Arsimi si “kurë” kundër ekstremizmit të dhunshëm

redaktor

Shpesh kur dëgjojmë te përmendet termi ekstremizëm apo radikalizëm, na krijohet pëershtypja e dickaje që duhet dënuar. Por në rrjedhën e kohes ekstremizmi i ideve ka sjellë edhe përparim dhe nuk është detyrimisht negativ. Në momente të caktuara të rrjedhës së njerëzimit, ekstremizmi i ideve ka shërbyer si faktor nxitës në shkencë, filozofi, politikë etj. Ekstremizmi bëhet i rrezikshëm në çastin kur zbatimi i ideve të caktuara bëhet i detyrueshëm qoftë edhe duke përdorur dhunën. Lufta e Dytë Botërore do të niste pikërisht për shkak te ideve politike ekstreme në Gjemaninë e viteve ’30. Jo më pak vuajtje shkatoi komunizmi kudo në botë pas luftës si pjesë e filozofisë së majtë radikale.

Formë tjetër e rrezikshme e ekstremizmit të dhunshëm është ai me ngjyrim fetar. Një ndër problemet kryesore të sigurisë me të cilat përballet shoqëria sot është ekstremizmi i dhunshëm i cili ka shërbyer si frymëzim për ideologji dhe sulme terroriste. Përgjithësisht ekstremistet i shohin si superiore idetë që përpiqen të përhapin ndërsa dhuna justifikohet si mjet për të arritur qëllimin pavarësisht se kjo mund të shkaktojë edhe viktima në masë të madhe.

Regjimi talebanëve në Afganistan dhe lufta në Siri treguan se sa të rrezikshme mund të bëhen për paqen dhe sigurinë në botë rryma dhe interpretime radikale të Islamit. Terroristet e të ashtuquajturit Shteti Islamik në Siri dhe Irak janë shembulli i përkryer për ta kuptuar se çfarë mund të sjellë keqinterpretimi i Islamit i kombinuar me mundësitë që të jep teknologjia dhe rrjetet sociale. Për fat të keq, një pjesë e të radikalizuarve që iu bashkua ISIS ishin shqiptarë. Shtetit Islamik, që nuk ishte as shtet dhe as islamik, iu bashkuan edhe mijëra të rinj të nga mjaft shtete të botës të cilët i joshi ideja e të jetuarit në një vend ku besonin se do zbatoheshin ligjet e Sheriatit në formën e tyre më të “pastër” dhe radikale.

Por çfarë i shtyu shqiptarët, kryesisht të rinj e të reja, ti bashkoheshin një organizate gjigande terroriste si ISIS e cila la pas pasoja shkatërrimtare. Ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e radikalizmit fetar dhe ekstremizmit të dhunshëm në vendin tonë janë varfëria, niveli i ulet i arsimimit, papunësia, tranzicioni i tejzgjatur etj. Shqiptarët që iu bashkuan ISIS ishin në pjesën më të madhe të pashkolluar dhe në kushte të vështira ekonomike. Mungesa e arsimimit e lehtësoi te një pjesë e besimtarëve përthithjen e ideve radikale dhe ekstremizmit të dhunshëm. Këto ide në pjesën më të madhe predikoheshin nga imamë të vetëshpallur pa formim teologjik të mirëfilltë dhe që në disa raste nuk njiheshin nga Komuniteti Mysliman Shqiptar. Rasti më flagrant, i një Xhamie në Unazën e Re në kryeqytet. Por cfare do te ndikonte me shume ne zbehjen e ndikimit të rrymave radikale dhe atyre që nxisin ekstremizmin e dhunshëm.

Përmirësimi i cilësisë në arsim, zhvillimi i mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve në kuadër të kurrikulave shkollore, janë faktorë dominues për luftimin dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Për këtë është e domosdoshme që, në institucionet arsimore të rishikohen programet shkollore duke filluar nga arsimi fillor dhe nivelet e tjera, me synimin për të përmirësuar kurrikulat me qëllim të promovimit të tolerancës, të rritjes së mendimit kritik dhe funksionalizimin e mekanizmave brenda shkollave me objektiv për parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Është e nevojshme të hartohen kurrikula nga e cila të rinjtë të marrin informacionin e duhur për besimet kryesore fetare, veçoritë shqiptare dhe shtyllat kryesore mbi të cilën mbështetet bashkëjetesa fetare e shqiptarëve, me synim që të arrijnë të kenë njohuri sa më të plota rreth botës moderne e të zhvillojnë sensin kritik për vlerat e shoqërisë. Kjo do të minimizojë mundësinë e manipulimit dhe të radikalizimit duke ndikuar kështu në parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

 

Todian Greku

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *