Disa të dhëna tronditëse që nuk u thanë kurrë: Në çfarë situate është ajri dhe toka 7 vjet pas shpërthimit të Gërdecit?

anazapta

Shtatë vjet pas tragjedisë së Gërdecit pasojat vazhdojnë.

Në këtë intervistë për gazetën ‘DITA’, Dr. Qemal Poçi, profesor i toksikologjisë jep disa të dhëna që nuk janë publikuar asnjëherë më parë mbi përmasat e vërteta të tragjedisë dhe për pasojat që ajo ka lënë.

Cilat janë përfundimet e analizave të tokës dhe ujit që u kryen në Zvicër dhe në Shqipëri dhjetë ditë pas tragjedisë dhe një krahasim me vendet e tjera për nivelin e ndotjes.

Çfarë rekomandon ai për të analizuar tragjedinë në shumanshmërinë e saj dhe për masat që duhet të merren që tragjedi të tilla të mos përsëriten në të ardhmen…

 

– Zoti Qemal, sot më 15 mars mbushen 7 vjet nga tragjedia e Gërdecit, e cila u mori jetën 26 njerëzve të pafajshëm dhe shkaktoi dëme materiale të pallogaritshme. Si specialist, si do ta emërtonit sot këtë tragjedi dhe cilat janë përmasat e vërteta të saj?

– Kini të drejtë që e bëni këtë pyetje, pasi edhe sot e kësaj dite nuk njihen përmasat e tragjesisë së 15 marsit 2008. Do të përpiqem që në përgjigje të jem sa më konkret dhe do të jap të dhënat e sakta dhe që nuk janë publikuar asnjëherë për Gërdecin. E, nga këto të dhëna janë vërtet të frikshme. Kësaj tragjedie i parapriu kthimi i zonës në të ashtuquajturën “fabrikë të vdekjes”. Vetëm prej 5 janarit deri më 14 mars të vitit 2008 në Gërdec ishte grumbulluar një arsenal i municioneve të llojeve dhe kalibrave të ndryshme me një total prej 8.900 tonë. Po të mbajmë parasysh sasinë e përgjithshme të municioneve prej 98.000 tonëve që kishte vendi dhe se një pjesë e tyre qenë të kalibrit të vogël, del se vetëm brenda pak më shumë se dy muajsh në Gërdec ishte grumbulluar 1/10 e të gjithë arsenalit të municioneve të forcave tona të armatosura.

Demontimi i municioneve në Gërdec kishte filluar qysh më parë dhe aty ndodhej i demontuar dhe i pa evokuar 1070 tonë barut dhe mjaft municione. Por, qysh ditët e para të vitit 2008, sjellja e municioneve në Gërdec u intensifikua, deri sa prej datës 24 janar e deri në fund arriti në një konstante midis 150-200 tonë në çdo ditë.

Më 15 mars të vitit 2008 i gjithë ky arsenal municionesh, që në total kishte rreth 3000 tonë barut, mbi 280.000 djegore të ndryshme, predha dhe me mbushje të përgjithshme që kishin rreth 800 tonë tritol, shpërtheu duke shkaktuar një tragjedi dhe katastrofë të madhe ekologjike.

 

Qemal Poçi
Qemal Poçi

– Po për pasojat që solli ajo tragjedi, çfarë të dhënash kini?

– Pasojat e tragjedisë tashmë dihen prej të gjithëve. Aty gjetën vdekjen 26 vetë, u plagosën 200 persona, prej të cilëve 30 me plagë të rënda dhe pasoja. Familjarët e viktimave vazhdojnë t’i përjetojnë këto pasoja: fëmijët pa nënë ose pa baba, ose pa të dy, prindër që humbën fëmijët e vegjël ose të rritur, bashkëshortët që humbën njëri-tjetrin.

Në Gërdec, Marqinet, Vorë dhe fshatrat përreth u shkatërruan dhe u dëmtuan qindra shtëpi. Dëmi i përgjithshëm i pasurisë së përgjithshme të banorëve që u dëmtuan ato ditë llogaritet me një shumë të përgjithshme prej tre milion dollarësh.

Shpërthimi shembi shtëpitë, shkatërroi gjithçka në një rreze prej 5 km, madje preku edhe makinat që lëviznin në ato çaste në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të Vorës. Vala goditëse mori me vete mijëra ton dhera nga krateri 30 metra i thellë që u shkaktua nga shpërthimi, të ndotur me elementet toksikë-metale të rënda të municioneve të kthyera në copa, grimca dhe pluhur, që u shpërndanë në të gjithë territorin e zonës dhe u shtresuan në tokë apo u futën në të me shirat që pasuan.

– Megjithatë, ka ende që pyesin: A ishte Gërdeci një fatkeqësi nga pakujdesia apo një krim? Pra çfarë veçorish ka tragjedia e Gërdecit sipas jush?

– Mendoj se shtatë vjet pas tragjedisë nuk ka vend për pyetje të tilla. Megjithatë, unë po sqaroj: Tragjedia e Gërdecit ka veçoritë e veta. Ajo nuk duhet të trajtohet si fatkeqësi e natyrës: cunam apo tërmet, tornado apo tajfun, përmbytje apo zjarr. Ajo qe një vepër e njerëzve, që të etur për para dhe korrupsion, nuk zbatuan masat e sigurisë, nuk krijuan kushtet normale për punë, por një punishte të thjeshtë, vetëm të quajtur “fabrikë demontimi” që u shndërrua në fabrikë vdekjeje dhe solli aq shumë fatkeqësi. Atje nuk u zbatuan detyrimet kushtetuese të qeveritarëve dhe autoriteteve të larta për aksionin që u krye. Nuk u zbatuan as vendimet e qeverisë që u përgatitën enkas për demontimin e municioneve, nuk u zbatuan as rregulloret ushtarake përkatëse që u përgatitën për kryerjen me sukses të aksionit të ndërmarrë, duke përfshirë këtu edhe shfrytëzimin skllavërues të punonjësve dhe të fëmijëve si në mesjetë. Prandaj dhe nënvizoj se tragjedia e Gërdecit qe një krim. Një krim i mirëfilltë shtetëror.

 

– Jo folët për disa veçori të tragjedisë së Gërdecit. Cilat janë veçoritë e tjera?

– Po, kini të drejtë. Veçoria tjetër e Gërdecit është se pati kushte dëmtimi të kombinuara, të shkaktuara nga disa faktorë: vala goditëse që shkaktoi vdekje, plagosje dhe shkatërrime, temperatura e lartë e shkaktuar nga djegia e barutit, tritolit etj., substanca helmuese të metaleve të rënda të krijuara nga aliazhet e municioneve që shpërthyen. Këto metale, të kthyera në copa, grimca dhe pluhur, shkaktuan një katastrofë ekologjike, pasojat e së cilës edhe sot e kësaj dite gjenden në Gërdec.

Prandaj dëmtimet qenë të kombinuara, ku veproi më shumë se një faktor. Dëmtimet e kombinuara vështirësojnë diagnozën, rrisin shkallën e dëmtimit dhe kërkojnë një mjekim intensiv, të cilin mjekët tanë e kryen me sukses.

Nga shpërthimi i municioneve dhe djegia e rreth 3000 tonë baruti, u krijua rreth 30 milion metra kub dyoksid karboni, me përqendrimin 1% në ajër. Përqendrimi maksimal i tij në ajër këto vite ka qenë: në BS dhe Kinë 0.03 miligram në një litër ajër, kurse në SHBA vetëm 0.001 mg/l. Në ajrin e ndotur me 0.1 mg/l dyoksid karboni nuk mund të punohet më tepër se një orë. Ky përqendrim bllokon 60% të hemoglobinës në gjak dhe rrezikon jetën e njeriut. Hemoglobina është transportuese e oksigjenit në gjak e inde. Kurse përqendrimi prej 1% i dyoksidit të karbonit në ajër është 10 herë më i rrezikshëm se dozat e rrezikshme.

Faktori tjetër dhe më kryesor qe katastrofa ekologjike e shkaktuar në Gërdec nga prania e metaleve të rënda.

Në analizat që u kryen në Zvicër më 2 prill 2008 në mostrat e tokës dhe të ujit që u morën më 25 mars 2008 në Gërdec, u gjetën: në tokë 19 metale të rënda toksike, prej të cilave 14 mbi nivelin maksimal të lejueshëm, 5 në kufijtë maksimal të tyre dhe vetëm njëri nën normë. Në ujin e ndotur u gjetën 9 elemente, që të gjithë mbi nivelet maksimale të lejueshme: krom, magnezium, hekur, kobalt, nikel, bakër, zink, arsenik, stroncium, barium, cezium, lantonium dhe plumb. Ndërveprimi i përbashkët i këtyre elementeve toksikë, rëndojnë shkallën e helmimit, vështirësojnë diagnozën si dhe mjekimin, pasi nuk ka një antidot universal (kundërhelm) për gjithçka.

 

– Me sa dimë, analiza në atë kohë u bënë edhe në Shqipëri. Çfarë rezultoi prej tyre?

– Analizat u kryen edhe në Shqipëri, por këtu, nga 19 elementë që u gjetën në Zvicër, u zbuluan 9, prej tyre vetëm njëri toksik, kurse në ujë nuk u gjet asgjë. Prandaj dhe them se analizat që duhet të merren në konsideratë janë ato të Zvicrës.

Metalet e rënda që u gjetën në Gërdec në sasi të caktuara, janë helmuese për njerëzit dhe kafshët. Ato zotërojnë të ashtuquajturën “veti akumuluese” (grumbulluese). Meqenëse në mjedis dhe organizëm qëndrojnë pa u shkatërruar për një kohë të gjatë, ato mund të grumbullohen në organizëm pak e nga pak deri sa të arrijnë nivelet toksike dhe të shkaktojnë shenja të qarta të helmimit kronik apo akut.

Metalet e rënda duke u futur në organizëm nëpërmjet organeve të frymëmarrjes (në formë pluhuri), apo në aparatin tretës me ushqime apo ujëra, mund të shkaktojnë si helmime lokale nëpër rrugët e hyrjes në organizëm, ashtu edhe helmim të përgjithshëm, duke dëmtuar sistemin apo organet jetësore: nervor, kardiovaskular, organet e riprodhimit, veshkat, mëlçinë etj. Prandaj prania e tyre edhe në “mikrodoza”, duhet të vlerësohet me seriozitet.

 

– Mendoni se edhe sot e kësaj dite banorët e Gërdecit vazhdojnë të kenë pasoja, në aspektin shëndetësor e kam fjalën?

– Padyshim. Nga sa u tha më sipër, duhet menduar se, edhe sot në Gërdec duhet të gjenden mbetje toksike të metaleve të rënda, jo vetëm në mjedis, por edhe në organizmin e njerëzve dhe të kafshëve, sidomos në flokë, ku ato grumbullohen. Nuk përjashtohet mundësia që njerëzit, banorët e Gërdecit, sidomos ata që kanë qenë afër vatrës së shpërthimit, veçanërisht ata që u plagosën, në qoftë se do t’i nënshtrohen kontrollit mjekësor, të kenë shenja të helmimit kronik. Prandaj edhe pse me vonesë, është i domosdoshëm diagnostikimi i tyre, rëndësi të veçantë ka sidomos përcaktimi i metaleve të rënda në flokë, ku ato grumbullohen më tepër dhe qëndrojnë për një kohë të gjatë. Ky test kryhet edhe pas vdekjes.

 

– Sidoqoftë, çfarë rekomandoni ju si specialist përpara kësaj gjendjeje që na parashtruat në këtë intervistë?

– Me këtë rast, unë si specialist konsideroj se edhe pas shtatë vjetësh nga tragjedia, është e domosdoshme që në Gërdec të shkopjë një ekip shëndetësor, të kontrollojë gjendjen shëndetësore të njerëzve, të evidentojë dëmtimet e mundshme dhe të mjekojë të dëmtuarit. Sidomos të kontrollohen imtësisht ish-të plagosurit. Prandaj dhe propozoj që për Gërdecin të organizohet një sesion shkencor apo simpozium, ku të marrin pjesë të gjitha palët e interesuara apo që kanë dhënë ndihmesën e tyre: mjekë të profileve të ndryshme, toksikologë, specialistë armatimesh, agropedologë, kimistë tokash, forca të emergjencës etj. Kjo do të shërbente për një të ardhme më të mirë për Gërdecin por edhe për të marrë masat që tragjedi të tilla të mos përsëriten.

Share This Article
14 Comments
  • Intervistë në kohën e duhur dhe plot me shqetsime brenda!
    prandaj jane shtuar kanceret si gripi
    po kur do ta zej edhe Saliu valle?

  • Z. Qemal eshte toksikologu më i miré që unë kam njohur. Ka mbaruar 2 inxhinieri me medalje ari dhe ka mare pjese ne qindra eksperimente për helmet luftarake dhe jo luftarake. Sot eshte 84 vjeç por studjon akoma me dhjetra libra te fushes se tij. Di pothuajse cdo gje qe ndodh ne fushen toksikologjike ne vendin tone.

    Mban shenime e formulon statistika pa fund. E kam degjuar kur e menderosi keqas nje ambientalist i cili ngulte kembe se helmet luftarake nervoparalizuese veprojne dhe ne floren e vendit ku perdoren. Nuk di ta shpjegoj profesiònalisht por qemali pak a shume i tha : “po ti po na i nxjer dhe pemet me sistem nervor or derdimen…”? Kam qeshur me lot. Ambientali u zëmerua keq dhe nuk foli më.

    Ajo qe dua te nenvizoj eshte se te dhenat toksikologjike qe evidenton z. Qemal jane shume shkencore dhe duhen mare parasysh duke filluar nga gërdeci e deri tek autopsite e munguara nga helmimet me fostoksina. Qemali ështe i besueshem dhe i pashoq ne dhenien e argumentave. Xhevdeti ka ditur t’ja prezantoje ato me mjeshtëri e art. Urime z. Qemal! Urime xhotë hekali !

  • Tre vjet më parë mora një mik italian me vete dhe e prura për në fshatin Kuqar të Patosit,i cili është fshati im i lindjes dhe ka një pamje mahnitse mbi fushën e Myzeqesë,detin në fund të saj që duket si vijë e kaltër dhe me një perëndim dielli të jashtzakonshëm që as këtej botës nuk e kam parë!

    Ne pikën e tij më të lartë,”Kodra e xha Puces” duket Tomorri në lindje,Rezervuari i madh i Kurjanit,Mallakastra e egër dhe kalaja mbrekulli e Margëllicit.

    Kuqari ka pasur dy të këqia: mungesen e ujit të pijshëm dhe fatkeqsinë se ndodhet mbi Zharrzën e ndotur! Ju këtë të dyten e dini më mirë dhe një shkrim i shkelqyer i mikut te kryeredaktorit tuaj Thano, të paharruarit Ardian Klosi mbi “tërmetet” në Zharrez që shkaterrojnë edhe shtepitë si dhe ndotja e lartë,më ka mbetur në kujtesë.

    E solla mikun italian me një projekt për Kuqarin në tokat e mia të zëna turpsisht nga njerz “pa din e iman”,si thuhet sepse dinë mirë e kujt është toka qe kanë grabitur.Ketë projekt ja kisha treguar nje kusheririt tim,Alush Hoxha,qe u entuziazmua! Behet fjalë për një Shtepi Pensioni,ku të pleqeronin si këtej botës, pleq të braktisur a pa asnjë mbështetje.

    Shkurt një Shtepi 4-5-6 kate me kapacitet gjer në 300 shtretër me avantazh punësimi të njerzve të gjakut tim aty por dhe të tjerë nga Patosi i cili është vetem 4 km larg…Nje autobus per ti cuar pensionistet falas në verë në plazhin e SEMANIT qe duket nga vendprojekti ku tokën e kam timen,por të grabitur…
    Miku im italian do organizonte dhe nje fushatë ndihme për pensionistet e varfër shqiptar me vlera monetare, pasi ka bërë me sukses nje të tillë për Andorën ku një vendas ndertoi nje pallat të tillë pensionistik, tanimë në funksion të plotë! Erdhëm nga Durresi,shkuam në Berat dhe prej andej në…Zharrez! Pimë një kafe në nje klub të Zharrzës, buze rruges dhe pranë nje distributori! Nga aty i tregova Kuqarin me ullinj e me supet tek qielli! Do ngjiteshim pas disa minutave aty. Frynte fllad pranveror,ishte ditë me diell dhe me qiell plotsisht të kaltër. Vetëm se…vetëm se ajri të qelbtëte nga gazi,gje qe edhe në monizëm nuk ka qënë!
    Atje,do ta bëj hotelin i thash duke treguar me gisht Kuqarin.
    Vend i mbrekullueshëm mbi këtë fushë të gjerë, por nuk do ta bësh hotelin! Bile nuk do të shkojmë fare, më tha. Duket si e stisur,por kjo është e vërtet.Miku im italian që piu kafe në Zharrez, u bë nervoz dhe nën mërzi të shprehur në fytyre më tha:
    Nuk ka nevojë as të ngjitemi në Kucar(nuk shqiptonte germen q,si gjithë italianët) Kthehemi! E pash: i parealizueshëm dhe pse vendi i bukur! E pash si me lutje,jo për ckishte premtuar,por për mundimin qe bëri për të ardhur nga Italia gjer aty!

    Mos u shqetso,per “mundimin”,por për këtë erë gazi që qelb dhe ngjitet helmi gjer atje! Nuk të lë të vdesësh pleqtë e varfër; sepse natyra(ai nuk beson në Zot) do e nxjerr dhe tek unë…Kthehemi,nuk vlen…bile do të jetë krim mbi këtë krim helmi në zonë! U kthyem në Berat dhe prej andej në Itali! Sot serish lexoj se Zharrëza është po e tillë, e ndotur! Kuqari po atje,i bukur,mahnitës,mbi fushëtirën e madhe të Myzeqesë,me vijën e detit dukshëm dhe atë diellin magjik që perëndimin ta sjell si në asnjë vend të botës…Por me helmin në gjoks! Këtu duhet filluar!…Të vdesim helmet!

  • jemi te papergjegjshem totalisht
    nese keto te dhena jane te verteta, nuk e di cila qeveri dhe cila shoqeri mund te vijoje te qendroje indiferente.

  • Nje qemal poçi eshte i barabarte me dhjete sazane guri !
    Cdo te thote tani sazani qe edhe per gërdecin nuk ka thënë të vërtetën!?

    • Ore leri krahasimet po lexo cfare tmerresh thote ky
      ne kalojme perddite afer Gerdecit
      Sazani eshte nje ekspert i mirë por duhet të sherohet nga superxhirot!

  • Po te kishin dale keta eksperte qysh ne fillim dhe ketu ka faj Qeveria qe i anashkaloi, ndoshta shqiptaret do te kishin marre nje vendim jo ne baza politike dhe nga fjalet e sharlataneve te politikes, por do te kishin menduar dhe degjuar keshillat e eksperteve qe diplomat i fituan me nete pa gjume me vite te tera, jo diploma diskosh.

  • Z.Qemal,ku ke qene deri tani?! Pse flet kaq vone! Pse nuk fole ne kohen e duhur?Ke pasur frike apo nuk te kane lejuar te flasesh!?
    I ditur por i heshtur dhe fajtor per heshtjen tuaj?!
    Nje thenie popullore thote: Kur vijne mente si hane as qente”

  • “Horri i bulevardit dhe labi”! Ndoshta nuk me takon mua ta them por ju bej me dije se z. Qemal ka folur nja 10 here para se te merej vendimi. Dhe ne te gjitha daljet publike ka qene kunder mendimit qe mbronte z. Sazan guri. Dhe mos harroni se tani z. Qemal poci eshte 84 vjeç .

    Megjithate nuk pertoi ti shpaloste pikpamjet e tij! Ka nje mal me tabela e statistika qe kerkonte t’ja bënte te ditura publikut por kishte gjithashtu dhe nje mal pengesash perpara. Nuk i kishin qejf te dhenat e ketij lloji…!? Nderime horri dhe labi!

    Sa per dijeni une jam shoku i tij,megjithese i perkas nje brezi tjeter.

  • Pergezime z.Qemal ! Kombi ka nevoje per figura te tilla,qe te vertetat shkencore nuk i ve ne sherbim te politikaneve shterpe,por ne sherbim te qytetareve.

  • Nje problem i mprehte qe duhet te shqetesoje shqiptare eshte edhe ai i landfilleve ose me shqip pikave te grumbullimit te pleherave te cilat mund te kene pasoja shume te rrezikshme ne ndotjen e ambjentit, ajrit, tokes, ujerave. Sa prej nesh kane informacione se cfare po ndodh ne afersi te tyre? Tonelatat e pleherave shqiptare jane ne rritje te vazhdueshme edhe per shkak te “kultures” se keqe qe kemi ne lidhje me riciklimin por sikur te mos mjaftoje kjo, politikanet tane per dy kacidhe perfitim jane gati te na bien edhe pleherat e helmatisura te botes.

    • O Qemal djali të shtrydhi Xhotë Hekali. Komentet e mësipërme s’mbaj mënd qyshkur i kam bërë por tani e tepruat. Mbete që më 10 janar në Gërdec dhe nuk po vjen më te kafja “jari me mustaqe”! Mërzite dhe plakën në shtëpi a derëbardhë Fushbardhe! Nderime Qemal! Edhe sot më 15 mars 2015 ke thënë të vërtetën pa doreza! Tung!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *