Darka e gabuar dhe gratë “firmato” të Kuvendit

anazapta

Këto ditë opinoni publik, me të drejtë, u elektrizua për mosmarrjen e vendimit për demontimin në Shqipëri të armëve kimike të Sirisë. Kur shihja e dëgjoja argumenta të ndryshëm, nga personazhet protogonistë, më dukej se po lexoja romanin: “Darka e gabuar”, të shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare.

Gurametoja i madh dhe Gurametoja i vogël, njëri i arsimuar në Gjermani e tjetri i arsimuar në Itali, ishin në qendër të debait publik. I madhi fshihej nën qetësinë e çelsave të pushtetit, i vogli, me kryesekretarin, që nuk i ndahej asnjë çast nga krahu, dukeshin kudo, deri edhe duke bërë pis pantallonat firmato në trotuarët e Tiranës.

Duke parë me lupë bashkëkohore në dorë gazetat dhe stacionet televizive, nuk isha në gjendje të përcaktoj se kishim të bënin me një lajthitje kolektive, individuale, apo nga ato trazimet që sjell zakonisht politika e ditës në vendin tonë. Trysnia në tru më rritej nga çasti në çast, si rezultat i servirjes nga mediat i lajmeve kontraditore. Kjo Shqipëri do jetonte apo do të zhbëhej?! Për mua nuk ishte pyetje e lehtë.

Arsyetimin ma prishi edhe poeti i kombit, Dritëro Agolli. “Po erdhën ato të flamosura helme nga Siria fara jonë do të zhduket si reja e karkalecave. E pse? Sepse për herë të parë e kanë thirrur në dasëm veshgjatin.” Unë i besoj poetit. Letërsinë e tij të mrekullueshme e kam lexuar nga fëmijëria e deri sot dhe më ka sjellë kënaqësi të pamatura nga instrumentet bashkëkohorë.

Rivaliteti, në të njejtin profesion, njihet që nga lashtësia. Pa rivalitet profesional nuk ka ecje përpara. Rivalë, por asnjëherë shkrimtari i shquar nuk e çon konfliktin deri aty sa Gurametot të agresohen si shemrat ndaj njëri-tjetrit. I vogli, me stafin e tij, reagonte sapo të dëgjohej ndonje zë apo lëvizje sado e imët për të madhin.

I madhi i hipi doriut duke udhëtuar larg, se kinse do të mbante fjalën e dhënë nënës, për të sjellë Dorontinën në shtëpi, duke harruar se Dorontinat e sotme martohen vetë larg se jua do…… Po u diktua nga shoqatat e shumta të grave, se martesa është bërë me mblesëri, ec merru vesh me gratë!

I vogli reagoi me të njejtën monedhë. Me gra i madhi sulm, me gra i vogli. Deputetet e ndritura bllokuan Parlamentin duke imituar Shote Galicën,Tringën…. Në fakt në imitimin e tyre artistik kishin harruar një detaj të vogël, rekuizitën. Jam dakort, që rrobat firmato nuk kanë pasur mundësi t’i ndryshonin me veshjet e heroinave. Nuk kanë ku t’i gjejnë më ato rroba të së kaluarës. Minimalja, gjithmonë për mua, bizhuteritë e stërshtrejta, t’i kishin futur në çantat e tyre elegante, sëpaku në ato çaste mitike. Kjo qe arsyeja që për shumë shqiptar ato u duken si hanëmet e dikurshme që përshkruan shkrimtari e aspak si heroina.

 

Letër e nënshkruar

Fatmir Lohja

 

Share This Article
1 Comment
  • Bukur fatmir lohja! Nje esse e ndertuar me art dhe me shqetesim qytetar për ndodhite me heroinat tona te infektuara nga kimikatet e shtrenjta! Nderime!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *