Në kushtet ku është pezulluar funksionimi i shumë institucioneve për shkak të pandemisë, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me dy komisionet e vettingut KPK dhe KPA, të cilat kanë ndërprerë seancat publike. Por burimet mediatike raportojne se puna e komisionerëve dhe këshilltarëve vijon në kushte shtëpie me dosjet e shortuara. Ndërkohë gjatë kësaj periudhe nuk kanë reshtur as denocimet e qytetarëve, të cilat i dërgohen komisioneve në rrugë elektronike dhe postare..
Vetëm për muajin mars nga qytetarët kanë mbërritur 58 denoncime, ndërsa numri në total i denoncimeve dërguar në KPK që nga 2017 kur ka nisur punën edhe ky institucion ka kapur shifrën e 4454 denoncimeve.
Ndërkohë që nga nisja e procesit, KPK ka përfunduar shqyrtimin për 245 subjekte nga 800 që duhet të kalojnë në filtër.
101 janë konfirmuar në detyrë, ndërsa për 90 KPK ka vendosur shkarkimin.
Për 30 subjekte është vendosur ndërprerje e vettingut për shkak të dorëheqjes.
Për 8 është vendosur pushim i procesit, pas dorëheqjes së kryer para futjes në fuqi të ligjit, ndërsa për 16 subjekte është vendosur përfundim procesi pa një vendim, pasi kanë dalë në pension.
Ndërkohë numri i vendeve të mbetura vakant nëpër gjykata për shkak të largimeve të sistemit vijon të rritet, dhe aktualisht pritet të sjellë një kolaps edhe në gjykatat e Apelit.
l.h/ dita
