Jo vetëm sasitë e larta të glukozës në gjak, mund të sjellin ndërlikime të shumta në shëndetin tonë. Po ashtu edhe vlerat e ulëta të saj mund të bëhen shkak për ndërlikime, të cilat nëse nuk trajtohen në kohë mund të çojnë deri në gjendje kome.
Mjekja Ilda Xhelili tregon në vijim të shkrimit ndikimin që ka glukoza në funksionimin e organizmit tonë, si dhe dëmet që ajo shkakton nëse ekspozohemi përballë vlerave të larta, apo të ulëta të saj.
Sipas saj, sa më herët të merret ndihma e specializuar kundrejt normalizimit të këtyre vlerave, aq më të lehta dhe të menaxhueshme mund të jenë ndërlikimet që shfaqen në shëndet. Mjekja thekson se monitorimi i sasisë së sheqerit në gjak duhet të jetë pjesë e kontrolleve shëndetësore rutinë për parandalimin e problemeve serioze të shëndetit tonë.
Nga Ilda Xhelili
Sheqeri në gjak, ose glukoza në gjak është një burim i rëndësishëm energjie për organizmin e njeriut. Energjinë kryesore që çlirohet nga përpunimi i glukozës e shfrytëzojnë kryesisht qelizat e trurit, qelizat e kuqe të gjakut (eritrocitet), si edhe qelizat e indit të veshkave, ndërkohë që qelizat e tjera të organizmit tonë furnizohen me energji kryesisht nga metabolizmi i yndyrnave. Molekulat e glukozës janë të afta të kalojnë edhe barrierën mbrojtëse të trurit (barriera hemato-encefalike), duke shërbyer kështu si një burim i fuqishëm energjie për qelizat e trurit. Në mjekësi, vlera e sheqerit në gjak (vlera e glukozës në gjak ose glicemia) është një matje shumë e rëndësishme dhe që nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë.
Çfarë problemesh mund të sjellin nivelet e papërshtatshme të glukozës në gjak?
Nëse nivelet e glukozës qëndrojnë vazhdimisht të larta në gjak, atëherë diabeti mellitus (sëmundja e sheqerit ose thjesht diabeti) do të jetë i pranishëm, duke shtuar kështu rrezikun për ndërlikime të shumta në shëndet. Por duhet të theksojmë se jo vetëm nivelet e larta të glukozës në gjak i shkaktojnë dëme organizmit tonë, edhe nivelet e ulëta të glukozës në gjak janë të rrezikshme. Kjo pasi nivelet e ulëta të glukozës ulin performancën e trurit, dhe kur janë në forma të theksuara çojnë deri në gjendje shoku.
Cilat janë vlerat që duhet të konsiderohen normale të glukozës në gjak?
Interpretimi i vlerave të glukozës në gjak ndryshon sipas burimit të literaturës dhe ajo që është e rëndësishme nga materiali i provës (pra mund të marrim gjak venoz, gjak kapilar, plasma venoze). Në përgjithësi konsiderohen vlera normale të glukozës në gjak esëll ndërmjet 70–110 mg /dl dhe 2 orë pas marrjes së ushqimit (një vakt i pasur me karbohidrate) më e vogël se 140 mg/dl. Në rastin e vlerave të matura esëll ndërmjet 110 dhe 125 mg/dl, atëherë flitet për tolerancë të dëmtuar të glukozës. Pra interpretimi do të bazohet tek mjeku specialist në varësi të situatës individuale shëndetësore të pacientit.
Si prezantohen klinikisht në organizmin tonë luhatjet e larta të glukozës në gjak?
Janë një sërë shenjash që na ndihmojnë të kuptojmë nëse kemi të bëjmë me tepri, apo mungesë të glukozës në gjak. Në rast se glukoza në gjak është mbi vlerat normale, shenja kryesore e reagimit të trupit tonë do të jetë etja e vazhdueshme. Organizmi ynë përpiqet t’i ulë nivelet e larta të sheqerit në gjak duke tërhequr ujin nga indet e veta, ndërkohë që uji i nevojitet për transportimin e lëndëve ushqyese dhe eliminimin e mbeturinave. Kështu që rritet nevoja për sasinë e lëngjeve dhe për pasojë do të jeni vazhdimisht të etur. Kjo duhet të na tërheqë vëmendjen për testimin e nivelit të glukozës në gjak. Ndërkohë që nga tharja mund të kemi plasaritjen e mukozës së gojës (veçanërisht në këndet e gojës), si edhe pakësimin e pështymës, e cila është një barrierë e fortë ndaj infeksioneve. Sheqeri i lartë në gjak dhe niveli i ulur i pështymës e bëjnë organizmin më të predispozuar nga infeksionet. Mishrat e dhëmbëve do të fryhen, çahen e gjakosen, gjuha do të vishet me një shtresë të bardhë ose gri (më shpesh nga zhvillimi i infeksioneve mykotike). Po ashtu, nga etja e organizmit do të vuajë edhe lëkura. Kjo mund të shkaktojë lëkurë të thatë, kruajtje, plasaritje veçanërisht në këmbë, bërryla dhe duar. Me kalimin e kohës, nivelet e larta të glukozës në gjak mund të dëmtojnë edhe nervat duke zhvilluar atë gjendje që në mjekësi njihet si “polineuropatia diabetike”. Si rezultat i kësaj gjendjeje ulet ndjeshmëria ndaj prerjeve, goditjeve dhe zhvillohen plagë në heshtje, pa kuptuar duke përfunduar edhe në ekstreme amputacioni (heqje, prerje e këmbës, dorës, etj). Po ashtu sheqeri i lartë mund të dëmtojë nervat dhe enët e gjakut që ndodhen në pjesën e pasme të syrit, e cila mund të çojë në humbje afatgjatë të shikimit e deri në verbëri. Në kuadrin e neuropatisë diabetike pacientët mund të kenë probleme me aparatin e tretjes dhe humbje në peshë. Kjo vjen si rezultat i dëmtimit të nervit vagus, i cili ndihmon në lëvizjen e ushqimit përmes stomakut dhe zorrëve. Kështu do të kemi vazhdimisht ndjenjën e ngopjes, edhe kur hamë pak, ndjenjën e të përzierave ose të vjella, kapsllëku.
Çfarë duhet të dinë pacientët që vuajnë nga diabeti?
Nëse nivelet e glukozës rrinë vazhdimisht të larta në gjakun tuaj, pra vuani nga diabeti, do të thotë që insulina apo medikamentet e tjera që përdorni për kurimin e diabetit nuk po veprojnë si duhet. Insulina ndihmon që glukoza të futet brenda në qeliza dhe të përdoret prej tyre si burim energjie. Nëse glukoza nuk arrin të depërtojë të qelizat, por rri vazhdimisht e lartë në nivelet e gjakut, atëherë organizmi do të ndihet vazhdimisht i lodhur si rezultat i mungesës së energjisë së duhur. Prandaj në këto raste duhet konsideruar ndryshimi i skemës së mjekimit nga mjeku specialist. Por, edhe nëse merret më tepër insulinë ose medikamente të tjera do të kemi ndjenjën e lodhjes së vazhdueshme sepse nëse glukoza që konsumohet nuk ka kohë të prodhohet vazhdimisht për të furnizuar organizmin me energji. Hormonet që ndihmojnë ngritjen e sheqerit në gjak mund të nxisin gjithashtu rrahjet e shpeshta të zemrës si mekanizëm kompensator, të cilat mund të jenë edhe në formën e aritmisë (rrahjet e çrregullta të zemrës).
Po në rastet kur sasia e glukozës në gjak është në nivele më të ulëta se sa ato që përmendëm më lart, çfarë simptomash shfaqen?
Kur nivelet e glukozës ulen shumë në gjakun tonë, ajo që vëmë re që në fillim është djersitja e tepruar, si edhe dridhja e duarve kryesisht, por edhe e pjesëve të tjera të trupit. Qelizat e trurit gjithashtu kanë nevojë vazhdimisht për glukozë që të furnizohen me energji dhe të punojnë si duhet. Kur këto qeliza nuk kanë mjaftueshëm glukozë do të ndjehemi vazhdimisht të lodhur, me dhimbje koke, marrje mendsh, konfuzion. Ndonjëherë kjo ndodh kaq papritur sa që mund të harrojmë edhe ku jemi, ose mund të mos e kuptojmë se po veprojmë në mënyrë të çuditshme (për shembull të ngatërrojmë bisedën ndërsa jemi duke folur). Në rastet ekstreme, siç e theksova edhe më lart mund të kalohet edhe në gjendje kome.
Çfarë nuk duhet të neglizhojmë?
Prandaj personat që vuajnë nga diabeti duhet të jenë nën kontrolle të vazhdueshme nga mjeku i familjes dhe mjeku specialist. Por, kontrolli i niveleve të glukozës në gjak duhet të jetë edhe pjesë e kontrolleve shëndetësore rutinë për parandalimin e problemeve serioze të shëndetit tonë.
*****
Botuar në DITA në rubrikën e Shëndetit. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë
