Ndikimi i pandemisë te remitancat dhe sipërmarrjet transnacionale

redaktor

 

Nga Jona Barjaba, PhD

 

Pandemia e COVID-19 po krijon vështirësi në ekonomitë e vendeve të ndryshme, përfshirë ekonominë e Shqipërisë. Ekspertët e ekonomisë dhe politikave ekonomike parashikojnë se kjo emergjencë e shëndetit pritet të ristrukturojë shoqërinë, të shkaktojë një recesion ekonomik dhe potencialisht të ndryshojë mënyrën e të bërit biznes. Emergjenca aktuale, ashtu si ngjarjet e mëparshme dhe kriza financiare e vitit 2008, do të kërkojë marrjen e masave shtesë për të lehtësuar punëtorët, qeveritë dhe bizneset.

Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha rajonet e tjera të botës qeveritë kanë imponuar masa të rrepta për të kufizuar lëvizjen. Miliarda njerëz në mbarë botën janë izoluar në shtëpitë e tyre dhe shumica e bizneseve janë mbyllur. Ndërkohë në aspektin ekonomik, qeveritë kanë filluar të hartojnë programet e rimëkëmbjes ekonomike e financiare. Në këtë konteskt, është e rëndësishme që politikat e masat që do të ndërmerren të përfshijnë edhe remitancat dhe sipërmarrjet transnacionale të migrantëve. Të dyja këto veprimtari ekonomike, të cilat kanë  potenciale të ndjeshme në zhvillimin ekonomik e shoqëror, parashikohet të goditen prej pandemisë.

Remitancat janë globalisht një burim financiar për zhvillimin ekonomik të vendeve dërguese. Mbylljet e kufijve po pengojnë fluksin e miliardave dollarëve të remitancave globalisht, në një kohë kur ekonomitë kanë më shumë nevojë për to. Si shumë vende të tjera, edhe Shqipëria pritet të pësojë një ulje të nivelit të remitancave që emigrantët tanë do të nisin drejt vendit tonë, ulje e cila ka ndodhur edhe gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, vendet e prekura rëndë nga pandemia, si Italia, Greqia dhe Gjermania, janë vendet kryesore pritëse për një numër të madh migrantësh shqiptarë. Kjo rrethanë e vendos Shqipërinë në një pozicion kritik ndaj përballjes me COVID-19.

Ndër vite, qindra-mijëra emigrantë shqiptarë, përmes remitancave, kanë ndihmuar e vijojnë të ndihmojnë familjet e tyre për të mbijetuar, rritur konsumin dhe plotësuar disa shërbime jetësore bazike. Shqipëria është një vend me një varësi të lartë nga dërgesat e migrantëve. Në vitin 2007, remitancat arritën në 937 milion euro, ndërsa në vitin 2018 përbënin rreth 10 përqind të PBB-së. Pas krizës financiare që ndikoi rëndë në ekonomitë e Bashkimit Evropian pati një rënie të madhe të dërgesave. Pandemia aktuale pritet të ketë një ndikim negativ në nivelin e remitancave dhe i njëjti trend mund të pritet edhe pas pandemisë.

Por, remitancat nuk janë kontributi i vetëm i emigrantëve shqiptarë. Pas shumë vitesh të dërgimit të remitancave, aktualisht, nxitur edhe nga politikat e kujdesshme shtetërore për migracionin, mund të flasim për një mirëmenaxhim të tyre. Vitet e fundit, po kalohet nga përdorimi i remitancave për konsum, në përdorimin e tyre si burim investimi e zhvillimi. Si në mjaft vende të tjera, sipërmarrjet e migrantëve, përfshirë ato transnacionale, po e rrisin ndikimin e tyre në ekonominë shqiptare. Sipërmarrësit emigrantë shqiptarë kanë filluar të shtrijnë bizneset edhe në vendet e tjera, çka u mundëson të jenë të lidhur ekonomikisht në disa vende. Shumica e këtyre sipërmarrësve operojnë me biznese të vogla dhe të mesme, por një pjesë kanë krijuar edhe ndërmarrje më të mëdha.

Vëmendja për sipërmarrjet transnacionale të migrantëve shqiptarë është e rëndësishme për shkak të potencialit të tyre në rritje për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Për shkak të “tranzicionit të dyfishtë” të migrantëve shqiptarë, për sa i përket migrimit dhe kalimit nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut të lirë, dhe më saktësisht mungesës së përvojës së sipërmarrjes në atdhe gjatë regjimit komunist, mund të mendohej se shqiptarët do të ishin në pozitë jo të favorshme për zotërimin e sipërmarrjeve. Por zhvillimet provuan të kundërtën. Shqiptarët kanë arritur të identifikojnë mundësi të ndryshme sipërmarrëse dhe vitet e fundit po përfshihen gjithnjë e më shumë në një gamë më të gjerë të veprimtarive sipërmarrëse. Si pasojë e masave parandaluese të marra nga qeveritë e vendeve të ndryshme për të kontrolluar pandeminë, bizneset transnacionale të migrantëve janë ndër grupet e sipërmarrjeve që do të preken nga këto masa.

Në vijim të investimeve agresive dhe politikave favorizuese që ka nisur të zbatojë Qeveria për të rikthyer ekonominë në normalitet, ekspertët duhet të sugjerojnë nisma për të fuqizuar remitancat si burim zhvillimi dhe për të mbështetur sipërmarrjet transnacionale të migrantëve shqiptarë. Migrantët sipërmarrës janë aktorë të mundshëm në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendeve të origjinës.

 

*Lektore e Ekonomisë

Share This Article