Skenari “Babale”, mashtrimi i PD dhe kërkesa për një intervistë

redaktor

Gazeta “Dita” prej disa numrash ka publikuar një pasqyrim të plotë dhe të zgjeruar të dosjes “Babale”, çështje kjo mjaft e bujshme që solli një krizë të madhe në arenën politike të vendit.

Në mënyrë të detajuar, stafi ynë analizoi çdo detaj, çdo deklaratë dhe çdo implikim që nga aktorët kryesorë, te palët politike, Shërbimi Informativ Shtetëror apo Prokuroria e Krimeve të Rënda.

 “Dita” publikoi për herë të parë të gjithë itenerarin e lëvizjes që kishin ndjekur vëllai i ish ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj dhe shtetasi Albert Veliu i njohur ndryshe si “Babalja”, personazhi i cili mundi të inskenojë për llogari të Partisë Demokratike një bisedë me kunatin e tij Fredi Alizoti.

Për disa ditë me radhë, në versionin print dhe në websiten tonë, gazetadita.al, ne mundëm të pasqyrojmë për herë të parë përgjimet e plota telefonike, të cilat shpesh herë ishin përcjellë fragmentalisht, të shtrembëruara dhe të censuruara.

Për herë të parë, “Dita” publikoi përgjimet telefonike mes funksionarëve të Partisë Demokratike, Florenc Hoxha, Erzen Berçani, Sali Lushaj etj, me dy aktorët kyç Fredi Alizoti dhe Albert Veliu.

Për të gjitha këto dhe të tjera, për të ditur këndin e tij të së vërtetës, gazeta “Dita” i është drejtuar sot ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj për një intervistë.

Duke respektuar vendimin e tij ku deklaronte se si njeri i ligjit do të fliste rreth kësaj çështje vetëm pasi drejtësia të kishte thënë fjalën e saj, “Dita” sot i adreson një ftesë publike deputetit socialist për të folur lidhur me këtë çështje, përfshirjen e aktorëve politik, implikimin e SHISH, skenarët e PD dhe të gjithë individët e implikuar.

 

Dita

Share This Article