Studentët e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës do të vijojnë me zhvillimin e mësimit online edhe për muajt maj dhe qershor. Pas vendimit të marrë nga qeveria për zgjatjen e gjendjes së emergjencës të shkaktuar nga shpërthimi pandemik i Covid-19, autoritetet e këtij fakulteti kanë vlerësuar edhe alternativat e mundëshme të zhvillimit të procesit mësimor për mbylljen e vitit akademik në të gjitha programet e studimit.
Dekanati i këtij fakulteti konfirmon se studentët do të vijojnë të zhvillojnë programin e tyre mësimor në platformat online deri në datën 23 qershor. Pas kësaj date do të zhvillohen konsultime për një periudhë të paktën 2-javore, për të gjithë studentët që kanë hasur vështirësi në ndjekjen e mësimit online. Në përfundim të konsultimeve do të vijohet edhe me zhvillimin e sezonit të provimeve, duke u dhënë prioritet studentëve që janë në përfundim të ciklit të parë, apo të dytë të studimeve .
“Deri në datën 23 qershor do të vazhdojë mësimi online. Pas kësaj date, për një periudhë prej dy javësh, pra java e fundit e muajit qershor dhe java e parë e muajit korrik do të zhvillohen konsultime, përsëritje apo mësime intensive me studentët që nuk kanë arritur të ndjekin mësimin online. Më tej, gjatë muajit korrik dhe deri në fillim të muajit gusht, do të zhvillohen provimet duke patur prioritet vitet e fundit të cikleve të studimit, “Bachelor” dhe “Master”, si dhe mbrojtjet e praktikave (të cilat mund të kryhen online apo sapo të fillojnë sipërmarrjet aktivitetin e tyre normal, etj), apo edhe mbrojtjet e diplomave”, detajohet në vendimin e marrë nga dekanati i Fakultetit Ekonomik.
Gjithashtu bëhet me dije se studentët që nuk arrijnë të mbyllin vitin akademik 2019-2020 deri në gusht, kanë ende mundësi që të shlyejnë të gjitha detyrimet e mbetura përgjatë sezonit të vjeshtës që do të zhvillohet në muajin shtator dhe në fillim të tetorit. Kjo me qëllim që këta studentë të mund të vijojnë në kohë ndjekjen e vitit të ri akademik 2020-2021 në ciklet përkatëse.
“Kush nuk ka mundësi në këtë periudhë, mund të paraqitet në data të tjera provimesh në muajin shtator, duke mbyllur të gjitha detyrimet brenda gjysmës së parë të muajit tetor, për të bërë të mundur fillimin normal të vitit të ardhshëm akademik”, sqarohet nga dekanati i Ekonomikut. Përgjatë javës së ardhëshme edhe institucionet e tjera të arsimit të lartë në vend pritet të bëjnë publike qëndrimet e tyre se si do të procedojnë për mbylljen e vitit akademik në të gjitha ciklet e studimit që zhvillojnë.
p.k\Dita
