Koha për solidaritet midis shqiptarëve!

redaktor

Nga  Gjon Bruçi

Po dëgjoja Kryeministrin, kur paraqiti plani “A” për përballimin e situatës së krijuar nga virusi COVID-19. Plani  i tij prej 7 pikash ishte i mirë, por fjalimi hyrës që zinte mbi tri të katërtat e gjitha “Planit” në fjalë, m’u duk jo i sinqertë dhe jo i besueshëm. Që “Arka e shtetit” është bosh dhe nuk mund ta përballojë situatën e krijuar, kjo dihet nga të gjithë. Ndaj më e pakta, Kryeministri duhej të bënte një autokritikë, jo vetëm për vete, por për krejt klasën politike që ka qeverisur në këta tre dekada, të cilët, ndërsa fasadën e Shqipërisë e kanë lyer me varak demokracie, nga brënda e kanë gërryer e kthyer në shkretëtirë . . .

Duke dëgjuar shqetësimin dhe Planin e qeverisë, mu kujtua viti 1952-53, kur pushteti i sapodalë nga LANÇ, e që kishte vetëm 7 – 8 vjet jetë, kërkonte ndihma financiare nga populli, ndihmë e cila u quajt “Huaja shtetërore”. Në atë Hua, edhe unë që isha në klasën e parë të shkollës fillore,  kam kontribuar me 500 lekë të asaj kohe, veprim që e kreva me porosi të xhaxhait, çka vuri në sedër dhe nxiti të gjithë fshatarët të kontribuonin sipas mundësive.

Kjo gjë, mendova unë, duhej të ndodhte edhe sot, fill pas fjalës së Kryeministrit. Shqiptarët në  të gjitha kohërat e kanë ndihmuar njëri-tjetrin kur kanë patur halle të zakonshme, e aq më tepër kur ato ishin të jashtëzakonshme. Në kohërat e kaluara, ata nuk e kanë ditur fjalën “Solidaritet”, por veprimin për t’iu gjendur komshiut, bashkëfshatarit dhe mikut në ditë të vështira, e kanë ditur dhe e kanë realizuar. Në rastet e veçanta, si ato të luftës kundër hasmit të përbashkët, shqiptarët linin mënjanë me “itifak” (ngjashëm me “aktet normative” të kohës së sotme) hasmëritë personale dhe gjithë potenciali moral, fizik dhe ekonomik i fshatit, Bajrakut e zonës, drejtohej për mbrojtjen e Atdheut. Solidaritetin, apo gjendjen në mbështetje të atij që është në nevojë, shqiptari e ka realizuar edhe ndaj hasmit, kur ai ka dorëzuar armët, apo kur ka mbetur rrugëve pas humbjes së luftës me vendin tonë. Shembulli më i freskët për këtë të fundit janë ushtarët dhe oficerët italianë, të cilët, ndonëse kishin ardhur në vendin tonë me bajoneta të mbërthyera, kur kapitulluan dhe rrezikoheshin nga ish aleatët e tyre, u strehuan e u ushqyen nga shqiptarët, dhe  pas mbarimit të luftës u përcollën paqësisht e të sigurtë për në vendin e tyre.

Në vitet e socializmit, këtë veti të dallueshme të shqiptarëve midis kombeve të tjerë, ata që drejtonin punët e vendit, e ngritën në nivele më të larta. Për të mos e lodhur lexuesin me shembujt e shumtë, po japim vetëm dy raste sinjifikative: Plagët e tërmetit të vitit 1979, që la pa shtëpi mbi 100 mijë banorë të veriut të vendit, u mbyllën për vetëm 5 muaj. Dhe kjo nuk mund të ndodhte, nëse nuk do të ekzistonte solidariteti i shqiptarëve midis njëri-tjetrit, solidaritet që e kurajonte dhe e organizonte Udhëheqja politike e kohës së sistemit socialist. PKSH (PPSH) dhe lideri i kësaj udhëheqëje, shqiptari i madh Enver Hoxha. Rasti i dytë është ai i vitit 1999. Mbi 750 mijë shqiptarë të krahinës shqiptare të Kosovës, të ndjekur nga gjenocidi serb, gjetën strehë e bukë në Shqipëri, e cila ruante ende vlagën e sistemit socialist të përmbysur dhjetë vjet më parë.

Po sot, a e kemi këtë solidaritet midis njëri-tjetrit? A janë mundësitë sot që shqiptarët, të cilët kanë një mundësi financiare, dhe që përbëjnë të paktën 50% të popullsisë, të mbulojnë për disa muaj pjesën tjetër të popullit?

Financiarisht  janë të gjitha mundësitë, por praktikisht nuk mund të realizohet. Nuk mund të realizohet sepse mungojnë dy elementë:

Mungon organizimi shtetëror për ta vënë solidaritetin në moto;

Mungon uniteti midis qytetarëve, unitet që politikanët dhe politikat borgjeze e kanë copëtuar në  rreth 120 pjesë, aq sa janë edhe partitë politikë sot në vendin tonë.

Kryeministri, në fjalën e paraqitjes së programit me 7 pika, foli me një gojtari të rrallë dhe me një pikëllim të skajshëm. Por fjalimit dhe veprimit të tij, ashtu si edhe  i adashëve të tjerë  në politikë, në qeverisje, në parlament apo në biznes, u mungon MORALI. Kryeministri, me gjysëm zëri, në fund të 7 pikave të planit “A”, komunikoj urdhërin për mbajtjen e gjysmës së rrogës së VIPAVE të politikës dhe qeverisjes, por nuk guxoi të hapte siparin e solidaritetit kombëtar. Se të hapësh këtë “sipar”, duhet që Vipat në fjalë t’i kenë duart e pastra dhe zemrën të bardhë. Por duart tashmë ata i kanë të ngjyera me korrupsionin e zi tridhejtë vjeçar, ndërsa zemra u është kthyer plotësiht në formën dhe pamjen e “euros” dhe “dollarit”. Vipat që kanë kullundrisur këtë vend më në krye Salat, Bashat, Metat, Ramat e soj e sorollopi i tyre, duhet t’i thonë popullit shqiptar se ç’u bë pasuria kombëtare e 45 viteve të socializmit dhe tridhjetë viteve të “dërrmërrkracisë”, e cila po të ishte administruar e jo të vidhej, të abuzohej e të shkatërrohej, do të mjaftonte për të përballuar plotësisht situatën që po kalojmë, e madje mund të ndihmonim edhe fqinjin tonë, Italinë, apo Greqinë, siç u bë me këtë të fundit në vitet 70-74 të shekullit të kaluar, kur qytetarët e saj vuanin për bukën e gojës. Pasi të kenë bërë këtë rrëfim të sinqertë tek “prifti-popull”, duhet t’i rikthejnë atij, pasurinë që kanë zhvatur me pa të drejtë e me allishverishe gjatë këtyre tri dekadave, çka do t’u jepte mundësinë e “një gjykimi të shkurtuar” dhe pse jo, edhe të ndonjë ulje dënimi, apo zëvendësimin e një pjese të dënimit me rindërtimin e atyre që me veprimet apo mosveprimet e tyre i shkatërruan në këto vite katastrofike për fatin e Shqipërisë.

Por këto që shkrova më lart, ata nuk mund t’i realizojnë. Ata nuk kanë gjasa të kthehen në identitetin e vërtetë të shqiptarit. Ata janë deformuar kaq keq nga motoja e fitimit dhe superfitimit, që u ka injektuar sistemi kapitalist i mbuluar me pelerinën gjithë ojna të “ekonomisë së lirë të tregut”, sa nuk ka shkollë riedukimi, qoftë edhe e tipit Makarenko,  t’i kthejë në “udhën e Zotit”.

. . . .

Në dhjetë vitet e para të Çlirimit, populli shqiptar, megjithëse diskutonte bukën e gojës, kontribuoi vullntarisht për shtetin me tri “Huara shtetërore”. Këtë e bëri për dy arsye të thjeshta por themelore: Pushteti i asaj periudhe ishte pushtet i vërtetë i popullit, dhe e dyta, drejtuesit e atij pushteti, të sapo dalë nga LANÇ, i kishin duart të lyera, jo me  korrupsion e kontrabandë, por me gjakun e Dëshmorëve dhe të plagëve të Luftës Çlirimtare.

Edhe sot, populli është i njëjtë; sado që e kanë trazuar, e ruan ende ndjenjën e solidaritetit. Por ai nuk ka besim tek Vipat që bëjnë sikur e drejtojnë. Në ditët e tërmetit të 26 nëntorit 2019, kur mijëra qytetarë mbetën pa strehë, e madje një pjesë e madhe e tyre edhe sot janë ende në çadra, Vipat tanë patën rastin të rregullonin disi “biografinë”. Por fatkeqësisht asnjëri prej tyre nuk u kujtua të lëshontë përkohesisht vilat që zotërojnë në Lalëz, në Petrelë, në Golem etj., apo apartamentet e shumta në qytete të ndryshme të vendit, që i kanë lëshuar me qera për të gufosur më tej “barkun e tyne të panginjur”. Edhe tani kur kemi një rrezik akoma më të madh, kur siç e citon edhe Kryeministri, jemi në luftë, këta personalitete që “shkrihen” për popullin në ditët e zgjedhjeve, sot kanë futur bishtin ndër shalë, dhe burrninë më të madhe e shfaqin duke pranuar me gjysëm zëri përgjysmimin  e rrogës “me urdhër të Kryeqeveritarit”!

. . . . .

Sot më tepër se kurrë është koha për solidaritet midis qytetarëve. Por këtë solidaritet, siç e thamë edhe më lart, e kanë çartur politikanët dhe qeveritarët aktualë, të cilët vetëm formalisht e kanë në pasaportë identitetin tonë kombëtar.

Megjithatë, solidariteti midis shqiptarëve nuk ka vdekur. Ai duhet vënë në lëvizje. Jo nga politikanët aktualë, që e kanë të pamundur, por nga inteligjenca e vërtetë e popullit dhe forcat progresiste, të cilat nuk i mungojnë vendit. Shqipëria, megjithë sakatimin që i është bërë në këto dekada të zeza, ka resurse njerëzore e materiale, me të cilat mund të dalë nga kriza, nëse ato do të përdoren me përkushtim dhe në interes të vendit.

 

Share This Article
1 Comment
  • Zoti Gjon Bruci ditët t,u bëfshin njëmijë…..

    .Me mëndie atdhetari të vërtetë, keni shkruar e argumentuar më sipër,gjëndien e këtyre dukurive në vëndin tonë.
    Faleminderit unë si 83 vjecar,rritur me *thërrimet*po këto për TËGJITHË NJË, te kohës para 30 viteve,bërë *përmbysien* për mbrodhësi të vëndit, *po,ATA nën *rrogo*,-në vënd të vinim VETULLA na nxorën SYTË-ATA- pseudot,ardhur ne fuqi drejtuese në vite… Përpekie sporadike bëhen të realizojnë atë ide të pas 90tës, por janë sporradike… Pushtet marrësit,tradhëtuar idealin e realizuesve të atij *IDELI.DEMOKRATIK të vërtetë*
    -fatkeqësi Kombëtare.sjellë. ** Në ditët që përjetojmë,BOTA në LUFTË me KORONAVIRUSIN,(djajtë ANTINJEZORË hedhur) ,mirë nisur për ta PËRBLLUAR situatën… Lexofshin sa ju shkruani ATDHETARËT e VËRTETË, u kalofë kjo e keqe,INJEKTUAR nga KEQBËRËSIT -antinjerzorë.
    Ju DËGJOSHIN atdhatarët e vërtetë e c.thoni JU bëfshim. Penë ATDHETARI Gjon BRUCI.
    Guri Naimit D*Pasues VETERANI*..
    Bir i Dangëllisë Naimjane!
    (1) I gjyshit Jono Xhoga -Kapedani, RËNË më 1913tëm, kryecetës Dangëllsë,slmuar fqinjët jugorë,
    sa shpallur i Madhi Ismail Qemali me shokë PAVARËSNË.-ATDHEUT-.sjellë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *