Ndihmësfarmacistët mund të vijojnë të punojnë me lejet e vjetra edhe pas muajit mars. Për shkak të situatës së rënduar të krijuar në vend nga shpërthimi pandemik i Covid-19, këta profesionistë të shëndetit nuk do mund të kryejnë procedurat për rinovimin e certifikatave për vijimin e punës pranë agjencive farmaceutike. Por, pavarësisht kësaj, këta punonjës do të vijojnë të ushtrojnë profesionin e tyre pa asnjë pengesë.
Në vendimin e marrë së fundmi, Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Farmacistëve ka aprovuar shtyrjen e afateve të vlefshmërisë së lejeve të vjetra me të paktën 6 muaj për të gjithë punonjësit e këtij profili.
“Për shkak të situatës së krijuar si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, në pamundësi për të bërë rakordimet me Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim mbi plotësimin e detyrimit ligjor të përcaktuar në nenin 33, të ligjit Nr. 10107, datë 30.03.2009, “Për kujdesin shëndetësor në RSH” e për pasojë në pamundësi të pajisjes me leje të ushtrimit të profesionit për ndihmës farmacistët, Këshilli Kombëtar, të shtyjë afatin e vlefshmërisë së certifikatave për ndihmës farmacistët që e ushtrojnë profesionin pranë agjencive farmaceutike deri më datë 30 shtator 2020. Sipas tyre, ky vendim hyn në fuqi duke nisur nga data 1 prill”, bëjnë me dije autoritetet e Urdhrit të Farmacistëve.
p.k\Dita
