Kamerat, kush i fshiu pamjet / Replikat në gjyq mes PD dhe Alizotit

redaktor

Përballja në gjykatë  e ish deputetit demokrat Ervin Salianji me një nga personazhet kyç në të ashtëquajturën dosja “Babale”, Fredi Alizoti, do të zbulontë një sërë detajesh që zbardhën prapaskenat e kësaj ngjarje e cila mbajti të tënsionuar për shumë kohë jetën politike në vend.

Denoncimi i Partisë Demokratike se kishte mundur të zbulonte se vëllai i ish ministrit të Brendshëm ishte kapur duke biseduar për pazare të bimëve narkotike, do të rrëzohej nga vetë aktorët që inskenuan ngjarjen.

Referuar dëshmive të tyre para trupit gjykues, të dyja palët duket se nuk kanë mbajtur asnjë rezervë duke adresuar drejt njëri-tjetrit të gjitha akuzat mbi atë çka kishin ndërtuar.

Gjatë përballjes në gjykatë, Alizoti i kujton Salianjit takimin në “selinë blu” në shoqërinë e funksionarëve të tjerë të cilët ju zotuan se në shkëmbim të imitimit të zërit të Agron Xhafajt do ta shpërblenin me të paktën 200 mijë euro.

Ish-ligjvënësi mohon njohjen me Fredi Alizotin, ndërkohë në bazë të të gjitha përgjimeve telefonike, ai ka kryer telefonata të gjata me disa nga emrat më të rëndësishëm të Partisë Demokratike si Florenc Hoxha, Erzen Berçani, Sali Lushaj etj, gjatë bisedave me të cilët është deklaruar qartazi bashkëpunimi me Salianjin dhe takimet mes tyre.

Foto nga salla e gjyqit: Fredi Alizoti, personi që imitoi zërin e Agron Xhafajt në të ashtuquajturin audio-incizim publikuar nga PD

Pjesë nga replikat në sallën e gjyqit botuar dje nga DITA:

Alizoti: A jemi takuar unë, z. Gazmend Bardhi dhe ti dhe Albert Veliu, ku të katërt kemi pirë kafe të PD-ja?

Salianji: Prokuroria por edhe Gjykata do t’i ketë, të gjitha komunikimet të këtij shtetasi por edhe të Albert Veliut, të mijat, por dhe të Jetmir Olldashit në të cilat ky nuk ka komunikuar asnjëherë me mua, asnjë thirrje që mos ta quaj komunikim dhe ka bërë pafundësisht thirrje me deputetët e PS. Dhe këtë komunikimin që thote jo do më japin para, e thotë pasi ndodh kjo.

Prokurori:  Mund të përcaktoni me cilin ka kontaktuar në fillim apo është njohur Albert Veliu? Gjithmonë për denoncimin e rastit ose arsye tjetër. Me ju apo me të pandehurin Jetmir Olldashi?

Salianji: Me Jetmir Olldashin, në dijeninë time…

Gjykata: Pra ju definoni? E keni shteruese këtë përgjigje?

Salianji: Tabulati telefonik tregon që një ditë përpara kam folur me Jetmir Olldashin dhe një ditë më pas me Albert Veliun.

Gjykata: Pra nga tabulatet e keni përgjigjen?

Salianji: Po unë takoj dhjetëra njerëz në ditë, unë them këtë shtetas e kam takuar nga Jetmir Olldashi. Nëse ka thirrje telefonike drejtuar drejt meje dhe unë nuk i jam përgjigjur mund të ketë pafund. Por nuk kam njohje tjetër të mëparshme.

Prokuroria: A ju ka shpjeguar i pandehuri Jetmir Olldashi sesi kishte rënë në kontakt me të pandehurin Veliu? Gjithmonë meqenëse thatë që ishte ai i pari që ka kontaktuar, nëse e dini, nëse se dini…

Salianji: Më ka thenë që ka ardhur si rast për të denoncuar një trafik droge, për investigim

 

Ndërkohë, Alizoti i ka përmendur edhe pagesën e premtuar ku Salianji i ka mohuar, duke mohuar edhe rënë në kontradita edhe më dëshmitë e “dëshmitarit X” i cili njëherë pretendonte se ishte përgjim i SHISH, njëherë regjistrim i Partisë Demokratike dhe njëherë tjetër si investigim gazetaresk.

“Unë këtë person që po e shoh këtu nuk e kam takuar asnjëherë. Unë me persona të SHISH-it, të identifikuar ose jo si të tillë, nuk njoh edhe sot e kësaj ditë asnjë person. Nuk kam njohur asnjëherë një person që punon në SHISH, që unë ta identifikoj apo t’i kem numrin e telefonit. Dhe e treta, unë nuk kam, as nuk disponuar, as nuk disponoj dhe besoj as nuk do të disponoj në të ardhmen, asnjë material audio-përgjimi apo video-përgjimi apo çfarëdo lloj përgjimi tjetër. Detyra ime është që të denoncojë kur më vijnë raste publike, kaq”, shprehej Salianji.

Ndërkohë, jashtë vëmendjes nuk ngel edhe sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi i cili nga ana tjetër shigjetohet nga dëshmitari Alizoti duke i zbardhur takimin në kafen e Partisë Demokratike, vendin ku u inskenua një pjesë e audio-përgjimit i cili do t’i faturohej vëllait të ish ministrit të Brendshëm.

I trembur nga procesi gjyqësor dhe nga përgjimet e zbardhura nga prokuroria, edhe Bardhi do të ndiqte të njëjtën linjë me Salianjin duke mohuar të gjitha përgjimet.

Gjykata: Po dëshmitarin tjetër Alizoti. Fredi Alizoti?

Bardhi: Jo nuk e kam takuar asnjëherë. Nuk e njoh as si fytyrë.

Alizoti: Për të njohur nuk njihemi por jemi takuar. Mbas publikimit të videos jemi takuar, unë, Albert Veliu, Salianji dhe zotëria por s’kujtohet mirë. Dhe Klevis Balliu kemi pirë edhe kafe.

Bardhi: Është gënjeshtër z. Gjyqtar…

Alizoti: Të hapen kamerat e PD-së dhe të shikoni…Mund të them dhe diçka. Dhe znj. Lala këtu, te prokuroria e lartë…

Bardhi: Këtë zotrinë nuk e kam takuar asnjëherë, në djeninë time as deputeti Salianji nuk e ka takuar. Selia e PD-së ka kamera dhe mund të verifikohet nga gjykata dhe prokuroria.

Por ndërkohë, Partia Demokratike ka refuzuar kërkesën për hapjen e kamerave të brendshme të cilat do të faktonin edhe takimet e kryera mes Fredi Alizotit, Albert Veliut dhe funksionarëve më të lartë të selisë blu të cilët kanë kopsitur në ambjentet e brendshme skenarin për të fabrikuar zërin e vëllait të ish ministrit të Brendshëm.

 

*****

Botuar numrin e djeshëm në DITA. Faksimilet përkatëse mund të shihen në DITA versioni print. Materiali hulumtues vijon sot me implikimin e SHISH dhe PKR në fabrikimin e falsifikimit Babale. 

Share This Article