Kapiteni i Tiranës, Elvis Sina, ka shprehur zhgënjimin e madh për gjendjen e bardhebluve, por beson se rezultatet kanë qenë më të këqija nga sa e ka merituar vërtet skuadra. Në konferencën e djeshme për shtyp, veterani 35-vjeçar tha se nuk arrin të gjejë shpjegim për këtë gjendje.
“Është një situatë shumë e keqe, të cilën nuk di si ta shpjegoj, pasi tani i kemi zgjidhur edhe problemet financiare”, tha mbrojtësi. “Paraqitja jonë nuk ka qenë e mirë, megjithatë mendoj se jemi ndëshkuar më shumë nga sa e kemi merituar. Rezultatet negative ndikojnë në vazhdimësi, duke sjellë edhe pozicionin që kemi në renditje”. Skuadra 24 herë kampione e vendit është e fundit në kampionat dhe më e rrezikuara për të rënë nga kategoria, por sulmuesi portugez Semedo është i bindur se Tiranës i duhen një ose dy rezultate pozitive që të rifitojë besimin.
“Para se të vija këtu u informova dhe e kuptova se Tirana është një klub i madh. Të njëjtën gjë më thanë edhe njerëzit me të cilët kam komunikuar. Gjërat nuk po shkojnë mirë, por ky është futbolli. Skuadra është në një situatë të vështirë, por ne duhet të shohim përpara, sepse nëse fitojmë një apo dy ndeshje gjërat ndryshojnë. Gjendja psikologjike është e ulët, sepse askush nuk dëshiron të humbë, por gjithçka shndërrohet në rast se fitojmë”.
Semedo është golashënuesi më i mirë i bluve, por duke shënuar vetëm dy gola, nga katër gjithsej të skuadrës në 12 ndeshje. Shifra të papërfillshme për çdo skuadër, jo më për Tiranën, dhe këtë gjë e pranon edhe Semedo. “Katër gola janë shumë pak. Për mua nuk ka rëndësi se kush shënon, sepse më e rëndësishme është të fitojë Tirana. Ne kemi nevojë të shënojmë më shumë si skuadër. Sigurisht që unë nuk mund të jem i lumtur, sepse jeta ime është goli, nëse shënoj gola arrij të nënshkruaj edhe kontrata më të mira”, tha portugezi. Lidhur me largimin e mundshëm në janar, Semedo nuk dha shumë shpjegime: “E jetoj jetën ditë pas dite, nuk e di çfarë do të ndodhë nesër”.
