Sokrat Bufi, “udhëtari” që guxoi të jetonte për të vërtetën

Ornela

Nga Bashkim Koçi           

Është e vështirë të trembësh një zemër që nuk është e njollosur nga asgjë. Më vijnë ndërmend këto fjalë teksa jam njohur me jetën e një luftëtari të Luftës së Dytë Botërore dhe kuadrin e rëndësishëm të viteve të pasçlrimit, fierakut Sokrat Bufi. Jeta e tij, e mbetur në hije për shkaqe tronditëse, përbën vërtet një qëndresë heroike, nëmos edhe ca më tutje, nëse studiohen e analizohen të plota shkaqet dhe mjedisi ku ai luftoi si rrallëkush për ca ideale të mëdha.

Fati zakonisht vete e troket në derën e të fortit. Por me Sokrat Bufin ka ndodhur diçka ndryshe. Ai nuk priti, por e kërkoi fatin, duke e konsideruar atë produkt të mundit e të punës, të guximit e të ndershmërisë, nga të cilat duhet të rridhnin medoemos ato çka ai kërkonte për ta parë botën drejt e në sy. Ai ishte bir i dy prindërve të thjeshtë, i Tonçit dhe Kristinës, paraardhësit e të cilëve kishin zbritur në Fier nga Voskopoja pas djegies së saj në vitin 1769, e që bashkë me rreth 30 fise të tjerë me emër të mirë, konsiderohen si themelues të qytetit të Fierit. E nisi jetën me hapa të matura e që hidheshin në rrugë “të pashtruara”,  në rrugë ku këmba mund të shkelte edhe mbi dhimbje. Jo pse prindërit e tij ishin të varfër apo të pafuqishëm për t’i dhënë drejtim jetës të fëmijës të tyre të parë, por sepse, duke qenë familje që i kishte rrënjët tek një fis me emër të dëgjuar e të virtytshëm, e konsideronin përgjegjësi të madhe projktimin e rrugës nga vinin dhe ku shkonin.

Shkollën fillore Sokrat Bufi e bëri aty në qytetin e Fierit i cili, për kuriozitet të lexuesit, në atë periudhë ishte një qytezë fare i vogël, vetëm me 4 mijë banorë. Ndoshta ka qenë kjo arsyeja që prindërit e Sokratit, pasi mbaroi filloren, vendosën ta dërgonin për të vazhduar mësimet në qytetin e Beratit, shkollë me profil  profesional e cila, sipas një logjike të thjeshtë, do t’ja vlente më pas për ta punësuar aty në qytet, pranë familjes.

Thuhet se formimin njeriu nuk është diçka që e gjen, është diçka që e krijon në udhën e rritjes. Ndoshta nga kjo filozofi të menduari e gjykuari, familja e nisi djalin përsëri për ta shkolluar, por këtë radhë për mësuesi, në Normalen e Elbasanit, aty ku do të gjente edhe mbështetjen e tezes, martuar në atë qytet, Athinasë. Çuditërisht, njeriu që po “udhëtonte botën” duke kërkuar atë që i duhej, në vitin 1933 u kthye përsëri në Fier, duke u shfaqur “i vërtetë” përpara pridërve, tashmë disi të zhgënjyer se “mësuesia nuk ishte preferenca e tij”. Por nga Normalja e Elbasanit, nga mjediset dhe auditorët e asaj shkolle famëmadhe, Sokrat Bufi nuk mbeti pa gjë në drejtim të formimit si njeri i përgjegjshëm për jetën.

Për Sokrat Bufin, ashtu si edhe ndodh me çdo fëmijë, familja, dy prindërit e tij, mbetën busull orientuese. Ishte vjeshta e vitit 1935 kur vendosën ta nisnin për në qytetin e Shkodrës, për të vijuar mësimet në Liceun e Shtetit si nxënës i jashtëm, duke e sistemuar në familjen e kushëririt të tyre, vëllait të heroit të ardhshëm, Vojo Kushit.

Që në klasat e ulëta të Liceut Sokrat Bufi u bë kurioz të njihej e të bashkëbisedonte me “më të mëdhenjtë”, me ata që ngado që lëvizte i “kontaktonte” në biseda të rëndësishme, nga ato që konsideroheshin “mësime jashtë klase”. Ishte viti 1938  kur ra në kontakt me elementë komunistë të Grupit të Shkodrës, siç ishin  emrat e “ballit të lëvizjes” të atyre viteve Emin Duraku, Nazmi Rushiti e Niazi Demi, me të cilët studionte dhe zhvillonte diskutime për lëndët torike të ekonomisë, e veçanërisht mbi broshurat marksiste. Por ata që ia “prishën mendjen” për të ndjekur, madje për t’u betuar në rrugën e nisur në shërbim të atdheut, ishin ca emra të tjerë të mëdhenj, ca personazhe me karakter të fuqishëm me të cilët do t’i lidhte veprimtaria e mëpastajme si Vojo Kushi, Ndoc Mazi, Emin Duraku, Nazmi Rushiti, Branko Kadia, Bardhok Biba, të cilëve nuk do t’u ndahej kurrë në veprimtaritë e tyre revolucionare. Më së pari ishin pjesmarrja në grevat e organizuara në shkollë, në revoltat e studentëve kundër spiunëve fashistë dhe shpërdarja dorë më dorë tek bashkëmoshatarët të literaturës revolucionare. Ishin bindjet dhe veprimtaria e tij e përditëshme  antifashiste që një ditë, në janar të vitit 1939, të arrestohej. Për fat i riu Sokrat Bufi qëndroi vetëm pesë ditë në burg, sepse autoritetet nuk mundën t’i faktonin lidhjet që ai kishte me “atë kryesorin”, me Emin Durakun, për çka edhe e akuzuan. Nxënësin Sokrat Bufi e “demaskuan” si pjesë e grupeve antifashistë, duke e përjashtuar një muaj nga shkolla. Ai tashmë ishte bërë i rrezikshëm për regjimin dhe ishte regjistruar si person i padëshirueshëm. Kjo çka po themi faktohet edhe në këtë dokument të kohës, të drejtorit të Liceut të Shkodrës, Anton Deda, i cili më 24 janar të vitit 1939, i dërgon këtë shkresë Ministrisë së Arsimit: ”Pardje janë arrestuar pesë nxanës bursistë, të quejtun Niazi Demi, Nazmi Rushiti, Sotir Simoni, Beqir Ndou, e Bardhok Biba. Dje janë arrestue nxanësit e jashtëm: Sokrat Bufi, Kristaq Qirjako, Vojo Kushi dhe Faik Miraku.” Një ditë më vonë, pra më 25 janar, drejtor Deda lajmëron Ministrinë e Arsimit: “Janë lirue nxanësit bursistë Niazi Demi, Beqir Ndou dhe Bardhok Biba dhe nxanësit e jashtëm Sokrat Bufi, Kristaq Qirjako. Dymbëdhjetë nxanësit e tjerë janë transportue aty. Kur janë nis, shumica e tyre kanë përshëndet popullsinë si komunista.”

Por një nga këto revolta e përplasje me forcat qeveritare, ku Sokrat Bufi u ndje “i rritur e i burrëruar”, ishte demonstrata e famshme e qytetit të Shkodrës, e cila u zhvillua më 28 nëntor të vitit 1939. Kjo demonstratë ishte e organizuar mirë, aqsa i vuri në siklet jo vetëm autoritetet e vendit, por edhe qeverinë e Tiranës. Motivimi i këtyre raprezaljeve u analizua deri në Këshillin e Ministrave, i cili në Vendimin e datës 14 dhjetor 1939, bën me dije Ministrin e Punëve të Brendshme Maliq Bushatin: “Këshilli i Ministrave në analizën e fajit prej djelmoshave, shef se ata janë elementa turbullues, janë shfaq reaksionarë kundrejt gjandjes së re të krijueme në Shqipni, gja që e vërtetojnë me demostratat e mbajtuna në internat, por edhe jashtë liceut, nëpër rrugët e qytetit.

“Elementi turbullues dhe reaksionar”, siç e identifikuan autoritetet shtetrorë  Sokrat Bufin, e përfundoi Liceun e Shtetit të qytetit të Shkodrës në mes të vitit 1940. E mbylli me rezultate shumë të mira. Eshtë vendi të themi se ai, edhe pse ishte vetëm 20 vjeç, zotëronte shkëlqyeshëm frëngjishten dhe italishten. Po tani? Ishte rasti që Sokrat Bufi duhet të guxonte. Vendimi ishte i prerë: nuk do të vazhdonte shkollën e lartë jashtë vendit, por do t’i përkushtohej lëvizjes antifashiste. Mesa duket, në këtë drejtim që po i jepte jetës, ndikoi edhe takimi që pati me Qemal Stafën në fillim të vitit 1940. Ishtë koha që shumë të rinj që studjonin jashtë Shqipërisë kishin vendosur të ktheheshin në atdhe dhe të bëheshin mbështetje e lëvizjes Nacionalçlirimtare.

I bindur se po merrte një vendim të drejtë, gjeti rastin të punësohej si llogaritar tek miku i familjes, tek tregëtari Taq Bozo e më pas në Bankën Italiane, po aty në Fier. Por, ndërkohë, ai punonte për të krijuar lidhje me shokë nga qyteti i lindjes, duke pikasur elementë revolucionarë, të rinj që kishin aftësi organizuese dhe drejtuese. Gjatë kësaj periudhe Sokrat Bufi u njoh dhe u miqësua me bashkëmoshatarë që, ashtu si ai, kishin vënë të gjitha energjitë për t’u bërë pjesë e “erës së re”, siç ishin Jorgji Sota, Harrilla Bozo, Rauf Nallbani, Rakip Kryeziu e të tjerë. Për të mos rënë në sy tek ata që i quanin “elemëntë turbullues”, shpesh ishin të detyruar të dilnin jashtë qytetit, duke organizuar gjoja piknike, gara hipizmi apo gara sportive. Në këto mjedise gjenin rastin të diskutonin për mënyrën se si do të organizonin dhe zgjeronin lëvizjen antifashiste në qytetin e tyre, për aksionet që duhej të ndërmerrnin.

Familja është e fortë kur mendjet vijnë në kontakt me njëra tjetrën. Në këtë kuptim është shumë normale të rritesh në një familje perfekte kur edhe vet je perfekt. Ashtu si edhe ndodhte me familjen Bufi. Aty çdo gjë ishte në sinkron të plotë, si vet Sokrati, ashtu edhe familjarët e tij. Nëna e Sokratit, Kristina, së bashku me të kunatën, Dhoksinë, morën pjesë të parat në grupet edukative dhe të dyja, po ashtu, u bënë aktiviste të organizatës së gruas antifashiste në Fier. Babai, Tonçi, u burgos disa herë, me dyshimin se shtëpia e tij ishte bërë strehë e elëmentëve të rrezikshëm që ndiqeshin nga regjimi. Kishte përmbajtje të thellë, nëmos ishte një konkluzion i nxjerrë nga veprimtaria e përditëshme, kur djaloshi Sokrat Bufi gjente rastin të thoshte: Unë kam nevojë për ata, por edhe ata kanë nevojë për mua.

Për Sokrat Bufin, i cili drejtonte dhe njihej edhe si drejtues i anëtarëve të Grupit Komunist të Shkodrës në qytetin e Fierit, moment shumë ndikues në punën e tij si organizator, ishte ai i kontaktimit dhe këshillave që mori nga Qemal Stafa. Takimi me Qemal Stafën u bë nxitje shumë e fortë për të shtrirë veprimtarinë revolucionare tej kufijve të qytetit. Eshtë koha kur me punë pasionante e të orientuar me mençuri, Sokrati kishte ngritur tre grupe edukativë me të rinj, njëri prej të cilëve funksiononte në zonën fshatare. Në kushtet e një konspiracioni të plotë ishte krijuar edhe njësiti gueril. Po në këtë periudhë ai konsiderohej “njëshi” i lëvizjes edhe sepse u bë ndërmjetësi kryesor midis lëvizjes komuniste në Fier dhe lëvizjes komuniste të Tiranës, prej nga sillte edhe materiale propagandistike, të cilat vet ai i trajtonte si “shpresa të pritjes të së mirës”.

Sokrat Bufi, në të gjithë veprimtarinë e tij, udhëhiqej nga mendimi se nuk duhej pritur derisa çdo gjë të ishte e përkryer. Menjëherë pas krijimit të PKSH të vitit 1941, në dhjetor të atij viti, sipas dokumentave të kohës “Me ndërmjetësinë e Sokrat Bufit dhe Asaf Dishnicës, u bë lidhja me KQPKSH në Tiranë dhe u kërkua ardhja e një delegati nga qendra për të krijuar organizatën e Partisë Komuniste në Fier. Kjo u arrit më 8 shkurt 1942. Sekretar i Partisë Komuniste për Fierin u zgjodh Sokrat Bufi, i cili do të mbulonte edhe sektorin politik.

Sokrat Bufi ishte një ndër ata kuadro udhëheqës i cili rrezikonte për të përmbushur detyrën në çdo rrethanë që të ndodhej. Kështu, pas arrestimit në Qafën e Koshovicës, në hyrje të Fierit, të tre komunistëve të Tiranës në mars 1942, të cilët ktheheshin nga një takim në Vlorë, do t’u vinte radha komunistëve të Fierit. N/ministri Mark Gjon Markaj, në 5 qershor 1942, lëshon qarkoren për të gjitha N/prefektuarat: “Çdo kuesturë  në marrëveshje me prefekturat e me organet e tjera të policisë, të studiojë me kujdes situatën e vendit, të gjurmojë të dyshimtët dhe të përdorin çdo mjet për të zbulue rrjetin  e organizatës.” Dhe ky kërcënim i qeverisë nuk mbeti pa gjë. Më 1 qershor 1942, u arrestuan 30 anëtarë të organizatës së partisë, të rinisë dhe disa simpatizantë të saj. Midis tyre në atë listë ishte edhe Sokrat Bufi, por falë lajmit që i përcolli një nga veprimtarët aty në mjediset e Bankës Italiane ku punonte, ai mundi të arratisej e të hidhej në ilegalitet. Arrestimet e komunistëve të organizatës së Fierit dokumentohen nga kuestori i Beratit, më 14 qershor 1942, i cili njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Tiranë: “Në vazhdim të kërkimeve rreth celulës komuniste të Fierit janë arrestue përsonat e mëposhtëm, të cilët kanë marrë pjesë aktive në organizatë”. Aty gjënden emrat e të gjithë të arrestuarëve, një pjesë e të cilëve ishin pjestarë të familjes Bufi. Por policia fashiste kërkonte gjithandej për të arrestuar kokën drejtuese të organizatës komuniste, Sokrat Bufin. Për këtë kuestori i Beratit më 12 gusht 1942, njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Tiranë: “Sokrat  Bufi, i Tonçit dhe Kristinës, punonjës i bankës,… është denoncuar për arrestim në Gjykatën Ushtarake të FF.AA. të Unifikuar të Shqipërisë, sepse është pjesëtar në një celulë komuniste në Fier. Ka ide armiqësore dhe konsiderohet i aftë të bëj propogandë në dëmin tonë.”

Karakteri i Sorat Bufit u formua, duke u ndeshur me stuhitë që po e përplaste jeta. Dalja ilegal ishte diçka e paprovuar për të, ndaj edhe i duhej të ishte i kujdesshëm për të mos rënë në gjurmët e milicisë fashiste e cila e kërkonte për ta arrestuar. Madje, për të shpëtuar nga një arrestim i sigurt, pas shpërdarjes së njoftimit të policisë se kush strehonte dhe ndihmonte të arratisurit Sokrat Bufi, do t’i digjet shtëpia dhe do të internohet familjarisht…”,  atij iu desh të qëndronte në fshatrat e periferisë së Fierit për më shumë se tre muaj i veshur si çoban.

Të gjitha gjërat që të çojnë tek suksesi arrihen vetëm kur qëndron superior ndaj rrethanave që të krijohen. Zbritja në qytet nga jeta ilegale e Sokrat Bufit, gjë që përkon me fundin e shtatorit të vitit 1942, do ta përballte me detyra të reja, detyra që lidheshin me krijimin e këshillave nacionalçlirimtare, si hallkat më të rëndësishme për zgjerimin e luftës partizane. Dokumentat që pasqyrojnë përpjekjet rreth kësaj çështjeje, e cila konsiderohet “beteja e parë” që solli fitoren mbi fashizmin, e nxjerrin Sokrat Bufin në skalionin e parë të kryerjes të kësaj detyre në krahinën e Mallakastrës, në Libofshë dhe në krejt Myzeqenë. Sigurisht, ai bashkë me shokët punonin paraleshisht edhe për ngritjen e formacioneve të para të luftës së organizuar, gjë që u finalizua me ngritjen e dy çetave të para, ajo e Myzeqesë, 26 dhjetor 1942 në Kolonjë të Lushnjës dhe Çeta e Mallakastrës, më 4 shkurt 1943 në fshatin Klos.

Aftësitë si luftëtar dhe organizator Sokrat Bufi nuk i gjeti në libra e që të mund t’i pwrvetësonte brënda ditës. Ai arriti të veçohej nga të tjerët dhe të mbetej si i përzgjedhur për ta ngarkuar me detyra të rëndësishme në formacionet partizane, vetëm pse dallohej për ndershmëri, si njeri i drejtë, si njeri i aksionit dhe që e kërkonte guximin tek vetja e pastaj tek të tjerët. Ishin këto virtyte, të cilat diktuan për të ngjitur shkallët e karierës në frontin e luftës një e nga një, nga komisar kompanie në batalionin partizan “Petro Sota”, e deri në z/komisar të Brigadës së XVI-të Sulmuese.

Kur vendi u çlirua Sokrati ishte vetëm 24 vjeç. Ishte moshë që një i ri si ai,  dëshironte të përjetonte ëndrra të bukura. Por që të shohësh ëndrrra të bukura, duhet të flesh, e që t’i jetosh ato, të duhet të rrish zgjuar. Sokrat Bufi zgjodhi këtë të dytën, t’u gëzohej ëndrrave duke punuar për të ndërtuar Shqipërinë. Qysh në fillim iu ngarkuan detyra shumë të rëndësishme si n/drejtor i policisë popullore, shef i seksionit politik të Policisë, shef i sektorit të ndërtimit, përgjegjës i Degës së Kontrollit në Ministrinë e Brendshme etj. Në dhjetor të vitit 1948 Sokrat Bufit iu ngarkua detyra e lartë, ajo e Sekretarit të Parë në rrethin e Fierit. Duke qënë se ai e ruante dinjitetin vetëm me punë, iu desh “të sforcohej”, të mendonte se “receta” më e mirë për t’i dalë në krye asaj të përpjete, ishte vetëm puna e ndershme. Për ta ilustruar këtë çka themi, po sjellim një kujtim që vjen pas se 70 vjetësh nga bahkëshortja e tij, znj. Ksanthipi Bufi: “Vitin e ri nuk e bëmë në Tiranë. Shkuam menjëherë në Fier, kaq me qejf e mori punën në vendlindjen e tij, ku kishte rrezikuar disa herë jetën gjatë Luftës Nacionalçlrimtare.”

Sokrat Bufi kurrë nuk e uli kokën kur bëhej fjalë për të drejtën, për të vërtetën. Madje edhe pse një ditë u ndëshkua rëndë, duke ia ndërprerë studimet në BS, ai nuk u thye, nuk pranoi t’i thoshte “derrit dajë” për ca interesa të vockla, por që nga kjo do të “ndëshkohej” rëndë dinjiteti i tij si kuadër e si intelektual. Ndoshta nga kjo qëndresë e fortë, pra që nuk mundën ta blinin, e shitën. Fakti që ai u caktua në një detyrë të zakonshme në ministrinë e Bujqësisë e që pas një viti, në 20 maj të viti 1957, vetëm 36 vjeç, ndërroi jetë në rrethana të pashpjegushme, pa qënë më parë asnjë ditë dhe asnjëherë i sëmurë, tregon diçka misterioze, diçka që ai për dikë mund të ishte bërë „rrezik“ e që me patjetër duhej të eleminohej.

Familja për Sokrat Bufin ishte zbukurim, nuk ishte pronë. Por për fat të keq ky “zbukurim”, pra familja e tij, mbeti shumë herët pa atë që ia lartësonte emrin, burrit të shtëpisë. Ai la pas gruan, Ksanthipin, në moshë fare të re, 28 vjeç, e cila ka dhënë kontribut të çmuar në luftë, por edhe pas çlirimit, në të gjitha punët që iu caktuan. La edhe katër fëmijë, të madhin 9 vjeç dhe vajzën 6 muajshe. Ksanthipi Bufi, kjo grua heroine, mundi t’i rrisë dhe t’i shkollojë me sakrifica të mëdha, të katër me arsim të lartë: Yllin, Arbenin, Agimin dhe vajzën, Zanën. Sa për kujtesë për lexuesin, djali i madh, Ylli, ka kryer detyra të rëndësishme në administratën e shtetit, deri në pozicionin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë.

Për kontibutin në luftë për çlirimin e Atdheut nga pushtuesit nazifashitë, Sokrat Bufi është vlerësuar nga istancat më të larta të shtetit meMedaljen e Kujtimit”, (8 maj 1946), “Medaljen e Çlirimit” (8 maj 1946), “Urdhërin e Flamurit”, (26 nëntor 1949), “Ylli Partizan kl. III”, (26 nëntor 1949) dhe “Medalja e Trimërisë”, (26 nëntor 1949). Gjithashtu ai është nderuar edhe me titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Qarkut të Fierit (pas vdekjes), si ish-pjesëmarrës në luftën për çlirimin e vendit nga nazifashizmi.

Kam dëgjuar të thuhet se çdo njeri lë shenjën e tij pasi largohet nga kjo botë. Unë them me bindje të plotë se Sokrat Bufi la hijen e një burri të madh, i cili guxoi të jetonte për të vërtetën.                    

 

 

 

 

Share This Article
5 Comments
  • Ylli bufi ne detyren e kryeminstrit te qeverise teknike, Kur foli nga Tribunal e ngritur me rastin e vizites se ministrit te jashtem amerikan, James Beker, tha:

    “Politika antipopullore dhe antikombetare e regjimit te kaluar”

    Dmth ate regjim per te cilin luftoi i jati dhe e jema, ai regjim qe Ju dha mundesine 4 jetimeve te mbaronin studimet e larta,
    ai ishte anti kombetar e antipopullor.

    I lutem autorit te mos e permendi yllin, turp e gjëmë. Sduhet te permendet qe eshte biri i Sokratit.

    Une nuk e harroj dhimbjen dhe zhgenjimin e babait Tim, me nje Biografie te pasur patriotike Si e Sokratit, kur degjoi ato fjale te yllit, i zgjedhur Si perfaqesues i te majtes socialiste.

    Lepirje mendereje qe si solli asgje popullit.
    Ndoshta yllit personalisht e familjarisht (duke ditur sot nivelin e korrupsionit).

    Prandaj ylli e peshtyu nenen e babane. Turp.

    Njerezit nuk harrojne.

    ylli nje buf po jo Shqiponje

  • Ylli bufi ne detyren e kryeminstrit te qeverise teknike, Kur foli nga Tribunal e ngritur me rastin e vizites se ministrit te jashtem amerikan, James Beker, tha (dhe jo nje here):

    “Politika antipopullore dhe antikombetare e regjimit te kaluar”

    Dmth ate regjim per te cilin luftoi i jati dhe e jema, ai regjim qe Ju dha mundesine 4 jetimeve te mbaronin studimet e larta,
    ai ishte anti kombetar e antipopullor.

    I lutem autorit te mos e permendi yllin, turp e gjëmë. Sduhet te permendet qe eshte biri i Sokratit.

    Une nuk e harroj dhimbjen dhe zhgenjimin e babait Tim, me nje Biografie te pasur patriotike Si e Sokratit, kur degjoi ato fjale te yllit, i zgjedhur Si perfaqesues i te majtes socialiste.

    Lepirje mendereje qe si solli asgje popullit.
    Ndoshta yllit personalisht e familjarisht (duke ditur sot nivelin e korrupsionit).

    Prandaj ylli e peshtyu nenen e babane. Turp.

    Njerezit nuk harrojne.

    ylli nje buf po jo Shqiponje

  • Sokrat Bufi ka qenë personi që solli dosjen e parë kundër Mehmet Shehut, rreth 30 vjet përpara se Mehmeti të vetvritej.

  • Po as emrin nuk ja permende Mehmet Shehut o Dhimiter,kaq frike ke nga hija tij?
    Po Sokrat Bufi nuk e pati frike per se gjalli edhe pse ishte minister i Brendshem,numri dy ne qeveri pas enver hoxhes ne 1953 kur e denoncoi kriminelin dhe antimyzeqarin memet krimineli.
    Kam njohur dy djemte e Sokratit Ylli Bufin dhe Arben Bufin qe jane Nder i inteligjences shqiptare,kane punuar ne kushtet e veshtira te gjendjes se Atdheut pas falimentimit te sistemit komunist.

  • Po as emrin nuk ja permende Mehmet Shehut o Bashkim Koci,kaq frike ke nga hija tij?
    Po Sokrat Bufi nuk e pati frike per se gjalli edhe pse ishte minister i Brendshem,numri dy ne qeveri pas enver hoxhes ne 1953 kur e denoncoi kriminelin dhe antimyzeqarin memet krimineli.
    Kam njohur dy djemte e Sokratit Ylli Bufin dhe Arben Bufin qe jane Nder i inteligjences shqiptare,kane punuar ne kushtet e veshtira te gjendjes se Atdheut pas falimentimit te sistemit komunist.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *