Mosnjohja e diplomës shton pakënaqësitë në radhët e studentëve të diplomuar në profile të ndryshme mjekësore. Prej disa muajsh vijon një debat i fortë lidhur me ekzistencën ose jo të Universitetit të Mjekësisë, i cili u ngrit pak muaj më parë, nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave. Në një takim të zhvilluar gjatë ditës së djeshme, studentët e diplomuar pranë Fakultetit të Mjekësisë, si dhe ata që janë në proces diplomimi shprehen të shqetësuar, pasi nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre në vendet e Bashkimit Evropian, duke qenë se diploma e tyre nuk njihet. Problemi ky i konstatuar së fundmi, tetë muaj pas krijimit të Universitetit të Mjekësisë. Sipas studentëve ky është një institucion që nuk njihet në vendet e Bashkimit Evropian, por edhe që nuk plotëson as kushtet më minimale, nuk ka një logo, infrastrukturë, kurrikula apo edhe staf pedagogjik. Ndërkohë që më parë, profilet mjekësore ishin pjesë e Fakultetit të Mjekësisë, i cili varej nga Universiteti i Tiranës. “Diplomat tona në BE nuk po njihen. Kur më përpara që ishim pjesë e Universitetit të Tiranës na mjaftonin 3 provime për ta konvertuar këtë diplomë, sot nuk mundemi ta konvertojmë sepse nuk na e njohin. Jemi vendi i fundit i botës, universitet i sapokrijuar në rankingun botëror është në vendin e 37 mijë. Është absurde që ne duhet të jemi pjesë e një strukture, të pamenduar mirë”, ka pohuar një nga studentët gjatë diskutimeve të zhvilluara dje lidhur me këtë çështje. Pak më herët edhe drejtuesit e fakultetit, si dhe shumë mjekë të rinj të punësuar jashtë pohojnë se kalimi i fakultetit në stadin e universitetit nuk ka ndjekur procedurat e duhura, ndërkohë që po dëmton së tepërmi formimin e mjekëve të së nesërmes. Studentët e mjekësisë, gjatë forumit të hapur në lidhje me problemet që i shqetësojnë mjekët e ardhshëm, shprehen të mendimit për rikthimin e Fakultetit të Mjekësisë si pjesë e Universitetit të Tiranës dhe shkrirjen e Universitetit të Mjekësisë. Ata kanë paralajmëruar se nëpërmjet një peticioni do t’i drejtohen gjithë strukturave të arsimit, për gjetjen e një zgjidhje. Ndërkohë që paralajmërojnë edhe nisjen e protestave nëse nuk do të ndërhyhet në zgjidhjen e këtij ngërçi.
