Si do punësohen 1 milion shqiptarët e papunë?

anazapta

Pas këshillave se si të shmanget dështimi me skemën e pensioneve, si të shpëtohet ky sistem, tani vjen edhe strategjia se si të nxiten politikat e punësimit dhe si do realizohet programi për 300 mijë vendet e punës të programit të Rilindjes dhe më tej zgjidhjen për 1 milion të papunë. Kosta Barjaba ka nxjerrë në dritën e botimit edhe librin e tij më të ri, “Kurthet e Papunësisë”. Ndërsa në një intervistë për gazetën “DITA” shpjegon se më mirë të rritësh në buxhetim vendet e punës, se sa pensionet. Më poshtë teza e plotë e tij në një intervistë të gjatë…

 

Urime, profesor, për librin tuaj të ri. Përse kurthet e papunësisë. Ç’janë këto “kurthe”? Apo janë thjesht një simbolikë?

Dëshiroj në fillim t’ju falenderoj për vëmendjen me të cilën e përcillni botimin e librit tim të ri.  Kurthet e papunësisë nuk janë një simbolikë, por një realitet. Prandaj unë po e “çliroj” këtë fjalë prej thonjëzave. Kurthet e papunësisë dhe të varfërisë janë situata reale ku bie një vend për shkak të politikave të vjetëruara dhe jovizionare të zhvillimit ekonomik dhe punësimit. Shqipëria ka ngecur në këto kurthe gjatë gjithë periudhës së tranzicionit. Dhe përpëlitet ende në to. Po t’u referohemi analizave dhe konkluzioneve të Bankës Botërore, niveli i krjimit të vendeve  të reja të punës në vend ka qenë në nivele minimale dhe në disa raste edhe zero.

 

Cilat janë këto kurthe?

Kurthet e papunësisë dhe të varfërisë analizohen gjerësisht në libër. Por unë po sjell për lexuesin disa prej tyre: kurthin e rritjes minimale të pensioneve, kurthin e varfërimit në aftësi, papunësinë e fshehtë dhe punën informale. Marrim kurthin e parë. Përfytyroni një familje, e cila ka dy prindër pensionistë dhe djalin e bashkëshorten e tij të papunë. Nëse do të pyetej familja se do të preferonte rritjen ose edhe dyfishimin e pensionit të prindërve apo një vend pune për të paktën njerin nga dy të papunët e familjes, normalisht do të kërkohej alternativa e dytë. Kjo alternativë sjell në familje më shumë të ardhura (paga minimale është më e lartë se çdo shtesë pensioni), më shumë garanci afatgjata dhe më shumë efekte pozitive anësore. Sepse shmang edhe pasojat joekonomike të papunësisë: stresin, sëmundjet që mund të lindin prej tij, kufizimin e lidhjeve shoqërore etj. Një familje pensionistësh në fshat preferon më mirë rikonstruksionin e qendrës shëndetësore, sesa një shtesë të vogël pensioni, e cila nuk mjafton për të përballuar shpenzimet për të shkuar në qytet për të bërë vizitën mjekësore të rradhës. Pra, kjo masë, në dukje pro-popullore, shndërrohet në kurth të varfërimit të popullsisë. Do të ishte më efiçiente që në vend të rritjes nominale, thërrimore të pensioneve, të investohej për hapjen e vendeve të punës. Që kurthi i pensioneve minimale dhe kurthi i papunësisë të mos “furnizojnë” njëri-tjetrin me të varfër.

Le të flasim tani për kurthin e dytë: varfërimin në aftësi. Një anketim i kryer para disa kohësh me gra përfituese të Ndihmës Ekonomike në Tiranë, shumica të moshës 40-50 vjeç, tregoi se rreth 90 për qind e tyre nuk ishin të motivuara për të rihyrë në tregun e punës. Jo se nuk dëshironin, por sepse, siç pohuan ato, “nuk mundeshin”. Ato kanë humbur shprehitë e punës dhe profesioneve të tyre. Humbja e aftësive, shprehive dhe motivimit për të punuar, është kurthi më i rrezikshëm i papunësisë. Humbja e shprehivepër të punuar pasohet nga rënia në apati dhe pesimizëm social. Programi i vjetëruar i Ndihmës Ekonomike nuk mbështetet sa duhet nga programe plotësuese riintegruese që t’i dërgojnë përfituesit në tregun e punës. Qendrat publike dhe private të formimit formojnë rreth 6-7 përqind të fuqisë punëtore të papunë në vit. Ndërkohë që, sipas të dhënave zyrtare, vetëm rreth 17 përqind e të formuarve, arrijnë të gjejnë një punë pas formimit. Pjesa tjetër rikthehet në pikën e nisjes dhe nuk rihyn në tregun e punës. Pra, papunësia riprodhohet në mënyrë ciklike dhe më shumë njërëz dalin sesa hyjnë në tregun e punës.

 

Ju folët gjithashtu për papunësinë e fshehtë dhe punën informale. Mund të ndalemi pak edhe në këto dukuri?

Papunësia e fshehtë është një ndër problemet më të debatueshme në Shqipëri. Debati i famshëm për njëmilionshin e të papunëve, i cili gjen vendin e duhur edhe në këtë libër, buron pikërisht nga kjo dukuri. Ky nuk është një debat thjesht ideologjiko-politik, por metodologjik dhe botëkuptimor. Në Shqipëri, papunësia e fshehtë është rreth 5-6 herë më e madhe sesa ajo që mund ta quajmë papunësi tradicionale zyrtare. Dhe papunësia e fshehtë është edhe një dukuri rurale, po aq sa është edhe urbane. Në fshat papunësia e fshehtë nuk matet, për arsye të gabuara metodologjike dhe konceptuale, të cilat unë i kam përshkruar gjerësisht në libër. Në zonat urbane papunësia e fshehtë maskohet kryesisht pas metodave e teknikave të matjes së saj. Edhe puna informale është një problem i madh për vendin. Zyrtarisht, duke u nisur nga burimet shtetërore, si Instituti i Statistikave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore, rezulton se puna informale ose, siç quhet në gjuhën e përditshme puna e zezë, është e barabartë me punën legale ose numrin e të punësuarve. Në Shqipëri janë zyrtarisht rreth 1,1 milion të punësuar, ndërsa kontribute të sigurimeve shoqërore paguajnë rreth 650 mijë. Pra rreth gjysëm milioni njerëz punojnë në të zezë. Dhe më e bukura është se qeveritë, dashur pa dashur, e kanë njohur këtë fakt dhe kanë bërë sehir. Prandaj në këtë libër unë paraqes gjerësisht jo vetëm diagnozën, por edhe skenarët për vitalizimin e tregut të punës, rritjen e fleksibilitetit dhe luftën kundër informalitetit.

 

Fituesit e çmimit Nobël në ekonomi në vitin 2010 ishin tre ekonomistë të tregut të punës.  A mund të themi se ishin nobelistët e punësimit muza që ju  frymëzoi për këtë libër?

Studimet që merituan çmimin Nobël në ekonomi ishin një ndriçim i madh për këdo që studjon, formulon politika apo menaxhon tregun e punës. Por një shtysë e madhe për mua ka qenë përfshirja për një kohë të gjatë në hartimin e politikave e programeve për zhvillimin e tregut të punës, si edhe studimin e tyre. Nëse teoria e nobelistëve ishte një frymëzim, papunësia masive në Shqipëri ishte motivimi kryesor për t’i dhënë publikut një kontribut sesi mund ta nxjerrim Shqipërinë nga kurthet e saj. Peter Diamond (MIT), Dale Mortensen (Northwestern University) dhe Christopher Pissarides (London School of Economics) formuluan një kuadër teorik, duke shtrirë në kërkimin në tregun e punës disa ligjësi të tregjeve të tjerë. Modeli i zhvilluar prej tyre na ndihmon të kuptojmë mekanizmin se si papunësia, vendet punës dhe pagat ndikohen nga rregullatorët dhe politikat ekonomike. Një nga përfundimet e tyre, që unë e kam verfikuar në realitetin shqiptar dhe e kam pasqyruar në këtë libër është se përfitimet gjeneroze dhe të pakushtëzuara të papunësisë ndikojnë në rritjen e saj dhe zgjasin artificialisht kërkimin dhe gjetjen e një pune të re. Fakt është që në Shqipëri kemi shumë të papunë afatgjatë e të dekurajuar, që nuk kërkojnë punë, por vegjetojnë në programet sociale. Gjatë tryezave për shpjegimin e programit të Rilindjes në rrethe të  ndryshme të vendit, kam vërejtur se përfitues të programeve sociale rrinin në këto programe për 10-15 vjet, ose më shumë.

 

Në libër ju flisni për një asimetri midis rritjes ekonomike dhe punësimit. Kujtoj që kini qenë ndër të parët ekspertë të politikave të zhvillimit që kini shkruar për të. Cila është domethënia e kësaj asimetrie?

Për asimetrinë midis rritjes ekonomike dhe punësimit në botë është folur shumë vitet e fundit. Ndërsa në Shqipëri pak. Kjo asimetri është një ndër aspektet më vulnerable të zhvillimit të Shqipërisë gjatë tranzicionit, të cilët janë fokusuar në ngushtimin e asimetrisë rritje ekonomike-punësim, dhe rritjen e fleksibilitetit e dinamizimit të tregut të punës. Pra, përvoja e Shqipërisë tregon se gjatë periudhës 1992-2012 hendeku midis rritjes ekonomike dhe punësimit dhe rritjes ekonomike dhe papunësisë është shumë më i theksuar se në vendet e tjera të rajonit dhe ai në nivel global. Nëse gjatë vitit 2006 (kur kriza ende nuk kishte trokitur), ekonomia botërore shënoi një rritje rreth 5 përqind, niveli global i papunësisë ishte rreth 6,3 përqind. Ky raport, në Shqipëri, gjatë të njëjtës periudhë ishte 5 përqind me rreth 14 përqind, duke u mbështetur në shifrat zyrtare dhe 5 përqind me rreth 30 përqind, duke u mbështetur në statistikat e burimeve alternative. Në këtë kontekst, çmimi Nobël në ekonomi ishte një momentum edhe për institucionet politikë-bërëse shqiptare të tregut të punës, punësimit dhe papunësisë. Por ky momentum nuk u kap prej tyre. Asimetria midis rritjes ekonomike dhe punësimit nuk është një konstatim vetëm teorik. Ajo është një çështje praktike e politikave të punësimit dhe “thembra e Akilit” e tregut të punës.

 

Si e vlerësoni qasjen e qeverisë së ndaj punësimit, duke konsideruar faktin që plani i detajuar për hapjen  e 300 mijë vendeve të punës nuk është bërë ende publik?

Si një prej hartuesve të këtij programi, kam bindjen se hapja e vendeve të punës është ndër objektivat më të guximshëm, po edhe më të nevojshëm të Rilindjes. As mua, por as publikun, nuk duhet të na shqetësojë e ashtuquajtura vonesë e publikimit të detajeve të programeve të punësimit. Madje, kjo “vonesë” për mua është një tregues serioziteti. Ato kërkojnë një punë të kujdesshme dhe një lidership adaptiv. Kjo presupozon riprogramimin e prioriteteve të zhvillimit ekonomik të vendit. Çdo sektor i zhvillimit duhet të ketë një filozofi dhe dimension punëkrijuese. Kjo kërkon gjithashtu një parashikim strategjik të burimeve financiare, materiale, institucionale dhe njerëzore të zhvillimit, pra një buxhetim të përshkruar nga filozofia e krijimit të vendeve të punës. Nuk po zgjatem se mjaft prej këtyre detajeve i kam shpjeguar në libër. Por jam i bindur se qeveria, në kohën e duhur, do t’i bëjë publike programet, objektivat dhe burimet financiare për krijimin e vendeve të punës.

 

Besoni se ekzistojnë burimet financiare për hapjen e 300 mijë vendeve të punës?

Patjetër. Por dëshiroj të them se edhe buxhetimi i politikave të punësimit nuk është thjesht një proçes financiar, por politik dhe adaptiv. Të buxhetosh politikat e punësimit nuk është njësoj si të parashikosh financimin e një rruge, shkolle apo spitali. Buxhetim i punësimit do të thotë që të gjithë zërat e buxhetit dhe përzgjedhja e prioriteteve të mbajnë parasysh objektivat për hapjen e vendeve të punës. Dhe unë kam besim se qeveria po harton një buxhet punëkrijues.

 

Tani, më lejoni tju bëj një pyetje, jo thjesht për kuriozitet. Kopertina e librit përmban edhe një tekst, ku shkruhet me shkronja dore në anglisht: “Ku janë punët?” Cila është domethënia e këtyre fjalëve?

Këto fjalë nuk janë vendosur rastësisht. Secili mund të ketë leximin e vet të tyre. Unë po paraqes leximin tim. Po e filloj nga pyetja e fundit. “Ku janë punët?” në anglisht tregon se papunësia është një problem global, me të cilin janë ndeshur gjithë shtetarët e suksesshëm të globit. Ky tekst i shkruar me dorë simbolizon disa të vërteta të thjeshta. Papunësia është një preokupim për të gjithë qytetarët. Papunësia nuk është një temë teorike, por një çështje e prekshme, konkrete dhe vuajtëse. Papunësia është bërë një jetë e dytë për shqiptarët, një gjendje prej nga kalojnë pothuajse të gjithë. Edhe ata që nuk janë të shkolluar, që nuk dijnë të përdorin kompjuterin dhe që mezi shkruajnë emrin. Edhe ata që janë të shkolluar e të kualifikuar. Edhe për ata që kanë qenë dje, edhe për ata që janë sot në qeverisje. Shqipëria ka përjetuar një gjendje ndryshimesh radikale, ku palët nuk kanë zëvëndësuar, por përmbysur njera-tjetrën. Dhe punësimi është parë jo si hapje e vendeve të reja të punës, por si uzurpim i vendeve ekzistuese.  Është edhe për këtë arsye që shumica e qytetarëve përpëliten ende, jo për faj të tyre, në kurthet e papunësisë. Për shkak të mungesës së politikave të përgjegjshme dhe vizionare të punësimit dhe zhvillimit. Prandaj libri im është një përpjekje modeste për të kontribuar në çlirimin e vendit prej kurtheve të papunësisë.

 

Share This Article
9 Comments
  • “libri im është një përpjekje modeste për të kontribuar në çlirimin e vendit prej kurtheve të papunësisë” !!!!
    Papunesia eshte shume me shume se nje kurth; papunesia eshte nje gremine , nje gjemine , nje katastrofe; fjala kurth ne kete rast eshte krejt e papershtatshme; kurth eshte ndoshta ndihma sociale, sepse bie ne kurthin e “rehatise” dhe nuk kerkon pune; por papunesia vete s’mund te etiketohet si kurth.
    verejtja e dyte qe kam, por ndoshta duhet lexuar libri, eshte se nuk shoh asnje piste me propozime per te luftuar papunesine. ose me mire shoh dy ne kete interviste dhe qe te dyja jane te diskutueshme; e para , e inflencuar fort nga ideologjia anglo saksone , eshte te priten ndihmat , keshtu qe njerezit te zene si ne çark , do e gjejne zgjidhjen vete, dmth do gjejne pune; eshte zgjidhje radikale dhe shpesh e etiketuar si cinike ne kontinentin europian; si mund te lesh pa ndihme ata qe vertet nuk gjejne pune; po pse nuk gjejne pune? a nuk eshte me e llogjikshme te mendosh se nuk ka pune; shqiperia nuk prodhon gje te madhe dhe as nuk eksporton; te gjithe kamariere e ne service nuk do punojne; ketu po e lidh me verejtjen e dyte per propozimin e dyte qe duket se jepet ne interviste; “Besoni se ekzistojnë burimet financiare për hapjen e 300 mijë vendeve të punës?” pyet gazetari.
    “Patjetër” , pergjigjet autori. Gjepura ! Punen nuk mund ta krijoje kurre shteti dhe buxheti i shtetit; punen e krijon privati; qe privati te krijoje pune ai duhet te kete treg te shese mallin qe do prodhoje e do hape vende pune; autori bie ketu qarte ne kontradikte; sapo e tha qe duhen prere ndihmat sociale per te papunet, dhe njekohesisht pranon qe te kete nje buxhet shteteror per te luftuar papunesine… Mbase duhet lexuar libri per te dale nga ky konfuzion; por nje gje duhet te jete e qarte per lexuesit : ka ekonomi te forte e punedhenese atehere kur ndermarrjet private jane ne shendet te mire , investojne prodhojne, shesin e punesojne; tek funksionimi pa ngerçe i ketij zinxhiri duhet te fokusohen politikat publike; dhe aty s’duhen shume fonde, por shume vullnet politik; per shembull per te vendosur nje doze proteksionizmi doganor per te ndihmuar ato ndermarrje qe kane kapacitet te madh punedhenes; apo per shembull per te vendosur fonde garancie per ndermarrjet me kapacitet punedhenes qe te marrin kollaj kredi ne banka dhe te investojne; pa folur pastaj per venien ne pune te te gjitha ambasadve te shqiperise jashte qe rrijne me duar ne xhepa, ne vend qe te punojne dora dores me dhomat e tregtise ne shqiperi per te diktuar tregje jashte qe mallrat shqiptare te eksportohen ; nje ekonomi qe nuk eksporton nuk krijon vende pune; ja pse Gjermania eshte ne sukses ekonomik dhe Franca ne renie te vazhdueshme; debati vazhdon… GB

    • hahahahahahaa Ky Barka vetem nga Ekonomia nuk mer vesh __Mos e blini librin e tij, se ky duket qe eshte pyke ne diell..por ndoshta per te vjedh ndonje pale breke , edhe mundet ta beje ..lol

      Ky eshte sharlatan bizantin ne te gjitha ato qe thote dhe nuk e ka aspak konceptin e demokracise
      ku popullit, medias dhe te gjitheve duhet tua thuash dhe ta shpjegosh programin tend ekonomik
      jo te mburesh sic ben ky Barka duke mos e treguar planin tend te reformes ekonomike

      Me nje fjale ky e ben kaurce , dhe ecen me teorine ..don’t ask, don’t tell, siikur jemi ne gjendje lufte ….

      E futen ne krye te PS-se , kete , se o e ben ky o s’e ben njeri , jo per gje por ky ja ka mare doren…………..,per vjedhje brekesh e kam fjalen ..lol

      Ja mendimi im si ekonomist autodidakt :

      Sipas meje Qe te hapet puna tek ne duhet te ndertohet sektori i manifakturave , dmth te ndertohen uzina dhe fabrike

      PS-ja duhet te krijoje nje strategji te perbashket me biznesmenet e medhenj ku te percaktohen piketat
      se ku duhet investuar per kete sektor
      dhe tu krijohen atyre kushtet lehtesuese per investime ne sektorin e industrise se lehte e ushqimore,
      ne industrine e rende per perpunim mineralesh dhe te naftes –

      -Sepse ne keto sektore kemi edhe personel inxhinjero-teknik , por edhe sepse ky sektor eshte jetik
      per te krijuar nje ekonomi te qendrueshme ne kohe krizash

      Po ashtu te investohet ne ndertim duke ndertuar fabrika cimento, ne krijimin e koperativave bujqesore ne fshat ,
      ku fsataret te punojne bashkarisht tokat e tyre , sepse krijohet mundesia e shfrytezimit te mekanizimit ne bujqesi dhe meren prodhime ne sasi dhe ne cilesi dhe ne kohe te shkurter, etj etj

      __Pastaj duhet urjgentisht te prishen monopolet ne tregeti, sidomos monopolet e naftes
      dhe duhet urgjentisht te ulet cmimi i naftes, se cmimi i larte i naftes shkateron biznesin e vogel dhe mbjell varferi totale tek familjet tona

      Ne te njejten kohe duhet te largohen kompanite e huaja qe marin naften tone, _Nafta te behet monopol shteteror, dhe shteti jone ta shfrytezoje vete naften, sepse edhe personelin inxhinjero -teknik e kemi ,

      Keto jane gjera esenciale qe duhen bere ne fillim, pastaj nqs aty tek ne ka ndonje monetarist te forte ,
      ai duhet te punoje me inflacionin, duke e ritur njecike infalcionin nepermjet rijtes se rogave dhe pensioneve qe te ritet konsumi__Por ritja e inflacionit duhet te jete me kujdes
      megjtihate ne kemi inflacion shume te ulet dhe kjo ndihmon —Por kjo puna e inflacionit kerkon ekonomiste monetarist te zote..

      Duhet pastaj te listohen te gjitha bizneset dhe tu mblidhet taksa te gjitheve pa perjashtim
      se taksat e mbajne shtetin, natyrisht taksat duhet te jene te arsyeshme , jo ti mbysin bizneset , por ama taksa duhet m,bledhur patjeter

      Per bizneset e vogla duhet tu jepen kredi , por edhe te lejohen njerezit te shesin ne kioska te levizeshme …ne sektorin e shebrimeve

      Keto lloj kioska te levizeshme perdoren edhe ne Manhattan, ndaj nuk ka arsye te mos perodren ne Shqiperi
      ne keto kohe krize, sepse ndihmojne per zbutjen e papunesise per momentin ,pro edhe taksen ua mer …Kane fitim te dyja palet

      Sidoqofte Barka duhet te kete bere liber te mire, se duket qe eshte njeri kurajoz , ka guxim prej te mari dhe mund ta perdorni si leter higjenike librin e tij , ndaj blijani …loooooooooooooooool

      • Do shtoja edhe dicka ketu meqense jemi tek ekonomia

        Qeveria e majte duhet te shikoje me perparesi lidhjet me biznesin kinez

        Duke qene se Kina ka nje suficit ne dollare , ata kerkojne ti investojne keto dollare ,
        dhe kur ministri i jashtem kines dha nje interviste ketu ne USA gjate kohes qe Barjaba ka qene ketu, por natyrisht Barjaba nuk di gje sepse ishte busy me te per-brencmet e grave dhe nuk ka pas kohe ti hedhi nje sy New York Times ku u dha intervista e kinezit

        Ai aty u shpreh se Kina kerkon te investoje ne Europe ne sektorin e infrastruktures ,sepse atje e shikonin si me dobiprures per parate e tyre
        Gjermanet i kerkuan Kines te blinte borxhin e Europes , por Kina tha qe ne e ndihmojme EU-ne vetem duke investuar ne infrastrukturen e rugeve dhe te rjetit hekurudhor

        Mendoj se Shqiperia ka shance te perdori investimet kineze ne infrastrukturen e saj, per rjetin hekurudhor dhe ruget ….,por edhe te rinjgallet industria nxjerese dhe perpunuese e mineraleve dhe naftes sone nepermjet biznesit kinez

        Ndaj duhet qe Qeveria jone mengjarashe qe eshte shumica me depudete biznesmene , te shkojne per nje takim pune ne Kine me Biznesin kinez dhe te parashtrojne kerkesat e tyre per te bashkepunuar me Kinen ne drejtim te biznesit ……

        Mire eshte qe qeveria e mbushur me skorpionsa ti lexoje keto gazetat tuaja ku ne hedhim komentet ,
        sepse midis shkrimeve mediokre ne Brek-jaba -stile , ka edhe komente qe i bejne pune qeverise e cila nuk ka mbushur akoma moshen per te shkuar ushtar …lol

        Nje gje do thosha se kur shikoj qe ne vendin tim drejtohet me minsitra kalamaj, ndihem thellesisht i fyer ……dhe te isha anetar i PS-se atje tek ju ,
        do isha absolutisht ne oponence me kete menyre zgjedhje te pacipe dhe te pa morlashme
        te atyre qe drejtojne , se hedh poshte gjithe mencurine boterore per respektin ndaj Eksperiences njerezore

  • Libri dhe pse me ndonjë “lapsus”,si epiteti “grackë” mbi papunësinë(që është thjesht PLAGE) duket se sjell vlera! Mbi të gjitha bazohet në shqetsimet reale shqiptare dhe detyrimin qeverises per te krijuar vende pune! Ne fakt,me mirë nje vend pune i ri ne familje,se nje shtesë pensioni,e cila duhet,por e garantuar nga GDP e lartë dhe mospasja borxhe.
    Shkaterrimi kriminal i industrisë shqiptare(Natyrisht duhej rinovuar) humbi mijra vende pune dhe perzuri shqiptaret nga vendi. U bë me metoda kriminale partiake e ligje fashiste si Neni 24/1 i vrasesit Berisha!
    Kjo sepse duhej pasurim oborri dhe makineria per kete pasurim personal të shkonte si shkoi e gjitha pêr skrap.
    Aktualisht kriza botrore ka nxjerr primare vendet e punes,shkurtim aty ku nuk jane rentabël dhe gjendja po rendohet!
    Edhe teoritë e Keynes nuk mjaftojnë të delet nga ky qorrsokak ku rinia është me e kercenuara dhe shifrat rriten.Spanja,pershembull e ka kete tregues me 40 perqind papunesi ndersa fqinja Itali 25-30 perqind,mos gaboj pa folur per Greqinë! Ekonomia reale dhe Asterity e Merkel ka prodhuar dhimbje drastike. A ka zgjidhje dhe cduhet të bëjë Shqiperia?
    Nje ekspert i ekonomise italiane ditë me pare në TV 7 nuk sheh shprese per Italinë pasi mallrat kineze,gjermane,amerikane e gjer të vendeve BRISC ku perparon Brazili,e nxjerrin keq italine qe do detyrohet të shes nderkarrjet e saj dhe t’i kushtohet …turizmit,aq të pelqyer nga verioret europiane,bile dhe nga miliona turiste kineze qe duhen lejuar të vizitojnë vendin!…Ai propozoi krijimin e ndermarrjeve shtetrore ne Itali,të cilat të centralizojnë papunësine e madhe dhe të jenë ato nxitese të sektorit privat pasi parate qe shteti do t’u jap punetoreve të punesuar ne “gjelberim-bonifikim-pyllezim,etj…”ish të papunëve të shumtë(të punesohet nga shteti dhe puntori me i fundit ne listen e 4 milion të papunëve) do tu garantohet paga (prishet asistenca)dhe kjo pagë do sherbej për me shumë blerje,(kerkesa) duke nxitur sektorin privat të prodhojë me shumë(oferta)…pra rigjallerohet kështu tregu,mbahet siatemi ekologjik i vendit nën kontroll dhe studim perparimi! Kjo sigurisht kerkon investim qe mund të arrihet nga shkurtimet në aftesine mbrojtse,policore,arsimore(interrneti zhduk mesuesinë ne shkollat,pra investimet ne kete fushe dhe provat ne Bari,Paris Belgjikë me klasa pa mësues por me qenderzim rajonal interneti,kursen miliona dollarë!..
    Investimi i centralizuar i shtetit,qeverisë,sipas ketij autori të mirnjohur,në punësim dhe në ndermarrje me profil ambientin,turizmin etj,zhduk papunësinë,plagën e saj,dhe krijon premisa zhvilluese për ndermarrjet private qe edhe nese shkurtojnë punëtore a falimentojnë,(ligjesi prodhimi,shitje,tregu) punëtoret nuk demtohen pasi shkojnë punojnë aty ku shteti,qeveria ka ndermarrjet e saj ne mbrojtje të ekologjise dhe njeriut! Padyshim duhet perllogaritur mirë papunësia,(interneti primar)gjetja e fondeve për pagesat ne keto ndermarrje,pasi mosperllogaritjet cojnë në kolaps shtetin,i cili nuk duhet të bllokojë ekonomine private duke iu rritur taksat, por të gjejë para financimi per plagën papunësi duke shkurtuar asetet qe nuk dëmtojnë rendë njeriun! Një miliard i duhet Italisë të garantojë punesimin e 4 milion të papunëve dhe ky arrihet duke shkurtuar prodhimet e tankeve,nendetseve apo dhe ushtrinë,tha specialisti! Nuk di sa i duhen Rames të krijoi ndermarrje shtetrore,pas Italise sepse del Saliu dhe i thotë po ndjek Ten Hsiao Pinin) qe ka detyren 300 mijë nga 4 milion të papunë,italia. Plaga me duket se mbyllet kështu,por me kujdesin e madh të mos falimentojë ekonomia private ku pronarët e tokave të mos pengohen nga ligji kriminal 7501,duke pasur pronën tjeterkushi qe nuk prodhon nga frika e vrasjes dhe detyrimisht nuk paguan taksë! Mbase kështu kompensohen mirë jo ish pronaret,o z.Rama,por ata qe nuk kane pronë dhe e dine qe Zoti i ndeshkon me vdekje e semundje,ne pronen e tjetrit(Papa Voitila)…libri duhet të jete interesant,por interesante besoj se jane dhe keto mendime të ekonomisteve italiane qe plagën e papunesise e zgjidh vetëm SHTETI duke punësuar në ekologj dhe ambjent!…

  • Zoti Barjaba, per punesimin fol me argumente jo me leksione universiteti

    Zoti Barjaba, megjithe respektin qe kam, ju nuk flsni per politika punesimi, por per politika papunesimi dhe sipas logjikes time, interpretimi juaj analitik flet per projekte papunesie dhe nuk jep asnje argument “fshatçe”, se ku do gjenden vendet e punes, pra ne cilin sektor te ekonomise, ne cfare menyre do hapen? Cilet sektore do jene prirotar per krijimin e vendeve te punes? Si do te ndahen moshat e punes qe do te rekrutohen ne vendet e punes, sipas aftesive profesionele, sektoriale dhe kapaciteteve fizike te aftesise per pune? Cilat do jene skemat e mbeshtetjes se punesimit prej shtetit? Cili do jete kalendari statistikor kohor i hapjes se grup-vendeve te punes sipas sektoreve sepse keshtu ideohet poltika e punesimit? Sa vende pune krijohen relaisht nga lufta kunder informalitetit, e cila sipas meje shkon ne 40% dhe keto jane vedne pune te fshehura prej fiormaver rpivate, aq sa sipas te dhenave ne QKR e ne tatime e ne zyrat e punes, ka firma ndertimi dhe fabrika qe sipas numrit te te punesuarave te regjistruar ne sigurime shoqerore, rezultojne qe te mbajne fabriken ne aktivitet me 2 – 3 punetor dhe te ndertojne nje pallat 10-15 kate brneda 1 viti me 6 punetor!

  • Nje rruge ku mund te ulet papunesia eshte edhe regjistrimi i te gjithe atyre qe punojne ne fakt, por qe sjane te regjistruar ne sigurimet shoqerore, qe ne fakt, jane ligjerisht te papune.
    Nje tjeter vend, ku hapen vende pune, eshte bujqesia, ku me premtimet elektorale, po te behen vendime, ku te hiqet TVSH-ja per kostot e produkteve bujqesore, qe do te liroje fshatarin nga taksat e paperballueshme, do te ulte ndjeshem papunesine, dhe si pasoje do te kemi edhe nje ulje te ndjeshme te krimit, qe sjell varferia.
    Kjo natyrisht e stimuluar edhe me shkollat profesionale, qe do te pergatisin specialiste, do te jape rezultat qysh ne mandatin e pare te qeverise Rama.

  • Natyrisht, në kuptimin akademik papunësinë mund ta përkufizosh edhe si “kurth”. Por në jetën reale të përditshme fjala papunësi ka vetëm një përkufizim, atë të “gangrenës”.
    Libri paraqet interes dhe duhet lexuar.
    Për të komentuar aq sa na lejon intervista, së pari do thoja se papunësia në Shqipëri, ka specifikat e veta që burojnë jo aq nga kriza globale se sa nga PËRPARËSITË E GABUARA EKONOMIKE-SOCIALE, që qeveritë tona kanë shtruar për zgjidhje.
    Në 20 vjet tranzicion, Shqipëria nuk bëri gjë tjetër veçse shkatërroi burimet e brendshme që kishte dhe e kaloi të gjithë përgjegjësinë e punësimit në duart e privatëve vendas dhe të huaj. Shteti mbajti përgjegjësinë vetëm të administratës publike, ndërsa pjesa tjetër kaloi në mëshirën e konkurrencës së “tregut të lirë të punës”. Politika shqiptare e tranzicionit, e përktheu kryekëput gabim ligjin e tregut të lirë.
    Futja e tregut të lirë në Shqipëri, u shoqërua me disa fenomene si:

    1- Një e treta e popullsisë së saj emigroi jashtë për një jetë më të mirë, pra qeveria hoqi një barrë të madhe të përgjegjësisë së saj për punësimin.
    2- U krijuan shoqëri e kompani private, të cilat hapën vende pune dhe filluan të ndikojnë edhe në rritjen ekonomike të vendit, duke lehtësuar kështu përgjegjësitë e shtetit mbi punësimin.
    3- Hyri në fuqi skema e ndihmës sociale, për kategorinë që e gjeti papritur vehten të përjashtuar nga tregu i punës, kështu shteti gjeti një zgjidhje për të ulur numrin e punëkërkuesve, duke krijuar fenomenin më negativ që përmend dhe autori, atë të “vegjetimit në asistencën sociale” të grup-moshave 40-50 vjeçare, një moshë që përfaqëson pjekurinë më të lartë profesionale.

    Atëhere, përse duhet shteti dhe strukturat e tij, kur këtë gangrenë sociale jetike, siç është papunësia, ai nuk e zgjidh në mënyrë zhvilluese aktive por vegjetative duke stimuluar dekurajimin afatgjatë dhe mungesën e interesit për rikthimin në tregun e punës?
    Qeveritë shqiptare kanë bërë dëmin më të madh që mund ti shkaktohet një popullsie të aftë për punë, por që nuk mund të ingranohet në tregun e punës, për shkak të varfërimit të aftësive profesionale të punës dhe dekurajimit social.
    Me të drejtë autori thotë se ..”Shqipëria ka përjetuar një gjendje ndryshimesh radikale, ku palët nuk kanë zëvëndësuar, por përmbysur njera-tjetrën. Dhe punësimi është parë jo si hapje e vendeve të reja të punës, por si uzurpim i vendeve ekzistuese. Është edhe për këtë arsye që shumica e qytetarëve përpëliten ende, jo për faj të tyre, në kurthet e papunësisë. Për shkak të mungesës së politikave të përgjegjshme dhe vizionare të punësimit dhe zhvillimit”.
    Me interes i shoh në këtë pikë mendimet e dhëna nga parafolësi [email protected]. Në këtë llogjikë, mendoj se qeveria e sotme duhet të shohë mundësinë e rikthimit të hidrocentraleve, minierave, energjitikës, naftës, pyjeve, në administrimin e shtetit me qëllim rivendosjen e seriozitetit të menaxhimit të tyre si pasuri të paçmuara kombëtare por edhe si burime të tilla pasurore që sigurojnë punësimin e mijra e mijra shqiptarëve. Në këtë mënyrë zgjidhen jo vetëm zhvillimi ekonomiko-strategjik i gjithë vendit, por edhe i mbyllet rruga abuzimeve dhe nxjerrjes jashtë të pasurive tona kombëtare, duke çuar në vend dinjitetin e nëpërkëmbur të punëtorëve shqiptarë, të cilët në vendin e tyre trajtohen si skllevër nga kompanitë konçensionare.
    Dora e ekzistencës së një shteti, duket mbi të gjitha në shkallën e punësimit të qytetarëve të saj dhe në vendosjen e një standarti mirëqënje të pranueshëm. Shqipëria për fat është e vogël në numër popullsie, por pasuritë natyrore, për rrjedhojë burimet e punësimit i ka shumë të mëdha. Mjafton dëshira e mirë e politikës, përgjegjësia, ndërgjegja qytetare dhe kultura e zhvillimit vizionar, për të bërë të mundur hapjen e vendeve të punës për çdo qytetar të saj.
    Mundësitë dhe fondet financiare nuk i kanë munguar vendit në këto 20 vite për ta realizuar këtë. Ajo që ka munguar ka qenë dashuria për vendin dhe njerëzit e saj. Qeveritë e deritanishme kanë patur prioritet vetëm “Mirëqënien e tyre personale-familjare” duke i bërë karshillëk qytetarëve, të cilët ishin shndërruar thjesht dhe vetëm në numra votuesish për privilegjet e pushtetarëve. Shqipëria sot, as më shumë e as më pak, ka fytyrën e qeverive që e kanë udhëhequr dhe që ajo i ka mbajtur në kurriz.
    E pra, shpresojmë që rilindja të fillojë së pari tek qytetari dhe për qytetarin, jo me fjalë por me vepra.

  • mos e vrisni shume mendjen se kjo qeveri e ka kollaj.Do kemi vetem llafe dhe jo vende pune, pasurim te te pasurve vecanerisht te politikes dhe varferim te te varferve.Rrini e shikoni si do veje me tej filli i ketyre qe votojne se u japin 2000 leke.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *