Tronditet Barcelona, Vilanova me kancer

anazapta

Trajnerit i rikthehet sëmundja, merr mbështetje edhe nga Reali

 

Një lajm që vjen nga Barcelona ka tronditur botën e futbollit. Tito Vilanovës, trajnerit të katalanasve, i është rikthyer sëmundja e kancerit, dhe menjëherë pas kësaj klubi katalanas ka anuluar çdo komunikim me mediat. Lajmin e jep gazeta “El Mundo Deportivo”, ndërsa shqetësimi është i madh lidhur me të ardhmen e Vilanovës në stolin “blaugrana”. Presidenti Sandro Rosel kishte parashikuar një dalje para medias përpara festës së Krishtlindjeve, ndërsa skuadra vazhdon përgatitjet për ndeshjen e fundit të këtij viti, atë në fushën e Valadolidit në kampionat. Vilanova u sëmur fillimisht me kancer në vitin 2011, por ia doli të fitonte betejën për jetë a vdekje, ndërsa skuadra e drejtuar në atë kohë nga Pep Guardiola, fitoi thuajse gjithçka, përfshi edhe titullin kampion në Spanjë dhe Champions League. Nuk jepen më shumë hollësi se sa ka përparuar sëmundja, ndërsa Vilanova së fundmi ishte në stol në fitoren 4-1 të Barcelonës ndaj Atletikos së Madridit në kampionatin spanjoll. Mbetet në pikëpyetje nëse ai do të vazhdojë të drejtojë skuadrën që mori në dorëzim pas dorëheqjes së Guardiolës.

Ndërkaq, ka reaguar rivali më i madh i Barcelonës, duke lënë mënjanë mërinë sportive. Real Madrid, me të marrë lajmin për sëmundjen e trajnerit të Barcelonës, ka dërguar mesazhe mbështetjeje për të. “Real Madrid dëshiron të shprehë mbështetjen, dashurinë dhe dhembshurinë për trajnerin e Barcelonës, Tito Vilanova dhe shpreson që ai të shërohet sa më shpejtë”, thuhet në komunikatën e Realit. “Jemi përkrah jush dhe familjes tuaj”. Përkrahje për Vilanovën ka shprehur edhe futbollisti i Realit, Marcelo. “Jeta e njeriut është më e rëndësishmja dhe është mbi të gjitha ndarjet dhe rivalitetet e klubeve. Kjo është ndeshja më e rëndësishme për Vilanovan”, ka shkruar Marcelo në Twitter.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *