Mazhoranca zbret në 69 vota, por rrëzon hetimin për Kukësin

redaktor

Mazhoranca parlamentare nuk ka pranuar kërkesën e opozitës për të hetuar Ministrinë e Brendshme për listat e zgjedhësve në qarkun e Kukësit. Ashtu siç veproi në rastin që u kërkua hetimi i Imami edhe këtë herë PD është treguar e vendosur të mos lejoj deputetët e Kuvendit për të zbardhur disa paqartësi që lidhen me gjendjen civile në Kukës. Sipas PD kërkesa e opozitës është antikushtetuese ndërsa ka theksuar se kjo është një alibi për të prishur procesin zgjedhor. Fakt interesant gjatë votimit ishte momenti i votimit kur PD ka zbritur në 69 vota duke humbur katër vota të cilat mendohet se kanë qenë të aleatit kryesor të saj, LSI. Kërkesa e opozitës mori 62 vota pro duke iu shtuar dhe katër të mazhorancës.

Argumenti i lindshmërisë

Rritja e popullsisë në Kukës dhe lidhja e kësaj me pjellshmërinë ishte dje objekt i debatit të gjatë në Kuvend, gjatë shqyrtimit të kërkesës së Partisë Socialiste për hetim parlamentar në këtë qark. Pak ditë më parë në Komisionin parlamentar të Integrimit, deputeti socialist, Marko Bello i kërkoi ministrit të Brendshëm, Flamur Noka sqarim lidhur me shifrat që ofron ky dikaster, ku sipas tij, “në Kukës popullsia shtohet brenda natës, ndërsa në Berat pakësohet brenda ditës”. Këtij shqetësimi Noka i përgjigjet “fakti që në Kukës ka burra që shtojnë popullsinë, kjo nuk është as përgjegjësia ime, as përgjegjësia e opozitës”.

 

 

Ruçi: Me tre apo katër mandate, Kukësin e keni të humbur

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi deklaroi se me tre apo katër mandate në Kukës, mazhoranca e sotme do të humbasë në zgjedhjet e ardhshme. Duke folur para parlamentit për ngritjen e Komisionit Hetimor për shtimin e popullsisë në qarkun Kukësit, Ruçi u shpreh; “Që të të votojë një qark, që të kesh 8 vjet në pushtet dhe 65 % jetojnë me asistencë sociale, vetëm nga ky tregues e keni të humbur Kukësin.”

 

 

Tritan Shehu: Në Kukës lindin gratë dhe jo burrat!

Gjatë diskutimeve të djeshme nuk mungonin as momentet e ironisë dhe humorit siç ishte rasti i deputetit demokrat Tritan Shehu i cili tha se “në Kukës lindin gratë dhe jo burrat”. Shehu në fakt nxitoi të rregullonte fjalën e Nokës, i cili tha se lindin burrat. Por të gjithë kësaj situate në fakt i vinte për shtat shprehja e deputetit të PS-së, Pandeli Majko i cili duke insistuar në kërkesën për hetim u shpreh se “kjo nuk është punë hallatesh”.

 

 

 

 

Paloka banalizon diskutimin në Kuvend

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka kaluar çdo kufij në fjalën e mbajtur në Kuvend. Paloka duke kundërshtuar kërkesën e opozitës si antikushtetuese tha se Rama tani nuk ka më as fantazinë opozitare që përdori për largimin e Fatos Nanos nga drejtimi i PS-së. “Dikur frymëzonte Erjon Velinë se si t’ia fuste Nanos duke e nxjerr edhe nga PS-ja. Kishte fantazi opozitare, sot i ka humbur edhe kjo fantazi, nuk gjen dot asnjë mënyrë për të luftuar Berishën. Prandaj konsumon edhe deputetët e tij sot dhe jo vetëm sot, në të tilla çështje dhe na mbajnë me orë të tërë për të diskutuar për gjëra që janë më se të qarta. Qëndrimi ynë është i detyruar nga ligji dhe Kushtetuta dhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ne, PD-ja, nuk mund të lejojmë që të bëni Kushtetutën sa herë që t’i ngrihet Ramës për të bërë lojëra të tilla”, u shpreh Paloka.

 

Anëtarët e opozitës në KQZ shprehen kundër ndarjes së mandateve

Tre përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve deklarohen kundër ndarjes së mandateve në qarkun e Kukësit. Nëpërmjet një letre të hapur, nënkryetari i institucionit, Denar Biba dhe anëtarët Albana Shtylla dhe Jani Jani, e konsiderojnë vendimmarrjen në kundërshtim me ligjin, aktin administrativ të KQZ-së për ndarjen e mandateve. Sipas anëtarëve të opozitës, caktimi i numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, për zgjedhjet për Kuvendin 2013, është një akt në kundërshtim me ligjin, ndaj është jashtë kompetencave të KQZ-së për t’u marrë. “Vendimi është edhe në kundërshtim me procedurën e parashikuar nga Kodi Zgjedhor për marrjen e vendimeve nga KQZ, pasi në asnjë nen të tij, nuk parashikon që në rastet kur një projektvendimi nuk miratohet në parim, zhvillohet një votim i dytë. Rrjedhimisht, dispozitivi i këtij vendimi, fryt i votimit të dytë të KQZ është një shkelje e rëndë dhe flagrante e procedurës së vendimmarrjes së KQZ”- thuhet në letrën e 3 përfaqësuesve të zgjedhur nga e majta në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *