Prokuroria dhe Gjykata e Vlorës nuk e përballojnë dot presionin dhe tensionin për procesin ndaj kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Në një kërkesë zyrtare të firmosur nga dy prokurorët e çështjes dhe trupi gjykues, njoftohet transferimi i dosjes në një tjetër gjykatë. Kërkesa erdhi pasi gjatë seancës së parë gjyqësore në Gjykatën e Vlorës, jashtë ndërtesës janë grumbulluar dhjetëra mbështetës të kryetarit të Bashkisë, të cilët qëndruan në pritje të rrjedhës së procesit dhe madje hodhën parulla e brohoritje në favor të tij. Nga frika e ndonjë trazire apo ndikueshmërie tek gjyqtarja e çështjes, Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë, i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë transferimin e dosjes.
Sipas prokurorisë, “deri në një vendim të Gjykatës së Lartë, dosja do të vazhdojë shqyrtimin pranë Gjykatës së Vlorës, ku të pandehurit do të përballen me akuzat e “falsifikimit të dokumenteve” dhe “ndërtimit të paligjshëm”. Gjykata e Lartë pritet të vendosë nëse do e aprovojë kërkesën për transferim të gjykimit, por gjasat janë që kjo çështje të gjykohet në Tiranë. “Seancat ndaj kryetarit të Bashkisë, Shpëtim Gjika, e 7 të tjerëve, nuk mund të kryhen normalisht për shkak të presionit të madh mediatik, por edhe prezencës së shumtë të qytetarëve në sallë gjatë zhvillimit të seancave”, thuhet në kërkesën e prokurorisë. Nga kancelaria e Gjykatës së Vlorës konfirmohet se tashmë kjo kërkesë është dorëzuar në Tiranë dhe pritet vetëm vendimi, për transferimin, ose jo, të dosjes në ngarkim të Gjikës, për në kryeqytet.
Seanca e radhës është caktuar për në orën 11:30 të datës 5 dhjetor. Gjika akuzohet për lëshimin e dy lejeve të ndërtimit në kundërshtim me procedurat, ku ka hedhur firmën e tij pa kaluar kërkesën e subjekteve në KRRT. Sipas prokurorisë, Gjika në cilësinë e kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me të pandehurën Eleni Dardhaj, punonjëse pranë bashkisë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy proces-verbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, përkatësisht të datës 24 mars 2010 dhe 15 korrik 2010. Lejet janë përfituar nga dy subjekte private, një prej të cilëve deklarohet se ishte edhe zyrtar në bashki. Bashkë me Gjikën të pandehur janë edhe 7 persona të tjerë, nga të cilët 4 janë pronarët e truallit e firmave të ndërtimit. Seancën e kaluar avokatët kërkuan shtyrjen për t’u njohur me dosjen e prokurorisë.
Të pandehurit:
Shpëtim Gjika, kryebashkiak
Eleni Dardhaj, specialiste
Gëzim Feta, ndërtues
Gentian Sherifaj, ndërtues
Blerdi Licaj , ndërtues
Mustafa Tartari, ndërtues
Artan Ferati, ndërtues
Aleks Ahmataj, ndërtues

Te ishte gjalle Enveri, ne Vlore do ja bente gjyqin