Covid-19\Si të reduktojmë dëmet nga larja e shpeshtë e duarve

redaktor

Qasjet individuale në zbatimin e rregullave të distancimit social dhe higjienës, e veçanërisht asaj të duarve janë thelbësore në frenimin dhe ndërprerjen e zinxhirit të infektimeve me koronavirusin e ri, i cili është shndërruar tashmë në një kërcënim të rrezikshëm për mbarë botën.

Por, edhe pse është thelbësore në luftën kundër Covid-19, larja e shpeshtë e duarve mund të thajë lëkurën tuaj. Ekspertët dermatologë theksojnë se nëse nuk tregohet kujdes edhe në këtë drejtim, mund të përballemi me një lëkurë të thatë që shkakton kruarje të vazhdueshme, plasaritje, të cilat mund të rëndohen deri në shfaqjen e plagëve. E në këto kushte, lëkura e thatë dhe e plasaritur e bën më të lehtë që bakteret dhe viruset të futen brenda trupit tuaj, duke shtuar rrezikun për sëmundje.

Ndaj për të zvogëluar rrezikun e lëkurës së thatë, të plasaritur, janë një sërë këshillash që duhet të ndiqni në ritualin e përditshëm të larjes së duarve. Mjekja dermatologe Monika Fida tregon për “DITA” se çfarë mund të bëjmë për të mbrojtur lëkurën e duarve nga larja e shpeshtë, e cila në asnjë rast nuk duhet të ndërpritet në këtë situatë të emergjencës së shkaktuar nga shpërthimi pandemik i Covid-19.

Sa e dëmton larja e shpeshtë e duarve lëkurën?

Larja e shpeshtë e duarve është një proces shumë i rëndësishëm për të mospërhapur, ose mos u infektuar nga Covid-19. Por, si rezultat i larjes së shpeshtë të duarve dhe si rezultat i përdorimit të produkteve dezinfektant, vërehet në një numër shumë të madh të njerëzve acarim i lëkurës së duarve, ose tek disa individë ky acarim është edhe më i madh dhe më i përhapur. E kjo nuk ndodh vetëm në duar, por mund të kalojë edhe në pjesë të tjera të trupit.

Të gjithë jemi të rrezikuar nga ky acarim?

Acarimi i lëkurës ndodh në të gjithë njerëzit. Por tek disa mund të shfaqet në forma pak më të rënduara. Konkretisht, më e rënduar gjendja është tek individët që kanë lëkurë më të ndjeshme dhe kanë vuajtur edhe më parë nga dermatiti atopik, ose dermatiti alergjik e irritativ i lëkurës.

Po çfarë mund të bëhet në këto raste?

Mjekët dermatologë rekomandojnë të vazhdohet rituali i larjes frekuente sa më shpesh që të jetë e mundur, për të shmangur kështu përhapjen e mëtejshme të virusit Covid-19. Duke qenë se kjo larje e shpeshtë është e pashmangshme janë një sërë këshillash që nuk duhet t’i neglizhojmë gjatë këtij rituali, në mënyrë që të mund të shmangen problemet me irritimin e lëkurës.

Konkretisht çfarë mund të rekomandojmë?

Janë një sërë këshillash të thjeshta që mund të ndiqen nga të gjithë ne gjatë këtyre ditëve, ku larja e duarve duhet të jetë e vazhdueshme. Së pari rekomandohet që larja e duarve të bëhet me ujët të vakët për të paktën 20 sekonda.

Duhet të aplikoni pas larjes një krem emollient, gjë që duhet bërë disa herë në ditë. Gjithashtu rekomandohet që të përdoren produkte hidratuese që janë shumë të pasura me përmbajtje vajose, ose vazelinë.

Këshillohet të përdoren produkte të cilat rekomandohen për lëkura atopike dhe ky produkt hidratues mundësisht mos të ketë aroma, ose parfume, pasi kështu shmangni mundësinë e dermatitit alergjik nga parfumi ose produkti aromatizues.

Rekomandohet që të zgjidhni një sapun për lëkurë sensitive nëse keni një acarim të madh të lëkurës dhe evitoni sapunin që ka aromë të fortë. Veçanërisht në darkë mund të përdoret edhe një krem me përmbajtje kortikosteroidi ( i rekomanduar nga mjeku dermatolog ose farmacisti) në rast të një irritimi të theksuar, por kjo vetëm për disa ditë.

Kur duhet ndihma mjekësore?

Nëse edhe pas ndjekjes së këtyre këshillave lëkura nuk qetësohet, kërko të konsultohesh me mjekun dermatolog edhe online, veçanërisht nëse keni të kruajtura të shtuara, çarje të duarve, ose përhapje të irritimit të lëkurës edhe në zona të tjera të trupit.

 

Disa këshilla:

  • Larja  e duarve duhet të bëhet me ujë të vakët për të paktën 20 sekonda.
  • Aplikoni pas larjes krem emollient, disa herë në ditë.
  • Përdorni produkte hidratuese me përmbajtje vajore ose vazeline.
  • Zgjidhni produkte hidratuese pa aroma dhe parfume.
  • Përdorni sapun për lëkurë sensitive dhe evitoni sapunin që ka aromë të fortë.
  • Në darkë mund të përdorni edhe një krem me përmbajtje kortikosteroidi ( i rekomanduar nga mjeku dermatolog ose farmacisti), por vetëm për pak ditë.
  • Kërkoni ndihmën online të mjekut dermatolog nëse vijoni të keni probleme.

 

Pranvera Kola\Dita

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *