Në ndryshim nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës do të aplikojë vetëm një kriter të vetëm për përzgjedhjen e fituesve të rinj për vitin akademik 2020-2021. Për të gjitha degët e këtij fakulteti shpallja e fituesve do të përcaktohet vetëm nga mesatarja e shkollës së mesme.
“Nota mesatare aritmetike (e thjeshtë) e tre viteve të shkollës së mesme, përfshirë këtu edhe notat e Maturës Shtetërore përbën 100 për qind të ndikimit në përzgjedhjen e fituesve të rinj të 2020-s në ciklin “Bachelor”, për programet e studimit: gjuhë angleze, frënge, spanjolle, gjermane, turke,greke, italiane, ruse”, sqarohet në vendimin e marrë nga ky fakultet lidhur me kriteret e pranimeve të reja për vitin akademik 2020-2021.
Për të hyrë në garë për vijimin e studimeve të larta në të gjitha fakultetet publike në vend, kriteri bazë që duhet të përmbushë secili maturant, apo kandidat tjetër që përfshihet në garë, është mesatarja minimale e gjimnazit që pritet të miratohet nga qeveria. Ndërkohë që për përzgjedhjen e fituesve, secili fakultetet ka përcaktuar tashme edhe kriteret e specifike që kanë të bëjnë me mesataren e shkollës së mesme, mesataren e provimeve të maturës, si dhe atë të lëndëve preferenciale.
Sipas kushteve të përcaktuara në Ligjin e arsimit të lartë, programet e ciklit të parë të studimit, referuar organizohen me jo më pak se 180 kredite evropiane dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike. Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet, duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome. Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
p.k\DITA
