ligjit italian për pakicën arbëreshe të vitit 1985 (LIDM). Në këtë funksion më 1987 propozoi që busti i Skënderbeut, dhuruar nga shteti shqiptar, t’i dhurohet bashkisë së Garafës, që edhe sot është i vendosur në Sheshin që mban emrin e tij.

– Kryetare e komitetit të bashkisë së Garafës për strehimin e refugjatëve shqiptarë të vitit 1991.

– Kryetare e komisionit të bashkisë për kulturë në Garafë në vitet 1995 – 2003.

Themeluese e Muzeut të kulturës arbëreshe me emrin e Giuseppe Gangale, ku ruhen dorëshkrime origjinale rreth kulturës arbëreshe.Themelimi i bibliotekës me një seksion për gjuhën shqipe dhe arbëreshe, me librat që i dhuroi ajo.

– Ideatore dhe drejtoreshë artistike e Netëve arbëreshe, që pati tetë edicione, ku u organizuan dhe simpoziume, koncerte muzikore, takime letrare etj.

***

Profesoresha Çetina Macei (Cettina Mazzei), ishte ideatore dhe koordinatore e Rivistës kulturore e folkloristike të vlerësimit të pakicave etnike,  e organizoi këtë takim të rëndësishëm për 26 vjet, para Ligjit 482 të vitit 1999, duke dhënë një ndihmesë të madhe për ruajtjen e kulturës dhe të shpirtit të arbëreshëve.

Ky projekt në botën arbëreshe po dhe në Itali ishte një risi, ku u përfshinë grupe shkollarësh që i përkasin pakicës së arbëreshëve, duke i njohur ato me trashëgiminë, që shtrihen në disa fusha: gjuhë, teatër, folklor, vallëzim, këngë, pikturë, etnografi etj.

Gjatë kohës që u mbajt rivista, në aktivitetet e saj u përfshinë rreth 10.000 nxënës, pastaj qytetarë të 43 bashkive të minoriteteve (duke përfshirë dhe oçitanët dhe grekanikët).

BOTIMET

Me rastin e Rivistës kulturore dhe folkloristike për vlerësimin e pakicave etnike gjuhësore botoi tekste monografike mbi tematikat e veçanta, duke realizuar vepra përkatëse në fusha të ndryshme.

Për 26 (njëzet e gjashtë) rivistat që u mbajtën u botuan tekstet përkatëse, ku u vështruan çështje të ndryshme.

Profesoresha Macei (Mazzei) hartoi dhe himnin e Rivistës folklorike tradicionale.

 

Nga viti 1994 dha një varg intervistash dhe publikimesh të lidhura me aktivitetin e saj në Itali dhe në Shqipëri.

DEKORIME DHE SHPËRBLIME ZYRTARE

– Më 23 qershor 2017 në Shën Mitër kryetari i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e dekori me pergamenë dhe me medalje institucionale për ndihmesën e vijueshme në arsim, në gjuhë, në shkencë dhe veprime të tjera me të rinjtë.

– Më 6 gusht 2017 në Katanxaro brenda shpërblimit Merini iu dha medalja dhe plaketa për zotimin në fushën e kulturës arbëreshe.

– Më 24 maj 2018 Instituti i çështjeve kombëtare (L’Istituto Albanese degli affari Nazionali) me rastin e 550 vjetorit të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut i lëshoi një dëshmi të njohjes për ndihmesën e përhapjes dhe të promovimit të kulturës dhe të historisë, të vlerave e të traditave të arbëreshëve në Itali.

– Më 2 mars 2019 qeveria shqiptare, gjatë mbajtjes së Samitit ndërkombëtar të diasporës shqiptare, me firmën e ministrit për Diasporë, Pandeli Majko, dhe të kryeministrit, Edi Rama, profesoresha Çetina Macei (Cettina Mazzei) u emërua Ambasadore e popullit shqiptar.

Piktorja, etnologia dhe gjuhëtarja Çetina Macei sot e kësaj dite punon pa u ndalur, në ruajtjen e gjuhës, adeteve dhe zakoneve arbëreshe. Një punë titanike në disa fusha të arteve dhe shkencave albanologjik. Të gjithë këtë energji profesoresha Çetina e gjen në tabanin kombëtar arbëror.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *