Çifti i dyshuar se ka mbajtur tri gra të burgosura për më shumë se 30 vjet, i përkiste një lloj komuniteti marksist që qëndronte në pritje të lirimit të Londrës nga Ushtria e Kuqe
Disa ditë pas lajmit të lirimit të tri grave të mbajtura të izoluara për tri dekada në jug të Londrës, kanë filluar të qarkullojnë informacionet mbi identitetin e çiftit, i cili mendohet se ka organizuar sekuestrimin. Policia ka komunikuar identitetin e dy personave dhe ka shpjeguar se bëhet fjalë për dy anëtarë të një grupi të ekstremit të majtë, i cili predikonte madhështinë e Mao Ce Dunit dhe imagjinonte mbërritjen e Armatës së Kuqe Kineze për çlirimin e zonës jugore të kryeqytetit britanik.
Aravindan Balakrishnan është 73 vjeç dhe në fillim të viteve ’70 ka qenë një nga anëtarët më të shquar të partisë së vogël komuniste britanike. Pas disa vitesh militantizmi, ndoqi një tjetër lëvizje komuniste më radikale me frymëzim maoist, Institutin e punëtorëve marksistë-leninistë-maoistë. Sipas policisë, ai ishte përgjegjësi kryesor i sekuestrimit të tri grave bashkë me të shoqen Chanda, 67 vjeçe dhe anëtare në të njëjtin grup komunist të tij.
“Lëvizja” ishte vendosur në një ndërtesë të madhe me stil viktorian në Brixton (jug të Londrës) e përbërë nga një komunitet që numëronte vetëm 25 anëtarë. Lideri ishte pikërisht Balakrishnan, i njohur në atë epokë si shoku Bala. Kush ishte i punësuar duhej të dhuronte një pjesë të mirë të pagës së tij për mbështetjen e kauzës. Anëtarët e tjerë ishin thuajse të gjithë emigrantë dhe sipas “The Guardian”, Bala kishte aftësinë që të ndikonte mbi ta falë karizmës së tij. Mbanin gjithnjë distinktivë me portretin e Maos dhe ishin të bindur se Brixton do të çlirohej herët a vonë nga ushtria komuniste kineze.
Lirimi i tri grave, një maleze 69 vjeçe, një irlandeze 57 vjeçe dhe një britanike 30 vjeçe ndodhi në fund të tetorit, pasi të burgosurat kishin kontaktuar një organizatë që merret me tutelimin e lirive e të drejtave të individëve në Mbretërinë e Bashkuar.
Nga hetimet e zhvilluara deri më tani, duket se çifti i kishte mbajtur të mbyllura gratë në dhjetë apartamente të ndryshme, gjithnjë në zonën në jug të Londrës. Policia po përpiqet të kuptojë nëse Balakrishnan ka pasur ndonjë përgjegjësi në vdekjen e një gruaje, e cila ra nga dritarja e një prej banesave ku kanë jetuar.
Policia gjithashtu po përpiqet të kuptojë se përse administrata publike nuk u aktivizua ndaj 30-vjeçares që dyshohet se ka lindur gjatë burgosjes së dy grave të tjera. Lindja e saj u regjistrua rregullisht por gjatë viteve që vijuan nuk u morën masa ndaj çiftit, i cili nuk e kishte regjistruar më pas në shkollë. Administrata lokale ka konfirmuar për mediat britanike se nuk e di se përse dy sekuestruesit dhe 3 të burgosurat e tyre kishin marrë lejen për të qëndruar në atë shtëpi dhe për të bashkëpunuar me policinë.
Do të jetë e vështirë për autoritetet që të akuzojnë kreun e sektit, pasi nuk është folur për dhunë të ushtruar nga ana e tyre apo për pengimin e largimit të grave. Njëra prej tyre i ka shkruar qindra letra fqinjit të saj, duke u ankuar për vuajtjet e saj, por pa i vënë në dukje probleme të ndryshme nga ato ekzistencialet: Ai besonte se ajo e dashuronte dhe se i shkruante për atë arsye. E njëjta grua më vonë iu drejtua një shoqate duke kërkuar që të shpëtonte nga ato që ishin kurthe psikologjike të çimentuara në vite e vite bashkëjetese. Tani për tani, autoritetet britanike nuk i kanë zyrtarizuar ende akuzat kundër liderit të grupit. /D.Gjuzi

Mao ka qene tradhetare me emer i revolucionit . Emri i tij duhet peshtyre. Ndersa Kina eshte nje force e madhe por e rrezikshme per boten. Popullsia e madhe kineze mund te shkaktoje shfarrosje dhe nese pushteti popullor kinez bie ne duar te gabuara , botes i vjen fundi. Kina nuk mund te sjelli revolucion apo clirim neper bote sepse ajo nuk perputhet aspak me nje shtet komunist. Nuk permban aspak kulture demokratike . Kina eshte nje imperialist i egerr qe kerkon te shtrije doren kudo.