Gjykata e Tiranës dënoi me 9 vite burg me gjykim të shkurtuar, nga të cilat do vuajë 6 vite izolim, Flamur Karajn, efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Aktualisht një ish-polic për shkak të krimit, u arrestua për akuzën e “vrasjes me dashje, të mbetur në tentativë”, ndaj djalit të xhaxhait.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 3 qershor 2019 në fshatin Dors, ku Enver Karaj u qëllua me armë në oborrin e shtëpisë së efektivit, pasi të dy së bashku ishin konfliktuar për një gotë raki.
Flamur Karaj e qëlloi me armën e shërbimit kushëririn me tij, ndërkohë pas krimit shkoi në repart dhe u dorëzua. Pas pretencës dhe konkluzioneve të palës mbrojtëse, duke vlerësuar pranimin e akuzës, Gjykata e dënoi me 9 vite burgim.
Por duke i pranuar gjykimin e shkurtuar me një të tretat, ky dënim është bërë 6 vite izolim. Karaj në sallën e gjyqit ka shprehur pendesë, ndërsa kushëriri i tij Enver Karaj që mbeti i plagosur në fytyrë ka deklaruar se janë pajtuar.
Gjatë procesit gjyqësor Flamur Karaj deklaroi: “Shkuam në fshat me nusen tek shtëpia e vjetër, aty erdhi Enveri (kushëriri). E qërasa me një gotë raki. Kërkoi sërish por i thash nuk jetojmë këtu, e nuk kam më. Ai filloi të më ofendojë dhe më ka goditur disa herë me dërrasë. U mbrojta, tentova ta largoj, por nuk munda. Në atë moment nxora armën. Jam i penduar për veprën e kryer, por ai më sulmoi i pari”.
o.j/dita
