Xhevdet Shehu
Dje, më 27 shkurt, ndërsa bëheshin homazhe dhe përcillej për në banesën e fundit Nexhmije Hoxha, bashkëshorte e Enver Hoxhës, në të njëjtën orë përkujtohej edhe një vjetori i ndarjes nga jeta e Sadije Agollit, bashkëshortes së shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli.
E përbashkëta është sjellja jonë si njerëz ndaj të ikurve.
Në drekën që u shtrua për Sadijen folën me fjalët më të mira personalitete të kulturës dhe të politikës. Kjo është mëse normale. Sadija ka merita si bashkëshorte e Dritëroit, por edhe si një njeri i kulturës që ka lënë gjurmë. Dje asaj iu promovua një libër befasues me tregime që ajo i kishte shkruar nëpër vite, por pa pretenduar t’i botonte sa ishte gjallë.
Edhe në fjalët përcjellëse për Nexhmijen u thanë fjalët më të mira nga pjesëmarrësit në homazhet dhe në ceremoninë mortore. Krejt normale edhe kjo. Edhe ajo kishte dhe ka simpatizuesit e saj, të cilët punuan dhe mbështetën idealet komuniste që për ndokënd sot që është aty ku është prej tyre, nuk janë “në mode”.
Në të dyja rastet pjesëmarrësit ishin miq dhe të afërm të këtyre dy grave të shquara që tashmë nuk janë më midis nesh. Është njerëzore që në të tilla raste të përmenden sjelljet njerëzore, veprat e mira dhe gjurmët pozitive që ato kanë lënë në shoqëri.
Por ajo që lë shije të hidhur është sjellja e disave që, sapo marrin vesh ndarjen nga jeta të dikujt vërsulen me një mllef të paparë dhe nuk lënë gjë pa thënë. Nuk është rasti i parë ky me Nexhmijen.
Kështu janë turrur ata edhe për shumë emra të njohur të kulturës dhe të politikës. Kështu vollën vrer disa para disa vjetësh kur u nda nga jeta Dritëroi. Edhe atë shkrimtar e poet nga më të rëndësishmit në letrat shqipe e kulturën tonë kombëtare e etiketuan kriminel dhe diktator, madje disa arritën ta quanin edhe diktator më të keq se Enveri.
Shkëputja nga e vërteta, teprimi është gjithnjë i dëmshëm dhe kalon në pabesueshmëri. Sepse Dritëroi ishte dhe mbeti një shkrimtar sa i famshëm, aq edhe popullor. Me një krijimtari të bukur, të mbushur me humanizëm dhe aspak me urrejtje ai ishte dhe mbeti i adhuruar nga shumica e shqiptarëve. Dritëroi ishte një tip që në të rrallë edhe nxehej dhe shpërthente. Mjerë kush futej në majën e penës së Dritëroit.
Në vitin 1991 kur një shkrimtar krejtësisht mediokër e quajti publikisht Dritëroin “kriminel” për periudhën kur kishte qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëroi nuk bëri replikë aty për aty, vetëm sa bëri një buzëqeshje ironike. Por të nesërmen botoi një poezi ku kishte një varg drejtuar këtij personi ku i thoshte ndër të tjera pak a shumë vetëm kaq: “Ty mor i mjerë do të kujtohesh vetëm nga kjo vjershë që unë po shkruaj për ty, jo nga ato që ke shkruar”. Nuk e citova poezinë e mirëfilltë, por thelbin e përmbajtjes së saj. Sepse, Dritëroi kur bëri vëllimin e radhës me poezi dhe vëllime të tjera më pas, nuk e përfshiu këtë poezi. Ngaqë Dritëroi edhe pendohej, por mendoj se nuk donte që njerëzit të mblidhnin buzët më pas e të thoshnin: Kot është marrë Dritëroi me këta njerëz koti!
Ishte dhe është e pamundur që disa kokrra individësh të mbushur me mllefe dhe urrejtje patologjike të përmbysin një opinion të tërë. E vërtetë është se kjo sjellje e padenjë dhe ky sulm ndaj të ikurve nga kjo jetë lë shije të keqe dhe është shprehje e karaktereve të deformuar.
Këta kokrra individësh të mllefosur u ngjajnë hienave post mortum.
Mungesa e Sokolit, djalit të vogël të Nexhmijes, dhe bashkëshortes së tij në ceremonitë e përcjelljes dje ra në sy për keq dhe u ka lënë shteg shumë hamendjeve.
Reagime ekstreme ngjalli edhe botimi para ndonjë muaji i librit me kujtime të Nexhmije Hoxhës. E kanë quajtur kriminele, të pasinqertë se nuk kërkoi ndjesë për krimet e kohës së komunizmit dhe sidomos përse mbrojti deri në fund me fanatizëm figurën e të shoqit, Enver Hoxhës.
Kam shkruar javët e fundit pse e mbajti këtë qëndrim Nexhmije Hoxha në librin e fundmë të jetës së saj. Mund të ishte bërë më ndryshe? Padyshim. Por duhej të futeshe nën lëkurën dhe në mendimet e bindjet e Nexhmije Hoxhës për të kuptuar pse ajo shkroi ashtu si shkroi dhe jo ndryshe. I rëndësishëm është fakti që ajo shkroi një libër dhe e botoi në moshën 99 vjeçare, pikërisht për ato probleme që u interesojnë dhe diskutojnë shqiptarët edhe sot e kësaj dite. Ajo mbrojti deri në fund kauzën e saj dhe pati bindjen deri në fund se ajo kauzë ishte më e mira. A duhet të fajësohet për këtë? Mund të kontestohen fakte dhe interpretime të autores në atë libër, por kurrsesi akti i botimit të librit.
Disa i kujtojnë Nexhmijes vitet e burgut pas përmbysjes së regjimit komunist. Me të drejtë. Si bashkëshorte e Enver Hoxhës ajo është anatemuar skajshmërisht si pjesëmarrëse në krime, madje të përbindshme. Akuzat që iu bënë ishin për gjenocid etj. Por koha kur u gjykua e zbeh gjykimin e saj. Ishin gjykatësit e Berishës, ish-komunistit të thekur të konvertuar në antikomunist ekstrem për pushtet, që e zhvilluan atë spektakël absurd. Një gjyq i filluar me bujë të madhe përfundoi thuajse në hiç: nga gjenocid, në punë kafesh.
Tjetër janë supozimet dhe tjetër janë faktet për të cilat duhet shkruar me përgjegjësi të lartë, aq më tepër kur del para një opinioni të gjerë. Këtu e kishit Nexhmijen deri dje, ia thoshnit në sy. Dhe ajo ishte aq e kthjellët, por edhe e kulturuar, sa t’u përgjigjej. Por ndryshe nga ju. Tani është e kotë të lodheni…
Mos u merrni me të ikurit, kur nuk u bëtë dot ballë sa ishin gjallë.
*****
Botuar në Dita. Xhevdet Shehu është gazetari që kreu intervistat e fundit gjallë me Nexhmije Hoxhën
