Letër gjyshit…

redaktor

 

Në emrin tonë, të lutemi…*

I dashur gjysh. E dimë që na do më shumë se sa të duam!…Por edhe ne të duam më shumë se sa na do… Le ta gjykojë dikush tjetër këtë çështje… Megjithatë Ti ke më shumë të drejtë…

Para tre ditësh vogëlushi 6-vjeçar Pio, banor i Castertanos të Italisë, i operuar, prandaj për këtë shkak edhe imuno-depresiv, që do të thotë: “Zero antitrupa! Zero mbrojtje! Zero imunitet!”, përpos të tjerash, me një letër i drejtohej gjyshit të tij edhe me fjalët: “…Në se do të më shpëtosh, rri në shtëpi…!” Nuk ka thirrje-apel më të sinqertë, më të ndjerë, më të dhembshme, më të…

Ka më se tre muaj që njerëzimi në botë është tronditur, deri në shastisje (humbamendje), nga një e papritur për shëndetin e tij, së cilës nuk i dihet fundi… Bota shkencore e epitetoi “Coronavirusi” dhe “Organizata Botërore e Shëndetësisë” e kodoi “Covid-‘19”, për shkak se u shfaq në fundvitin 2019. Më 18 dhe 19 mars, pra vetëm 4 muaj pas “ardhjes në jetë” të këtij virusi, bota artikuloi shifrën e 8790 viktimave dhe më shumë se 200.000 të prekurve në gjithë kontinentet e globit. Shifra e të shëruarve është gati po kaq sa viktimat, çka nuk përbën ndonjë element frymëzues, progresist… Fqinjët tanë evropianë: Italia dhe Spanja, kanë publikuar shifra rrëqethëse për humbjen e jetëve njerëzore nga ky shkak. Më 18 mars Italia u shpreh për 475 viktima në 24 orë, ose 20 viktima në çdo orë; dhe të nesërmen për 427 të tillë, një shifër jo shumë optimiste, gati 18-19 viktima në orë; ndërsa Spanja për 1 viktimë në çdo 16 minuta, ose 72 të tillë në çdo ditë…

Gjysh i dashur, le të mos luajmë me shifrat, që janë thjesht për efekt statistikor, por gati 9000 viktima nga ky shkak nuk janë të pakta. Rruzulli tokësor nuk është kaq i pasur me specien e qenies njerëzore, që të rrallohet prej saj në këtë masë, në kushtet kur ajo vetë me punën dhe intelektin e saj e siguron mbijetesën…

Gjysh i dashur, ne e kuptojmë fare mirë që Ju keni të drejtë të shqetësoheni… Ju nuk mund të rrini pa na takuar ne, sepse na keni qenë pranë dhe na keni rritur në çdo segment kohor, por, duhet të keni kurajon dhe durimin e duhur, që për shëndetin tonë, dhe në këtë kuptim edhe për kënaqësinë Tuaj, të na takoni më rrallë… Shkenca ka evoluar mjaftueshëm, sa që të komunikojmë më shpesh dhe më drejtpërdrejt… Përmes telefonatave në rrjete të ndryshme mund të merremi vesh dhe të shikojmë njeri-tjetrin…

I dashur gjysh, ne kemi nevojë më shumë për Ju se sa ju për Ne… Na jeni të domosdoshëm për fjalën e urtë dhe këshillën e mirë… Dashuria juaj për ne i kalon të gjitha dashuritë… Ku mund ta gjejmë ëmbëlsirën tuaj të gatuar jo me mjete ëmbëltuese por me ëmbëlsinë e zemrës, të shpirtit, të pamjes, të sjelljes, të kujdesit, të… Gjysh, më e vogla nga ne mbesat të thotë në praninë tonë dhe në telefon vazhdimisht e vazhdimisht: “Je gjyshi më i mirë në botë! Të dua sa Gjithësia! Sa Hapësira! Sa…”. Besoje këtë artikulim, që del nga zemra e shpirti i pastër dhe jo nga mendimi apo nga çka dëgjon në televizion… Amarisit i flet zemra, i flet shpirti, i flet…., ne të tjerave na flet edhe mundësia që kemi më shumë nga kontaktet me jetën… Sa na ke dashur Ti në kaq vite nuk do të kemi mundësi të të duam ne në vitet e ardhshme… Sa ke bërë Ti për Ne, nuk do të kemi mundësi kohore për të ta shpërblyer…

Veçse dashuria e jonë është e pastër si vesa e mëngjesit, si uji i gurrës së lajthisë, si gjithçka e pafajshme… Jeta ka ca kufij kohorë të përcaktuar rreptësisht nga natyra, të cilët duhet t’i njohim e t’i respektojmë! Ne kemi nevojë për Ty si çdo bashkëmoshatari ynë për gjyshërit e tyre! Secili ka limitin e tij kohor në këtë Mbidhé, por ky limit mund të zgjatet apo të shkurtohet… Varet nga secili prej nesh “Të vdekëshmëvet”… Nuk është momenti të gjykojmë dhe të diskutojmë për muzën e krijuesve dhe regjisorëve, në se duhet “Të rrosh apo të mos rrosh”… Secili ka vend në këtë botë… Gjithkush ka mundësi të kontribuojë me mënyrën dhe mundësinë e vet… Ju e keni të domosdoshme të dilni në hapësirë, të shikoni që pranvera ecën sipas ligjeve të natyrës dhe jo sipas laboratorëve të biznesit, por laboratorët i kemi krijuar ne vetë…

Ne bijtë, bijat, nipërit e mbesat kemi detyrimin moral t’u shërbejmë me çka të mundemi… Ju na shërbeni vetëm me dashurinë Tuaj të pamatë… Do të kemi kohë të kalojmë edhe bashkarisht… Në këto situata do të mjaftonte që Ju të ishit mirë, të mos ngarkoheni me strese që nuk u takojnë, të jeni në jetë sepse u kemi të shtrenjtë, të pazëvendësueshëm… Jeta duhet pranuar ashtu sikurse vjen, por vetë njerëzit kanë përgjegjësi se si rrjedhin zhvillimet në këtë botë, të cilën ata janë në gjendje ta kontrollojnë…

Gjyshër e gjyshe, prindër, vëllezër e motra, miq e të afërm, shokë e shoqe, mësues dhe mjekë, ju kemi në zemër… Lutemi na keni edhe ju po kështu…

Emi, Aiken, Amaris

 

*****

*Botuar në Dita. Letra është shkruar nga Emi, Aiken dhe Amaris, mbesat dhe nipi i Safet Ramollit, i cili në mënyrë periodike bashkëpunon me gazetën. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

Share This Article
2 Comments
  • Mos i braktisni gjysherit, se po vdesin si qente nga deshperimi dhe vetmia.
    Kush eshte i pasemure le ti ndihmoje prinderit. Nuk braktiset ashtu njeriu.
    Ky femija ka te drejte, por kjo e drejta e tij nuk vlen per ata qe jane shendoshe e mire.
    Kujdes mos i infektoni, por mos i braktisni

  • Edhe femijet po i perdorin per propagande, qe te prekin ndjenjat e njerezeve. Poshtersia dhe manipulimi i tyre nuk ka kufij. Ashtu si perdorin ate Greten per ngrohjen globale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *