Partia Socialiste nëpërmjet deputetëve të saj ka kërkuar nga qeveria që të gjenden emrat e personave që kanë nxjerrë para jashtë vendi.”A ka mundësi t’i kërkosh Fondit Monetar Ndërkombëtar emrat, kontot, shifrat e të gjithë qytetarëve shqiptarë që kanë para të padeklaruara jashtë Republikës së Shqipërisë. Sot bëj kërkesë zyrtare në emër të Qeverisë së Shqipërisë që të gjithë kontot bankare të padeklaruara, emrat e tyre, shumat e tyre të të vijnë ty si ministër i Financash në dorë, 1.3 miliardë dollarë”, tha deputeti socialist Arben Ahmetaj. Ish-ministri socialist i Financave Arben Malaj thotë se Qeverisë i mungon vullneti për të gjetur zyrtarët e korruptuar që pasurohen me aktivitete të jashtëligjshme. “Zoti ministër kërkoje në mënyrë zyrtare, siç e bëjnë ministrat e vendeve që duan t’i japin kredibilitet vendit të tyre, kërko zyrtarisht cilët janë personat që janë përfshirë në këtë listë dhe pasi ta kërkosh në mënyrë zyrtare ndihmoje këtë vend, që nëse disa politikanë janë krimbur deri në grykë, nuk ka përse të bëhet pis e gjitha politika shqiptare”, tha Malaj.
