Letër e nënshkruar
Ajet Delaj
Z.Kryeministër, jeni i privilegjuar me mbështetjen dhe numrat që ju ka dhënë elektorati shqiptar aq sa jeni edhe i obliguar dhe nën presionin e votës për të kuptuar dhe përmbushur vullnetin e votuesit shqiptar në ngritjen e institucioneve efiçente e ndëshkimin e abuzimeve të kudondodhura që e kanë shndërruar Shtetin Shqiptar në një thes të kalbur që ku ta kapesh e lëshojne penjët.
Ju, z.Rama duhet të pregatisni skemën e reformimit të plotë të sistemit të drejtësisë dhe ashtu siç bëtë thirrje për doktorët kërkoni edhe juristë dhe specialistë të zbatimit të ligjit që kanë mbaruar në Perëndim pasi nuk janë të paktë dhe sistemi i drejtësisë nuk është më pak i kalbur se sistemi i shëndetësisë.
Krimi dhe kriminelët arrihen duke ndjekur rrjedhën e parasë dhe asetet e krimit. Çdo funksionari shtetëror në Repuplikën e Shqipërisë i duhet verifikuar pasuria dhe llogaritë bankare. Vendosja dhe mbrojtja e jetës, dinjitetit njerëzor dhe pronës private dhe shtetërore në kornizën e ligjit, është detyrë themelore e çdo qeverie nëse realisht kërkon dhe dëshiron të qeverisë dhe jo të grabisë siç kanë bërë paraardhëset e saja. Rithemelimi i shtetit të Ismail Bej Vlorës duhet të ecë me shpejtësi të shtuar dhe çdo ngadalësim, hezitim apo stopim është kundër vullnetit të shqiptarëve të shprehur me votë më 23 Qershor.
