Shërbimet e nevojshme dhe barnat do të ofrohen në banesë

redaktor

Të moshuarit që jetojnë vetëm, si dhe grupet e tjera në nevojë që trajtohen me ndihmë ekonomike, apo personat me aftësi të kufizuar, në këto ditë të vështira që po kalon vendi për shkak të përhapjes së virusit të rrezikshëm Covid-19 duhet të vijojnë të qëndrojnë në shtëpi. Për këto kategori ushqimet, barnat dhe materialet e tjera të nevojshme do t’u dërgohen në shtëpi.

Ekspertët e dikasterit të shëndetit po detajojnë planin social se si do të ofrohet ndihma për këto kategori, të cilat rezultojnë të jenë edhe më të rrezikuarat nga pasojat që mund të shkaktojë koronaviursi i ri. Konfirmimin e ka bërë vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirli, e cila theksoi se është gati edhe plani social se si do të veprohet në këto raste. Për të moshuarit do të mundësohet ofrimi i shërbimeve të nevojshme në banesë, ndërkohë që dhe medikamentet do t’u dërgohen në shtëpi. “Për të moshuarit mbi 65 vjeç, që nuk kanë familjarë apo fëmijët afër, do t’u mundësohet sipas një plani me mjekun e familjes dhe farmacistin ku shërbehet, ofrimi i medikamenteve në banesë”, bëri të ditur ministrja Manastirliu.

Po në mbrojtje të shëndetit të kësaj shtrese, ministrja sikundër edhe ekspertët e shëndetit publik kanë vijuar të apelojnë për ndërgjegjësim dhe respektim të kushteve të karantinës, me qëllim frenimin dhe këputjen e zinxhirit të infektimit me Covid-19.  Sipas tyre, qytetarët duhet të zbatojnë rregullat e përcaktuara, duke theksuar se distancimi social është strategjia më e mirë për të fituar këtë luftë.“Distancimi social dhe izolimi që po përjetojmë në këto ditë ka rezultuar strategjia më e mirë në vende ku është zbatuar, për të lehtësuar punën që po bëjnë stafet tona në sistemin shëndetësor. Ne e kemi ndërmarrë në kohë këtë masë që edhe vende të tjera janë duke e bërë. Jemi duke u përpjekur maksimalisht që me kapacitetet që kemi të bëjmë më të mirën”, vuri në dukje më tej ministrja Manastirliu.

Dy shërbimet që largohen nga QSUT

E ndërsa rastet e infektuara me koronaviursin e ri vijojnë të shtohen nga dita në ditë, nis puna edhe për lirimin e ambienteve të reja në QSUT, të cilat do i vijnë në ndihmë Shërbimit Infektiv për përballuar shtrimet që kërkojnë kujdes të specializuar mjekësor si rrjedhojë e ndërlikimeve të shkaktuara nga infektimi me Covid-19.

Puna ka nisur tashmë me zhvendosjen e dy urgjencave, asaj kirurgjikale dhe të patologjive malinje (përkatësisht klinikat 1 dhe 2, si dhe Urologjisë), të cilat duke nisur nga dita e nesërme do të funksionojnë pranë spitalit Universitar të Traumës (ish-Ushtaraku), çka do të garantojë edhe mbrojtjen e shëndetit të këtyre pacientëve. Godinat që po lirohen në QSUT po pajisen me infrastrukturën e duhur për të përballuar shtrimet që do të manifestojnë simptoma të rënduara nga koronaviursi i ri.

Ministrja e Shëndetësisë ka konfirmuar gjithashtu se po bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme për të siguruar stokun e nevojshëm të materialeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe brenda javës pritet mbërritja e një tjetër dërgese me materialet e nevojshme mbrojtëse. Paralelisht po punohet edhe për shtimin e numrit të respiratorëve në strukturën e Reanimacionit, teksa bëhet e ditur se është dyfishuar kapaciteti i respiratorëve në Spitalin Infektiv në QSUT. Po ashtu edhe Laboratori i Virologjisë në ISHP që kryen analizat për Covid-19 është furnizuar me një sasi tjetër të konsiderueshme të kiteve shtesë.

p.k\DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *