Konstandin Kristoforidhi – I papërsëritshmi

Ornela

Prof. Emil Lafe

Në 125-vjetorin e vdekjes së Babait të Gjuhës Shqipe

Përkujtimi i Konstandin Kristoforidhit në 125 vjetorin e vdekjes (Elbasan, 7 mars 1895) dhe i punës së tij monumentale për gjuhën shqipe vjen me një ribotim të veprës së tij madhore, “Fjalorit të gjuhës shqipe”, që ai e hartoi me aq zell e dashuri, po që nuk arriti ta shihte të botuar, në duart e shqiptarëve. Fjalori u botua më 1904 në Athinë me titullin që i kishte vënë autori: Fjalor i gjuhës shqipe (Leksion tēs albanikēs glōssēs). Prof. Xhevat Lloshi, hulumtuesi më i përkushtuar i dokumentacionit për K. Kristoforidhin dhe studiuesi më i thelluar i jetës dhe veprës së këtij rilindësi të madh, shkruan për fjalorin se ai është libri që ndër veprat shqipe ka ndoshta historinë më të gjatë e më të ndërlikuar si të hartimit, ashtu dhe të botimit. Dhe historia e këtij fjalori vijon të pasurohet me të papritura e panjohura. Në fund të vitit të shkuar Shtëpia botuese “Dielli” (Beograd) nxori një botim të ri të tij: Konstandin Kristoforidhi, Fjalor i gjuhës shqipe (me shpjegime në frëngjisht nga Martin Camaj), 246 f. Libri është përgatitur për shtyp nga prof. Naile Mala Imami, përgjegjëse e katedrës së gjuhës shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Beogradit. Duke na shpjeguar historinë librit, ajo shkruan se fjalori është punuar nga Martin Camaj (1925–1992) gjatë viteve 1949–1953, kur ai ndiqte studimet për romanistikë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit dhe ku dha ndihmesën e tij edhe në Katedrën e Albanologjisë, një nga pesë katedrat më të vjetra të këtij universiteti. Në ato vite një nga miqtë më të ngushtë të Martin Camajt ishte Sitki Imami (vjehrri i ardhshëm i Naile Malës), shkrimtari dhe përkthyesi i njohur nga Gjakova, i cili asokohe punonte në seksionin shqip të Radios Shtetërore të Jugosllavisë. Më 1957 M. Camaj u detyrua të largohej me ngut nga Jugosllavia dhe ia la kopjen e vetme të dorëshkrimit të fjalorit mikut të vet Sitki Imami, i cili e ruajti me shumë kujdes deri në fund të jetës. Më pas, i biri, Petrit Imami (1945–2019), profesor dhe skenarist i njohur në Fakultetin e Arteve të Dramës (ndër të tjera autor i një monografie në tri vëllime “Serbët dhe Shqiptarët ndër shekuj” vëll. I, 588 f; vëll. II, 555 f.; vëll. III 445 f., Beograd, 2016, 2017; vëll. III trajton lidhjet kulturore midis serbëve dhe shqiptarëve), vijoi ta ruante këtë fjalor si një amanet të të atit e të Martinit dhe gjithmonë, në biseda me miq, studiues e dashamirë, kërkonte që të gjendej mundësia e botimit të kësaj vepre.

Kam pasur rastin ta shfletoj dorëshkrimin e Martin Camajt para tre vjetësh në shtëpinë mikpritëse të familjes Imami në Beograd dhe të dëgjoj nga prof. Petrit Imami historinë e librit, që e përshkruan më lart bashkëshortja e tij. Dorëshkrimi i fjalorit është i shtypur me makinë shkrimi, me fletë formati dhe në mjaft prej fletëve, në pjesën e pasme, gjenden poezi ose pjesë poezish, që Camaj i kishte shkruar gjatë kohës kur merrej me fjalorin. Koha kishte bërë të vetën dhe vende-vende teksti mezi lexohej. Dukej sikur ishte kopja e tretë ose e katërt e daktilografimit. Në të vërtetë nuk dihet në sa kopje do ta ketë daktilografuar tekstin Martini dhe ku mund të kenë përfunduar të tjerat. M. Camaj kishte filluar studimet për romanistikë në Universitetin e Beogradit më 1949, kur ishte 24 vjeç. Pra del se e ka kryer punën për fjalorin gjatë viteve të studimeve. Ka qenë sigurisht një ndërmarrje e vështirë dhe e mundimshme për moshën e tij të re, pa pasur pranë me kë të diskutonte e kë të pyeste për çështjet që duhej të zgjidhte e të sqaronte gjatë punës.

Prof. Emil Lafe

Dihet se Kristoforidhi e shkroi fjalorin e tij me alfabetin e greqishtes dhe shpjegimet e fjalëve të shqipes i dha greqisht. Atëherë ishin një numër i madh shqiptarësh (sidomos nga Shqipëria e Jugut dhe e Mesmja) të shkolluar në shkollat greke në Shqipëri e në Greqi. Ata njihnin në mënyrë më të plotë greqishten, si gjuhë e shkollimit, sesa shqipen (gjuha e familjes dhe e vendlindjes), dhe për këtë arsye Kristoforidhi fjalët e shqipes i shpjegoi greqisht. Në mënyrë të ngjashme do të vepronin më pas autorët e veprës “Fjaluer i Rii i Shqypes përbâam prejë Shoqniiet t’ Bashkimit”, botuar në Shkodër më 1908 dhe që njihet si fjalori i “Bashkimit”. Shpjegimet e fjalëve shqipe në këtë fjalor janë dhënë italisht, një gjuhë e njohur nga shumica e të shkolluarve në Shqipërinë e Veriut. Por as fjalori i K. Kristoforidhit e as ai i “Bashkimit” nuk janë synuar nga autorët si fjalorë shqip – gjuhë e huaj, përkatësisht shqip-greqisht e shqip-italisht, por si vepra që do të përfshtillnin (fjalë e A. Xhuvanit) pasurinë e fjalëve e të shprehjeve të gjuhës shqipe. Vetë Kristoforidhi ka shkruar për fjalorin e tij se “asht i gjithë gjuhës Shqipnisë” dhe se për këtë fjalor ka mbledhur fjalë “anë e mb’anë e kant më kant”.

Fjalori i K. Kristoforidhit u ribotua më 1961 i tejshkruar me alfabetin e sotshëm nga Aleksandër Xhuvani. Siç e shpjegon në parathënie, gjatë punës A. Xhuvani u përball edhe me detyra të tjera: “duheshin ndreqë, rregullue e vû në vend edhe disa gjana të tjera të lidhuna me gjith punën sistematike të fjalorit.” Krahas kësaj ai përktheu nga greqishtja në shqipe përkufizimet, shpjegimet dhe shembujt e sjellë për ilustrim; shënoi rregullisht me shkurtime te çdo fjalë pjesën e ligjëratës dhe karakteristikat gramatikore; ndreqi një numër gabimesh shtypi; shumë fjalëve që Kristoforidhi i kishte lënë me pikëpyetje, u vuri shpjegimin. Pas gjithë kësaj pune të imët, A. Xhuvani arrin në përfundimin se Kristofordhi nuk kishte punuar me skeda, siç punohet sot, dhe se dorëshkrimin e vet “nuk e kishte marrë nëpër duer të funtmen herë, që t’i bante qortimet e rregullimet e duhuna.” A. Xhuvani e kishte pasur ëndërr që ta ribotonte fjalorin e Kristoforidhit, që ishte, si të thuash Bibla e tij. Nuk e hoqi ndonjëherë nga tryeza e punës. Duke u marrë gjithë jetën me Kristoforidhin, kishte hyrë, siç thuhet në lëkurën e tij. Me ato që tregonte, mua më dukej sikur e kishte pasur shok e mik. Por ishte vetëm 15 vjeç kur vdiq Kristoforidhi dhe kishte pasur shok shkolle të birin e tij, Anastasin.

Instituti Historisë dhe i Gjuhësisë i Universitetit të Tiranës, për të kryer një botim cilësor të kësaj vepre madhore për gjuhën shqipe, arriti ta përfshinte në marrëveshjen kulturore me Çekosllovakinë dhe fjalori u shtyp në Pragë. Meqenëse sipas marrëveshjes një pjesë e tirazhit do t’i mbetej palës çekosllovake, botuesit e Pragës, pa dijeninë e A. Xhuvanit dhe të Institutit, i vunë titullin “Fjalor greqisht-shqip”, në mënyrë që me këtë titull të tërhiqej në tregun e librit. Me korrigjimin e bocave të shtypit ishte ngarkuar filologu Dhimitri Pilika, që ndodhej atëherë në Pragë. Pa pyetur askënd, ai e shënoi veten si redaktor në faqen e prapme të ballinës. (Me ndërhyrjen e Institutit në tirazhin që erdhi në Shqipëri, te emri i tij u ngjit një copëz letër e bardhë). E mbaj mend kur erdhi prof. A. Xhuvani në zyrë dhe ua tregoi librin prof. E. Çabejt dhe prof. M. Domit, që e kishin ndjekur nga afër punën e tij me fjalorin e Kristofordhit. Ishte i gëzuar që e pa më në fund të botohej pas shumë vonesash e shtyrjes, po edhe pak i mërzitur me të dyja ato cene që përmenda. Më 14 mars të atij viti kishte shkelur në vitin e 82-të të jetës. Por shqetësimet nga prostata po i shtoheshin. Pas disa muajsh u shtrua në spital dhe u operua me mënyrat dhe mjetet e asaj kohe. Nuk e përballoi dot ndërhyrjen dhe ndërroi jetë më 22 nëntor 1961.

  1. Xhuvani e kishte kryer punën me fjalorin dhe e kishte nënshkruar Parathënien e librit në nëntor 1953. Pra në të njëjtën kohë, në Tiranë A. Xhuvani, lagjar i Kristoforidhit (të dy lindur në lagjen Kala të Elbasanit), dhe në Beograd malësori i Dukagjinit M. Camaj, i ishin përkushtuar rijetësimit të fjalorit të Kristoforidhit. Megjithëse i botuar në 1000 kopje (sipas librit të vyer të Ramazan Vozgës “Libri shqip 1555–1912 në fondet e Bibliotekës Kombëtare”, Tiranë, 2010, f. 220), ky fjalor në gjysmën e dytë të shek. XX qe bërë një rrallësi bibliografike. A. Xhuvani shkruan në parathënien e botimit të tij se fjalori mbas botimit të tij më 1904 në Athinë, “mbeti si nji gjâ e çmueshme arkeologjike, e lanë më nj’anë, që u hynte në punë për studime vetëm atyneve që veç shqipes dijshin edhe greqishten. Për pjesën tjetër të Shqiptarëvet, për t’u hymë në punë studentëvet, punëtorëvet, intelektualëvet, i shkruem si ishte me alfabetin greqisht, ishte i papërdorshëm.“ Veç kësaj, me krijimin e shtetit shqiptar dhe të institucioneve të tij arsimore, greqishtja e kishte humbur pozitën e saj në arsimin e në kulturën e shqiptarëve, pra ishin rralluar shumë ata që mund ta përdornin lirisht këtë vepër, ku fjalët shqipe janë shkruar me alfabetin grek dhe shpjegimi i këtyre fjalëve është dhënë greqisht. A Xhuvani me tejshkrimin (transliterimin) e tekstit me alfabetin e shqipes dhe me përpunimet e plotësimet e nevojshme e afroi fjalorin te lexuesi shqiptar i mesit të shek. XX; M. Camaj, nga ana e tij, në “Parashtresën e punës” që i prin fjalorit, shprehet kështu: “Qëllimi i kësaj pune âsht të qitunit në dritë para mase veprën e K. Kristoforidhit me të tana cilsinat, që ka.” Por mund të mendohet edhe se duke e përkthyer frëngjisht, deshi ta bënte të njohur e të përdorshëm fjalorin edhe për rrethet e albanologëve të huaj, që nuk i zotëronin në mënyrë të mjaftueshme qoftë shqipen, qoftë greqishten. Sidoqoftë, puna e tij mbi këtë fjalor dëshmon për pasionin shkencor të këtij studiuesi të ri dhe për njohjen e mirë të greqishtes e të frëngjishtes që në atë moshë.

Botimi i Pragës i fjalorit të Kristoforidhit u rishtyp në mënyrë anastatike në Prishtinë nga Shtëpia botuese “Rilindja” më 1977, fatkeqësisht pa korrigjuar titullin, d.m.th. si fjalor shqip-greqisht. Këto dy botime me alfabetin e sotshëm e afruan fjalorin e K. Kristoforidhit te një masë më e gjerë studiuesish shqiptarë, që hulumtuan fjalët e shprehjet shqipe nëpër faqet e tij dhe me atë lëndë leksikore shkruan një varg punimesh e kumtesash. Por në transliterimin e tij A. Xhuvani kishte lënë jashtë një shtojcë të vogël të fjalorit (f. 484–502 të origjinalit), që Kristoforidhi e kishte quajtur “Fjalë sllave në përdorim te Shqiptarët, të cilat kanë hyrë gjatë sundimit sllav”. Prof. Mahir Domi e kishte peng mungesën e saj te botimi i A. Xhuvanit. Kjo shtojcë e transliteruar me kujdes nga dr. Thoma Qendro dhe e shoqëruar me një trajtesë analitike nga prof. Anila Omari, studiuesja me përvojë të pasur dhe arritje të shënuara në hulumtimin e sllavizmave të shqipes, u botua te revista “Perla” e Fondacionit Kulturor “Saadi Shirazi” para dy vjetësh (2018, nr. 3–4).

Dhe tani të rikthehemi te fjalori i M. Camajt. Siç na kumton në “Parashtresën” e përmendur, ai nuk është mjaftuar vetëm të tejshkruajë (transliterojë) me alfabetin e sotshëm fjalët shqipe që K. Kristoforidhi i pati shkruar me alfabetin e greqishtes, por ka shtuar edhe vetë çka ka ditur për fjalë të veçanta të fjalorit: ka hulumtuar e ka gjetur fjalë sinonime në fjalorë e burime të tjera; ka shpjeguar frazeologjinë ose shembujt me shprehje e fjalë të barasvlershme; për shumë emërtime bimësh a gjallesash, të shpjeguara në fjalor si “një lloj bime” a “një lloj frymori”, janë dhënë shpjegime më të plota ose është gjetur kuptimi përkatës. Në këtë vështrim Fjalori i Kristoforidhit i përpunuar nga M. Camaj vlen edhe si një burim i ri për të njohur pasurinë leksikore të gjuhës shqipe. Tani fjalori është në duart e studiuesve dhe puna rinore e M. Camajt pret gjykimin e tyre. Shtëpia botuese ua ka dërguar fjalorin bibliotekave shkencore të vendit, ndërsa dashamirët e librave të tillë mund ta gjejnë te libraria “Adrion” në sheshin “Skënderbej” – Tiranë. Shtëpia botuese “Dielli” dhe prof. Naile Mala Imami meritojnë përgëzime të çiltra për botimin e dorëshkrimit të Martin Camajt, deri më sot i panjohur për shumicën e studiuesve të gjuhës shqipe.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share This Article
5 Comments
  • LAVDI RILINDASBE !
    Poshte sharlatanet neo osmane, grekofone e pansllavost.
    Poshte mohuesit e iidentitetit kombetar te shqiptareve.
    Gjuha shqipe eshte mbreteresha e gjithe shqiptateve. Te krishtere e muslimane.
    Te gjitha akuzat mohuesit e Trashegimise ilire te shqiptareve, te Ghergj Kastriotit, Rilindasve e Atdhetareve i bejne ne gjuhen shqipe.
    Ne gjuhe tjeter do te ishin memece, te pagoje, te shoerfillur dhe inegzistente.
    Per kete arsye gjuha shqipe eshtebreteresha e shqiptareve.
    Ruajuni o shqiptare nga mohuesit qe flasin shqip!
    Ruajeni o shqiptare gjuhen shqipe.
    Gezuar festen te gjithe brezave te mesuesve te gjuhes shqipe.

  • Shkrim interesant e me te dhena te reja. Cmimi i ketij fjalori te ribotuar sikur nuk ishte! Por pa diskutim, tek te palten 1000 lek te reja.

  • I ndrituri Kristoforidh qe 160 vjet me pare shkruante:-Jam i bindur se rreziku me i madh sot per shqiptaret eshte Greqia,qe kerkon te assimiloje shqiptaret e krishtere me mesonjtore ne gjuhen greke.Prandaj kritikonte Jano Vreton per alfabetarin e tij me shkronja greke.
    Ec e foli maskarait te Vucidolit qe solli nga Afrika mortjen greke janullatos dhe palacon me shallvare qe po ja shtron rruget mire Greqise me varreza greke,me tabela greke

  • KRTISTOFORIDHI, LËVRUES I GJUHËS SHQIP
    ( 1827-1895)

    Sado që ende është e diskutueshme datëlindja e këtij personalitetit të madh, ose edhe viti i lindjes së Konstantin Nelko Kristoforidhi, mund të konstatohet bindshëm se ai u lind mu në kohën, kur Rilindja jonë kombëtare, kishte vendosur themelet, mbi të cilat më vonë kishte rritën e saj të vrullshëm nga çdo lëmi kombëtare, krijuese e arsimore. Ndërsa vet Kristoforidhi do zhvillojë këtë vrull të lëvizjes dhe për një kohë, ai do ta shpije edhe më lartë këtë lëvizje kombëtare shqiptare. Ky pionier i Lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare, do të dallohet përmes punës së tij për të mirën e gjuhës dhe leksikologjisë shqiptare. Kristoforidhi me këtë veprimtari intelektuale e shpirtërore kombëtare, mbetet fytyra më simpatike e kësaj periode historike.
    Kristoforidhi mësimet e para i mori në qytetin e tij të lindjes Elbasan, ndërsa ato të mesmet i vazhdoi në gjimnazin grek Zosimea të Janinës në Greqi. Kurse, studimet i vazhdoi në Angli. Kristoforidhi sa ishte nxënës në Janinë, ra në kontakt me gjuhëtarin gjerman Hahn, që ishte konzul në Janinë, të cilit Kristoforidhi gjatë i shërbeu për mësues i gjuhës shqipe, për të cilën Hahn kishte interesim serioz. Ky personalitet i ardhshëm Hahnin, do ta shoqërojë gjatë dhe do ta ndihmojë shumë për punën e tij për shqipen, ai Hahnin e shoqëroi dhe e përcolli nëpër shumë vise shqiptare, për të grumbulluar nga dorë e parë fjalët e shqipes. Ky bashkëpunim i Kristoforidhit me Hahnin, nuk i shkoi huq, por i shërbeu dhe mbushi atë me motivime, që më vonë duke u angazhuar edhe vet në mbledhjen e leksikut të shqipes, Ai vet përpilojë fjalorin e tij Shqip-Greqisht. Edhe Kristoforidhi hulumtoi dhe pati rastin mu nga kjo punë e frytet e vjelura atë kohë, për së afërmi, nga goja e popullit ta dëgjojë gjuhën dhe begatinë e shqipes dhe për te ajo të behet shumë më e afërt dhe më e njohur, e fort më e dashur. Dhe për shqipen të jep një varg botimesh fetare, një gramatikë të shqipes dhe një abetare. Ndër te parat vepra ky autor dha Fjalorin Greqisht-Shqip prej 12. mijë fjalësh dhe një novelë e cila u shkrua në dy kryedialektet e shqipes e cila me të drejtë merret vepër ftilluese e prozës në letërsinë shqipe për të vegjlit e të rriturit. Kristoforidhi u angazhua për alfabetin e gjuhës shqipe, dhe kishte mbështetjen në alfabetin evropian latin, ku ishte edhe gjuha shqipe dhe vet shqiptarët. Kristoforidhi ishte kategorik kundër alfabetin grek e turk për gjuhën shqipe. Kjo kishte jo vetëm mbështetje atdhetare, por edhe arsyshmëri e mbështetje të shëndosh shkencore e gjuhësore, siç e arsyeton më vonë shkrimtari ynë Andon Zako Çajupi, i cili ndër të tjera pat thënë: “Këto alfabete, shpeshherë janë shkruar me gjakun tonë”.
