Spanja, 132 të vdekur. Qeveria shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Leda Hysa

Kryeministri spanjoll Sanchez ka mbledhur sot qeverinë dhe ka miratuar një dekret përmes të cilit shpall gjendjen e jashtëzakonshme për një periudhë 15 ditore.

Në kryeqytetin Madrid situata është veçanërisht kritike. Spitalet thuajse janë të tejmbushur nga të infektuarit. Spanja, e cila prej ditësh është renditur në vendin e dytë në Europë pas Italisë për numrin e infeksioneve nga koronavirusi, sipas ‘El Pais’, tashmë ka 5100 të testuar pozitiv me Covid-19 dhe 132 viktima.

Më shumë se 2000 të infektuar janë konstatuar në Madrid. Sipas autoriteteve të shëndetit, deri në fundjavën tjetër numri i tyre mund të shkojë në 10 000.

Kryeministri spanjoll Sanchez tha se “vendi ndodhet në fazën e parë të luftës kundër virusit të përhapur në të gjitha vendet e botës dhe veçanërisht në kontinentin europian”.

Për kryeministrin, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të thotë mobilizim i të gjitha mjeteve ekonomike, shëndetësore, publike dhe private, civile dhe ushtarake, për të mbrojtur jetën e qytetarëve.

Sanchez tha gjithashtu se fitorja varet nga secili prej nesh, heroizmi i secilit sot qëndron në larjen e duarve dhe qëndrimin në shtëpi.

Në kryeqytetin Madrid dhe qytete të tjera, autoritetet lokale kanë ndërmarrë një sërë masash në përpjekje për të kufizuar përhapjen e virusit, si mbyllja e bareve dhe restoranteve, diskotekave dhe shkollave.

Në veri, Katalonja ka mbyllur aktivitetet tregtare, palestrat dhe vendpushimet e skive.

 

l.h/ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *