Rreth 1200 maturantë do të mund të vijojnë studimet e larta në ciklin e parë të pranimeve “Bachelor” në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës për vitin e ri akademik 2020-2021.
E ndërsa maturantët po vijojnë me përgatitjet në kushtet e shtëpisë për provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje, ky fakultet krahas kritereve të pranimit, ka konfirmuar tashmë edhe kuotat e mundshme që do të realizohen jo vetëm për ciklin e parë të pranimeve “Bachelor”, por edhe për studimet e nivelit të dytë “Master”.
Sipas vendimit të marrë nga Dekanati, bëhet e ditur se në ciklin e parë do të përzgjidhen 1200 fitues në radhët e maturantëve dhe kandidatëve të tjerë që do të garojnë për të fituar studimet e larta në garën e pranimeve të 2020-s.
Referuar ndarjes së kuotave të aprovuara për këtë cikël studimesh, saktësohet se në degën Administrim Biznes do të pranohen 420 kandidatë, në degën Financë-kontabilitet 440 kandidatë, në Informatikë Ekonomike 240 kandidatë, si dhe në degën Ekonomiks 100 kandidatë.
Gjithashtu janë përcaktuar edhe kuotat e pranimeve për programet e dyta të studimit, ciklin e transferimeve, si dhe kuotat për kategoritë nga trojet dhe ata me aftësi të veçanta, ku për të gjitha këto kategori do të pranohen në total 200 kandidatë. Në tabelën bashkangjitur shkrimit gjeni të plotë ndarjen e kuotave për kandidatët brenda vendit, si dhe kuotat e veçanta të propozuara për të gjitha degët e ciklit të parë ‘Bachelor”.
Kriteret e pranimit për maturantët e 2020-s
Dy janë kriteret e miratuara tashmë nga ky fakultet sa i takon formulës se si do të përzgjidhen fituesit e rinj në radhët e maturantëve dhe kandidatëve të tjerë që do të konkurojnë për këto katër programe studimi të nivelit të parë. Sipas vendimit të marrë më herët, Fakulteti i Ekonomisë saktëson se fituesit do të përzgjidhen nëpërmjet vlerësimit të mesatares se shkollës së mesme, si dhe mesatares së lëndëve të përcaktuara prioritet.
Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë edhe provimet e Maturës Shtetërore ( që llogaritet si mesatare e thjeshtë) do të përbëjë 50 për qind të vlerësimit final për maturantin.
Ndërsa nota mesatare e gruplëndëve (për të gjithë vitet gjatë të cilave shtrihen lëndët, përfshirë notat e maturës shtetërore) po ashtu përbën 50 për qind të vlerësimit final. Në listën e këtyre lëndëve përfshihen matematika me 15 për qind të ndikimit, ekonomia me 15 për qind të ndikimit, ndërsa fizika dhe gjuha e huaj vlerësohen secila me nga 10 për qind të ndikimit në rezultatin final që maturanti do të sigurojë nga vlerësimi i këtij kriteri.
Shumatorja e pikëve të siguruara nga këta të dy tregues përbën edhe rezultatin final që maturanti apo kandidati siguron në garën e pranimeve të këtij viti. Renditja në listë nis me kandidatët që kanë siguruar pikët më të larta, për të vijuar në rend zbritës deri tek kandidati me rezultatin më të ulët. Fitues do të jenë të gjithë maturantët që kanë pikët më të larta referuar numrit të kuotave të aprovuara për secilën degë. Edhe këtë vit mendohet që regjistrimi i fituesve do të zhvillohet me disa faza, sikundër ka ndodhur gjatë pranimeve të vitit të shkuar.
Dhënia e provimeve të Maturës Shtetërore 2020
Në provimet e maturës së këtij viti do mund të hyjnë të gjithë kandidatët që kanë arritur të plotësojnë në kohë formularin A1 dhe A1Z. Në lidhje me mungesat që maturantët po bëjnë në shkollë për shkak të situatës së krijuar nga shpërthimi pandemik i Covid-19, ekspertët e arsimit qetësojnë maturantët duke konfirmuar se: “temat që janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe,si dhe ato që mbeten të parealizuara, nuk do të përfshihen në tezat e provimeve të detyruara dhe lëndës me zgjedhje.
Ndryshe nga një vit më parë,për testimet e këtij viti ka ndryshuar edhe niveli i pikëve minimale që duhen për të qenë kalues. Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e miratuar nga MASR, saktësohet se maturanti do të konsiderohet mbetës në provim nëse ka marrë më pak se 25 për qind të totalit të pikëve me të cilat vlerësohet testi. Ndërkohë që në maturat e shkuara për të qenë kalues duhej që maturanti të grumbullonte 20 për qind të pikëve totale të testit. Ky ndryshim i pikëve për pragun kalues është bërë me qëllim që të rritet edhe cilësia e kandidatëve që do të garojnë më tej për studimet e larta.
KUOTAT PËR STUDIMET NË “MASTER PROFESIONAL”
Sa i takon kuotave të pranimeve në ciklin e dytë “Master profesional”, kandidatët e këtij viti do të mund të garojnë për dhjetë degë, në të cilat do të pranohen 640 fitues të rinj. Në këtë cikël mund të garohet për këto degë: Administrim biznes, Administrim publik, Studime Ekonomike Evropiane, Financë- Kontabilitet dhe Auditim-Financë, Kontabilitet dhe Auditim, Sisteme Informacioni në Ekonomi, Teknologji Informacioni dhe Menaxhimin e Proceseve të Biznesit, Menaxhim Turizmi, si dhe Marketing. Ndarjen e plotë të kuotave e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit, ku për secilën degë jepen edhe kuotat e mundshme të pranimeve të reja që do të zhvillohen për ciklin e transferimeve, programet e dyta të studimeve, kuotat për trojet, si dhe kategoritë me aftësi të veçanta.
KUOTAT PËR STUDIMET NË “MASTER SHKENCOR”
Në ciklin e dytë të nivelit “Master shkencor” për vitin e ri akademik mund të garohet në 12 programe që janë: Master i Shkencave në Administrim Biznes, Administrim Publik, Ekonomiks, Financë, Menaxhim Risku, Kontabilitet dhe Auditim, Sisteme Informacioni në Ekonomi, Siguri Informacioni, Statistikat Zyrtare, Kërkime Operacionale në Menaxhim, Menaxhim Turizmi, Marketing. Në këto programe do të pranohen rreth 545 fitues të rinj të zgjedhura nga garuesit brenda vendit. Ndërsa 267 kuota do të jenë në dispozicion të kandidatëve që do të garojnë për programet e dyta të studimeve, ciklit të transferimeve, kuotave të trojeve, si dhe kategorive të veçanta, ndarje të cilën e gjeni të plotë për secilën degë në tabelën bashkangjitur shkrimit.
Pranvera Kola\Dita

