Gjykata e Krujës ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për të ndaluarin Shkëlqim Halili, i akuzuar për ekzekutimin me 7 plumba të nipit të tij Julian Halili, pas një sherri disamujor për motive të dobëta. Por 51-vjeçari nuk ka shprehur aspak pendesë para gjykatës, e për më tepër gjatë marrjes në pyetje u ka dhënë hetuesve alibi të pazakontë për momentin kur ndodhi vrasja. “Unë isha nga toka duke punuar arën kur ndodhi krimi”, ka thënë ai. Por provat dhe dëshmitë e mbledhura e kanë tradhtuar, teksa është arrestuar në përpjekje për t’u arratisur. Tashmë hetuesit kanë si provë edhe armën e krimit dhe priten ekspertiza balistike dhe ajo e gjurmëve.
Prokuroria deklaroi se provat janë bindëse dhe kërkoi izolimin e Halilit. Vrasja ndodhi katër ditë më parë, në pragun e shtëpisë së Ramiz ose Julian Halilit, në fshatin Halil të Fushë-Krujës. Dyshohet se Shkëlqim Halili ka probleme të shëndetit mendor, pasi shpesh-herë është bërë protagonist edhe i disa ngjarjeve. Avokati e ka theksuar këtë fakt dhe do pritet një ekzaminim psikik. Nipi është qëlluar nga xhaxhai i tij nga një distancë e afërt plot 7 herë.
Ai sapo kishte zbritur nga makina dhe po hapte derën për ta futur brenda, ku 6 plumba të qëlluar nga xhaxhai i tij, kanë qenë tejshkues, ndërsa plumbi i shtatë është gjetur në trup nga ekspertët mjeko-ligjorë, e tashmë është çuar për ekzaminim në laboratorin e policisë. Gjatë marrjes në pyetje Shkëlqim Halili, ka pohuar se nuk është autor i kësaj vrasje, pasi ka qenë duke punuar tokën, në momentin kur ka ndodhur krimi. Ndaj 51-vjeçarit rëndon akuza “vrasje për shkak të mardhënieve familjare” dhe “mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
Vrasja e Razim ose Julian Halilit, është kryer për shkaqe krejt banale, pasi autori i dyshuar i krimit ka dhënë dëshmi kontradiktore ndërsa vëllai i tij, Hysen Halili, ka rrëfyer se me Shkëlqimin janë konfliktuar disa herë për degët e rrushit, pasi ato ishin rritur shumë dhe i vështirësonin kalimin Shkëlqim Halilit në banesën e tij.
Një tjetër argument pse ishte konfliktuar Shkëlqimi me nipin e tij ishte dhe fakti se atë e shqetësonte shumë alarmi i makinës së nipit të tij.
l.h/ dita
