Nga Edona Llukaçaj
Pandemia e Covid-19 duket se nxori edhe njëherë në pah problemet reale të vendit dhe fytyrën e vërtetë të politikbërësve tanë. Ajo që mund të kishte qenë një mundësi reflektimi për ta, e një shans për të synuar një ringritjeje të prekshme për Shqipërinë, në fakt, duket veçse si një rast tjetër për ne, qytetarët e thjeshtë, për të parë gabimin tonë -mëkatin tonë fillestar-: të besuarit në të pabesueshmit në mënyrë të përsëritur.
Ashtu si me tërmetin, nevojat jetike të qytetarëve dhe problemet e shumta që ata hasën, u përmendën përciptas dhe u adresuan veçse verbalisht nga mendjendriturit punëpak e fjalëshumë.
Opozita e bashkuar joparlamentare, titull ky që ka fituar me meritë të plotë dhe që i ngjan emrave të atyre grupimeve surrogato me qëllime e ide të pakapshme, në të vërtetë edhe po vepron si e tillë. Duke lënë në baltë segmente të konsiderueshme të shoqërisë bën opozitë fiks si për inat të vjehrrës…
Kinse me idenë se po demaskon korrupsionin e thellë të tenderave për pajisjet e nevojshme për shërbimin shëndetsor në luftën kundër Covid-19, në të vërtetë, me qëndrime diletante e sipërfaqësore po largon edhe mbështetësit e vet të velur nga dritëshkurtësia.
Si duket, i ndërgjegjshëm për këtë dhe nostalgjik për një kohë që mos ardhtë kurrë më, ‘babai’ i partisë më të madhe të djathtë, i ka marrë vetë në dorë frenat e të bërit opozitë, duke u mbështetur fort në thashetheme dixhitale. Duke spekulluar me numrin e viktimave të virusit gjerësisht, ai sikur kërkon me ngulm që shifrat të pasqyrojnë një gjëmë që do ia faturojë ekzekutivit.
Por zelli i tij e shfaq si një ndjekës shembullor të ideologjisë staliniste që kur bëhet fjalë për të shpikur argumenta për të fituar terren “vdekja e një njeriu është tragjedi, ndërsa ajo e milionave/e shumë statistikë”. E kështu haptazi përhap virusin e frikës dhe dëshpërimit social.
Opozita parlamentare, një tërësi paralele që ekziston veçse në boshllekun e vet, ka cilësinë e pikasur e të qënit krejt e pakuptueshmë në çfarë thotë kur qëllon që thotë, se për të bërë as që pritet. E maskat që mund të bëhen të detyrueshme në ambientet publike pas lirimit të mëtejshëm të masave nuk do mund ta mbulojnë dot as dramën e papërfaqësimit të një segmenti të konsiderueshëm të shoqërisë as të na mbrojnë nga palaçollëqet e tyre me kosto.
Përtej katandisjes së opozitës multi-formë të vendit tonë, ne kemi një mazhorancë qeverisëse nga e cila populli kthen sytë, sidomos në veshtirësi. Por ekzekutivi jonë është një “one-man show” virtual i preokupuar për të gjetur “tradhtarët” e luftës së vet dhëmb për dhëmb me armikun e padukshëm. I vetëkënaqur në maksimum me masat gati dhunuese dhe paketat ekonomike të etiketuata modestisht “Rama 1” e “Rama 2”, pushteti jonë mono-figurë, meqë të tjerat kështu beson se i ka zgjidhur, merret me kush do i bëjë punët e mia të shtëpisë apo me ata që guxuan të bëjnë vizita për Pashkë.
Sipas tij, paçka se të pavetëdijshëm për situatën e vet shëndetsore, ata janë bukëshkalë që s’duan as prindërit e vet e sillen vërdallë si bomba me sahat. Duke marrë në konsideratë se për raste të tillë e kemi tashmë ligjin e qëndisur, përse nuk hetohet si u infektuan dhjetëra të burgosur në të paktën dy burgje.
Meqë distancimi fizik i të burgosurve është i një tjetër lloji, burimi i infektimit, qoftë ky punonjës a vizitor, se ndryshe s’ka si të jetë, a është identifikuar? Jo për ndonjë arsye tjetër, por mund të mos ketë qenë i pajisur me leje nga e-Albania e shkelës kaq të rrezikshëm të ligjit s’mund të tolerohen.
Përtej paradokseve shqiptare të tipit nuk të është mbyllur biznesi po vendi i punës apo personi i denoncuar publikisht nga vetë kryeministri si i papërgjegjshëm, ka një detyrë që kërkon përgjegjshmëri dhe integritet të lartë, padyshim që pandemia është një fatkeqësi globale me ndikim të konsiderueshëm dhe Shqipëria nuk mund të jetë përjashtim.
Por kur çdo shtet ka marrë masat e veta për ta minimizuar efektin e kësaj situate, të marrësh si përgjigje frazën “kjo kohë kërkon sakrifica” sa herë ka pikëpyetje mbi efikasitetin e strategjisë së pushtetit tonë na bën të ndihemi të lehtë-sakrifikueshëm e minimalisht na ulë edhe më besimin.
E tek shohim këtë lojë të ulët të luajtur mbi kurrizin tonë ndjehemi se vetë politika shqiptare është në opozitë me ne, me shqiptarët.
*****
Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë
