Shqipëria e konsideron pandeminë e Covid-19, si rrezik të nivelit të dytë.
Kështu u përcaktua në strategjinë kombëtare të sigurisë, e cila në këtë formë të përcaktimit nga autoritetet shtetërore nënkupton edhe një masë sigurie jo në nivelin e kërkuar të masave, apo edhe financave.
Pra, edhe në rastin e koronavirusit, Shqipëria vijon ta ketë pandeminë të konsideruar si nivelin e dytë që cënon sigurinë kombëtare.
Klasifikimi i rreziqeve është bërë duke shqyrtuar dy parametra kryesorë: gjasat e shfaqjes së rrezikut dhe pasojat që mund të shkaktojnë për sigurinë kombëtare.
Në bazë të kombinimit të këtyre dy parametrave, rreziqet janë klasifikuar në tre nivele.
Në nivelin e parë janë grupuar rreziqet që kanë gjasa të larta shfaqjeje dhe pasoja të larta në rast se materializohen.
Në nivelin e dytë janë grupuar rreziqet, të cilat ndërthurin gjasa të ulëta dhe pasoja të larta.
Në nivelin e tretë janë grupuar rreziqet që kanë gjasa të ulëta shfaqjeje dhe pasoja më të kufizuara.
Këto përfundime janë arritur duke analizuar edhe dobësitë strukturore dhe institucionale që ndikojnë më së shumti në aftësinë tonë për t’u përballur me këto rreziqe
Rreziqet e nivelit të parë Kategoritë e mëposhtme të rreziqeve kanë prioritetin më të lartë për sigurinë e RSH-së.
Gjasat e shfaqjes dhe pasojat e tyre për sigurinë kombëtare vlerësohen të larta. Dhe në të përfshihën korrupsioni dhe krimi i organizuar; kriza energjetike, që kërcënon sigurinë e furnizimit të RSH-së dhe cënon rritjen ekonomike; mangësitë në kontrollin dhe administrimin e territorit, që kërcënojnë sigurinë individuale dhe favorizojnë trafiqet e ndryshme; sulmet kibernetike nga aktorë shtetërorë ose joshtetërorë; degradimi mjedisor dhe fatkeqësitë natyrore; shkatërrimi i mjedisit, shpyllëzimi, ndotja e lumenjve dhe fatkeqësitë natyrore industriale apo të shkaktuara nga ndikimi i njeriut.
Rreziqet e nivelit të dytë konsiderohen sulmet terroriste, përfshirë edhe përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, kundër territorit të RSH-së; shfaqje e një pandemie që kërcënon në masë shëndetin publik të popullsisë; rritje e radikalizmit fetar, që rrezikon vlerat e harmonisë fetare në Shqipëri dhe që mund të shkaktojë tension shoqëror; aktivizimi i një vatre rajonale tensioni me pasoja për sigurinë kombëtare të RSH-së; sulm konvencional ndaj RSH-së ose ndaj një vendi anëtar të NATO-s.
Niveli i tretë i rreziqeve përbëjnë prioritet të nivelit të tretë për sigurinë e vendit.
Gjasat e shfaqjes vlerësohen më të ulëta se niveli i mësipërm ndërsa pasojat për sigurinë kombëtare më të ulëta se niveli i mësipërm. Veprimtari subversive spiunazhi kundër interesave të RSH-së; Krizë financiare globale ose rajonale, që rrezikon stabilitetin e ekonomisë së Republikës së Shqipërisë; Pasojat e ndryshimeve klimaterike në ekuilibrat natyrorë të RSH-së; Rritje e emigracionit të huaj në territorin e Shqipërisë.
Këto përfundime janë arritur duke analizuar edhe dobësitë strukturore dhe institucionale që ndikojnë më së shumti në aftësinë e Shqipërisë për t’u përballur me këto rreziqe.
j.l./ dita
