Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, duke se nuk do mund ta votojë qeverinë e re. Ai dëshiroi të kthehet nga Lugano me avionin e tij për në Kosovë, por Ministria e Shëndetësisë e paralajmëroi se do ta fusin në karantinë për dy javë.
Lideri i AKR’së ka reaguar ashpër pas këtyre paralajmërimeve dhe fajësoi Qeverinë se po ia pengon ardhjen në Kosovë. Pacolli ka thënë se ajo çfarë po ndodhë është tronditëse për të, duke shtuar se ai po pengohet të kthehet në Kosovë nga një Qeveri të cilën ai e ka votuar.
Pacoll akuzon Qeverinë e tanishme se duan ta pengojnë si deputet, duke aluduar se duan ta ndalin veprimtarinë e tij parlamentare, pak para se të votohet Qeveria e re.
“Akti ndaj meje, në kundërshtim me gjithë ligjet ndërkombëtare, madje dhe me vendimin e fundit të Gjykatës kushtetuese, nuk është akt force, por akt dobësie! Nuk është akt trimërie, por disfate! Nuk është qeveri e fortë, një qeveri që kapet pas pushtetit kësisoj dhe pengon veprimtarinë e parlamentit me çdo mjet, por qeveri e dobët”, ka shkruar Pacolli.
Pas kësaj, Pacolli vendosi ta anuloi fluturimin e tij për në Prishtinë pasditen e kësaj të marte. Piloti i tij në një letër drejtuar autoriteteve të Kosovës ka bërë të ditur se është anuluar fluturimi i parashikuar për sot.
“Të dashur operatorë. Fluturimi jonë për në Prishtinë është anuluar. Faleminderit”, ka shkruar ai në një letër rreth orës 16:00.
Ndërkohë, Pacolli ka vazhduar me një tjetër ankesë në Twitter, ku shprehet se mënyra se si e trajtuan është e padrejtë.
“Dua të shoh se sa parimorë do të jenë Viola Von Cramon, Nataliya Apostolova e ambasadorët e Gjermanisë, Britanisë dhe të Amerikës në Kosovë në pengesat që Qeveria po bën ndaj atyre që nuk mendojnë njëjtë si Kurti në Parlament. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të rrijë i heshtur ndaj veprimeve anti-kushtetuese të Kurtit”.
Menjëherë pasi lajmëroi për anulimin e fluturimit në Prishtinë, mediat e Kosovës njoftojnë se kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka aterruar në Aeroportin e Tiranës.
Pas aterrimit në Aeroportin e Tiranës, deputeti Behgjet Pacolli është nisur drejt kufirit në Vërmicë për të hyrë në Kosovë.
Për t’iu shmangur karantinës në Qendrën e Studentëve, Pacolli do të thotë se ka probleme shëndetësore.
Sipas rregullave të institucioneve, një nga kategoritë që lirohen nga karantina janë personat me probleme shëndetësore.

l.h/ dita