    Kristoforidhi për qëllime atdhetare bëri përkthimin e biblës kishtare. Me këtë ai kishte qellim të ndajë kishën ortodokse shqiptare nga autoqefali ortodokse greke, të cilën më vonë Noli më 1908 e realizoi vazhdën e filluar kaq herët nga Kristoforidhi. Përkthimet fetare dhanë kontribut të veçantë për gjuhën dhe historikun e gjuhës së shkruar shqipe. Ky lëvrues i shqipes përktheu këto vepra kishtare: “Pësallmet e Davidit” dhe “Dhiatën e Re”, e cila dallohet për ngritje në shkallë më të lartë në aspektin gjuhësorë karshi nga përkthimet e para gjysmë shekulli të Meksit. Pasi njohu veprat e Budit e Bogdanit të madh, Kristoforidhi përktheu edhe “Katër Ungjillat dhe punët e apostujve”, “Katër Katekizmat dhe “Pësallteriu”. Kjo e fundit si edhe “Gjahu i Malësorëve” 1880, nga pikëpamja cilësore e gjuhës pak dallohen nga niveli gjuhësor i veprave të Samiut e Naimit. Kristoforidhi u angazhua shumë në dallimet e veçoritë karakteristike dialektore të folmeve të shqipes. Këtë e ndihmoi dhe e forcoi hulumtimi që ai kishte vërejtur në të folmet e shqipes, gjatë shëtitje për vjeljen e lëndës gjuhësore të tij me Hahnin dhe afërsia e përafërt e të ndjerit shpirtërisht e me gjithë, qenien e tij e provokimet e gjuhës shqipe, kur ai tubonte fjalët shqipe për fjalorin e tij të famshëm. Kristoforidhi ishte njohës i dy kryedialekteve të shqipes. Toskë e Gegë, njihte edhe largësitë që kishin këto dy të folme karakteristike të shqipes. Ai në një rast qe shprehur, se “Ndryshimi midis kryedialekteve të shqipes Toskë e Gegë, ka qenë ekzagjeruar. Ato ndryshojnë, po jo më shumë, se anglishtja e skotishtja e folur”. Vet autori kishte aftësi gjuhësore t’i përdor mirë dy kryedialektet e shqipes. Këtë e shohim më së miri në Fjalorin e tij, e më konkretisht në Novelën “Gjahu i Malësoreve”. Nga kjo fitojmë bindjen se njësimi i gjuhës shqipe ishte temë aktuale e brengosje edhe e Kristoforidhit, si edhe për gjithë rilindësit tanë. Kristoforidhi mendonte, se vetëm më lëvrimin e gjuhës amtare dhe përsosshmërinë e sajë e njësimin e përdorimit në mbarë kulturë kombëtare, ka mundësi që populli të dal nga kjo errësirë shumë shekullore dhe shqiptarët ë barazohen me popujt të tjerë evropian dhe t’i bashkohet botës e civilizimit botëror. Për këtë qëllim Kristoforidhi hartoi një abetare të gjuhë shqipe, e cila në krahasim me atë që ishte, kjo doli më e pasur. Në abetaren Kristoforidhi futi tekste e proza për fëmijë. Për çka mund të themi se ky është edhe fillestari i prozës për të vegjlit, Ndërsa Gramatika e botuar dhjetë vjet më vonë 1882, që është kontribut i madh gjuhësor e filologjik, është e nivelit më të lartë nga Gramatikat e gjerë atëhershme, hartuar nga autorët e huaj. Kjo gramatikë është shkruar në dialektin e jugut në toskërishte dhe ka rëndësi të madhe për studimet gjuhësore. Është për ta veçuar, se në këtë gramatikë gjejmë edhe vërejtjet e vet autorit për çështjet gjuhësore. Pos Fjalorit, që është vepër e rëndësishme e leksikografisë sonë, Kristoforidhi ka lënë edhe një varg dorëshkrimesh gjuhësore lidhur me purizmin apo pastrimin e shqipes nga fjalët e huaja dhe për gjenezën apo etimologjinë e shumë fjalëve të saj. Nxjerrja e tyre në dritë, do të ishte edhe një kontribut i mirë për gjuhësinë tonë dhe plotësimin e personalitetit krijues të autorit. Sepse Kristoforidhi bashkë me Kamardën, padyshim janë ndër autorët e filologët e parë që u munduan dhe ia arritën të thonë diç më seriozisht, mbështetur në faktet shkencore e me këtë kontribuon shumë, praktikisht ata vendosën themelet të forta në kalanë e gjuhësisë shqiptare.
    Sido që të jetë, kryevepra e Kristoforidhit dhe kontributi i tij më i madh dhe me rëndësi për ne sot, mbetët Fjalori i tij Shqip-Greqisht, të cilin e bëri gadi për botim që më 1882. Por, si dukej, Kristoforidhi ose nuk gjeti mundësi ta botonte, ose deshi ta plotësonte e ta përpunonte edhe në vazhdim, ta përkryente edhe më tepër, ta spastronte nga fjalët e huaja dhe t’i zëvendësonte ato me neologjizmat e natyrës shqipe, ose arsyeja e tretë, e mjaftë bindëse për t’i besuar, që Kristoforidhit, nuk ju botua fjalori për së gjalli, është se shoqëria e Bukureshtit më shumë e pa të arsyeshme t’i botonte për atë kohë veprat e Animit, për të cilën kohë kishte më tepër nevojë dhe kërkesa për veprat e Animit, se sa kishte nevojë për fjalorët, siç ishte ky i Kristoforidhit, i cili si vepër leksikografike nuk ishte aq shumë i domosdoshëm, për momente kohe jo edhe aq shumë i nevojshëm. Botimi i këtij fjalori në vitet e mëvonshme nuk do ta dëmtonte aq shumë gjuhën shqipe ashtu edhe siç natyrshëm ndodhi më botimin e tij. Sidoqoftë fjalori i Kristoforidhit u botua pas vdekjes së autorit më 1904 nga i nipi i Kristoforidhit në Athinë.
    Fjalori i Kristoforidhit është kontribut i punës së tij hulumtuese për afro 20 vjeçare. Ai punoi duke grumbulluar fondin e thesarit leksikor. Gjatë kohë tuboi fjalë nga goja e popullit, duke bredhur nëpër vise e vendbanime të ndryshme, duke kontaktuar e dëgjuar gjuhën e gjallë të popullit shqiptarë nga nivelet, moshat dhe gjinitë e të folmet e ndryshme. Madje rreth punës së Kristoforidhit janë krijua legjenda, se çfarë metode përdori e çfarë entuziasti kureshtar ishte në këtë veprimtari hulumtuese. Kristoforidhi lexoi e punoi shume edhe në veprat e shkrimtarëve para tij. Për qëllime të hulumtimeve gjuhësore studioj Judin e Bogdanin veprat e të cilëve i pastroi nga barbarizmat. Kurse mbështetje për ketë kishte Fjalorin dhe veprën e Hahnit Albanichen Studiem 1845. Nga i cili fitoi bazën e njohurive shkencore. Përndryshe Fjalori i Kristoforidhit është në nivelin më të lartë e më i pasur në aspektin gjuhësor. Fjalori i Kristoforidhit është “i gjithë gjuhës së shqiptarëve, anë e kant mbë kant”.Pranë çdo fjale të shkruar në këtë fjalor, Kristoforidhi shënoi edhe vendin ku e voli atë fjalë, ose nga cila vepër e nxori dhe autorin e veprës, autori shënoi edhe variantet e shumë fjalëve. Nga kjo kuptohet, se ky fjalor është dëshmi e parë, se për të parën herë, gjejmë një fjalor të kompletuar e fjalor pasqyrëplote të gjuhës sonë të nivelit gjithëkombëtar. Që pos fjalëve, autori bëri edhe një punë të madhe gjuhësore, që ju gjeti gjenezën-etimologjinë e më se 70 fjalëve të shqipes. Në këtë vepër Kristoforidhi dha shkroi edhe një numër frazash me të cilat pasuroi frazeologjinë shqiptare edhe më këtë në gjuhësi shqiptare shënoi një hap përpara në pasurimin e fondit leksikor me neologjizma nga brumi i shqipes, duke ju ikur kalkeve e parafrazimeve të përshtatjes. Kështu Kristoforidhi, bashkë me Samiun, Vreton, Veçilharxhin e Naimin e famshëm, del puristi më i natyrshëm e lëruesi më i zellshëm i cili më përkushtim pasuroi gjuhën shqipe në kohën e Rilindje Kombëtare Shqiptare. Me një varg fjalësh të reja të Kristoforidhit të cilat edhe sot qëndrojnë në gjuhën letrare shqipe. Puna e ti është po aq e rëndësishme në qërimin e fjalëve të huaja në veprat e autorëve ë i punoi. Ashpër luftoi në drejtimin e pasurimit e pastrimit të gjuhës shqipe, sidomos kundër barbarizmave të greqishtes, turqishtes e latinishtes. Fjalori i Kristoforidhit i botuar më 1904 edhe sot është vepër e konsiderueshme e gjuhës sonë. Atë më vonë e përpunoi Aleksandër Xhuvani dhe të transkriptuar në alfabetin e sotëm, e botoi Instituti i Gjuhësisë në Tiranë më 1962.
    Kristoforidhi botoi në dy kryedialektet e shqipes novelën e parë të prozës shqipe “Gjahu i Malësorëve” më 1884, e cila përveç rëndësisë letrare ka edhe rëndësinë e madhe gjuhësore. Në poentë të kësaj novele është bashkimi kombëtar përmes veprimit ushtarak-revolucionar kundër sundimit osman, në këtë vepër autori dëshmoi aftësitë e veta krijuese në shfrytëzimin e mjeteve artistike në krijimtarinë letrare. Lëvruesi gjuhës shqipe ishte patriot i flakët, që pos rëndësisë që ka për gjuhën të cilën e punoi pa u lodhur, kontribut të madh ka dhënë edhe në hapjen e shkollave për arsimin e fëmijëve, por në ato shkolla në pjesën e fundit të jetës puno edhe vet në Elbasan. Bashkëpunoi me Nikolla Naçon në Bukuresht për botimin e veprave e teksteve shkollore shqipe, Kristoforidhi bëri shumë përpjekje për hapjen e shkollave shqipe edhe në vendbanime të tjera të Shqipërisë, ndërsa ato ekzistente i furnizoi me tekste mësimore në gjuhën shqipe, që do t’i hartonte me shumë vullnet. Kristoforidhi pat hartuar “Jetëshkronjën e Gutenbergut”.
    Vdiq nga një sëmundje e rëndë vetëm 8 vjet pas hapjes së mësojtorës së parë të shkollës shqipe të Korçës, më 7 mars 1895 në Elbasan. Vdiq atëherë kur pat harxhuar tërë pasurinë e trashëguar, e cila nuk ishte e vogël për punën gjuhësore dhe çështjen kombëtare shqiptare. Vitet e fundit pat mbetur i varfër, por shumë i nderuar dhe i dashur nga populli, që dëshmonte se kështu do ta shpërblente për gjithë kontributin e veprimtarisë së tij atdhetare. Vepra e tij sot çmohet e nderohet për kontribut nga lëruesi të zellshëm e njohësi të shkëlqyer të gjuhës shqipe, siç është Kristoforidhi, që me të drejtë bashkohasitë e tij, e pastaj edhe ne sot, e quajmë me arsye “Babai i gjuhës shqipe” Për gjitha këto Kristoforidhi ka merita të jashtëzakonshme për kombin, kurse ne ndaj jetës dhe veprës së tij, kemi konsideratë dhe obligim.

  • Kristoforidhin nuk e hengri puna vetmitare per ndricimin e gjuhes shqipe,por e hengri CMIRA e bashkekohesve.
    Me vjen keq te permend emra patriotesh,por keta e braktisen Kristoforidhin kur u semur nga melcia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *